Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Qershor 2026

Bashkia Elbasan dhe INCA nënshkruajnë marrëveshje për reduktimin e ndotjes nga plastika

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën INCA, me synim reduktimin e ndotjes nga plastika dhe promovimin e ekonomisë qarkulluese.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryebashkiaku Gledian Llatja vlerësoi bashkëpunimin me INCA-n dhe theksoi se edukimi mjedisor dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve janë elementë kyç në luftën kundër ndotjes.

Kjo marrëveshje synon të nxisë praktika të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve, riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve, duke kontribuar në krijimin e një qyteti më të pastër dhe më miqësor me mjedisin.

Me moton se ndryshimi fillon nga veprimet e vogla, Bashkia Elbasan dhe partnerët e saj vazhdojnë të promovojnë iniciativa që forcojnë kulturën e mbrojtjes së mjedisit dhe përgjegjësinë qytetare.

Dita Botërore e Mjedisit, Bashkia dhe INCA marrëveshje për një mjedis më të pastër

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën INCA, e cila synon reduktimin e ndotjes nga plastika, promovimin e ekonomisë qarkulluese dhe forcimin e edukimit mjedisor në komunitet.

Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në angazhimin e Bashkisë Elbasan për mbrojtjen e mjedisit, përmes zbatimit të nismave konkrete që synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në praktika të qëndrueshme mjedisore.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, u zhvillua ceremonia përmbyllëse e nismës së riciklimit të tapave plastike, e realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Mjedisit, organizatën INCA, Zyrën Vendore të Arsimit dhe shkollat e qytetit. Për javë me radhë, qindra nxënës, mësues dhe prindër u angazhuan në mbledhjen e tapave plastike, duke e kthyer këtë nismë në një model të edukimit mjedisor dhe pjesëmarrjes qytetare.

Gjatë aktivitetit, nxënësit përcollën mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit, prezantuan skeçe artistike dhe ndanë angazhimet e tyre për reduktimin e përdorimit të plastikës në jetën e përditshme.

Në përfundim, u vlerësuan shkollat pjesëmarrëse për kontributin e tyre, ndërsa shkollat “Jorgji Filo” dhe “Luigj Gurakuqi” u shpallën fituese të nismës, duke dëshmuar se bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi janë çelësi i suksesit në mbrojtjen e mjedisit.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan vlerësoi angazhimin e nxënësve, mësuesve dhe familjeve, duke theksuar se edukimi mjedisor mbetet investimi më i rëndësishëm për të ardhmen dhe se çdo veprim i vogël në mbrojtje të natyrës sjell ndryshime të mëdha për komunitetin.

Bashkia mbetet e angazhuar në zbatimin e politikave të qëndrueshme mjedisore dhe përfshirjen e të rinjve në nisma që kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës dhe reduktimin e ndotjes nga plastika.

Në zhvillim projekti “Krusheva dhe Elbasani” për turizmin e aventurës dhe natyres

Në Bashkinë e Elbasanit u organizua takimi i radhës i grupit të punës për projektin “Krusheva dhe Elbasani — Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, një nismë që synon zhvillimin e turizmit natyror dhe të aventurës në zonën e Elbasanit, në bashkëpunim me organizatën partnere TVO.

Takimi u drejtua nga Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, dhe mblodhi përfaqësues të drejtorive përkatëse të bashkisë dhe partnerëve të projektit. Gjatë takimit u vlerësua ecuria e deritanishme e zbatimit të projektit, si dhe u diskutuan hapat që do të ndërmerren në vijim për realizimin e aktiviteteve të planifikuara.

Në fokus të diskutimeve ishte organizimi i një trajnimi që do të zhvillohet më 11 dhe 12 qershor, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë e qarkut, përfshirë Gramshin, Librazhdin, Cërrikun, Prrenjasin, Peqinin dhe Belshin.

Po ashtu, u shqyrtua mundësia që Festa e Funarit, e parashikuar për datat 25 ose 26 qershor, të shërbejë si një moment promovues i projektit, duke u lidhur me ceremoninë e hapjes së punimeve të Parkut dhe Parkimit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe partnerët lokalë.

Në përfundim të takimit, Nënkryetari Asim Sula vlerësoi angazhimin e të gjitha palëve të përfshira dhe theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm për përmbushjen me sukses të objektivave të projektit.

Programi “Toka në Shkollë” zgjerohet në shkollat e Elbasanit

Programi “Toka në Shkollë” po shtrihet në gjithnjë e më shumë institucione arsimore në Bashkinë Elbasan, duke u ofruar nxënësve mundësinë të mësojnë përmes praktikës dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me natyrën.
Një prej shembujve të këtij programi është edhe shkolla e Kuqanit, ku serat didaktike janë kthyer në një hapësirë mësimore të veçantë. Përmes aktiviteteve praktike, nxënësit njihen me proceset e kultivimit, kujdesin për bimët dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Bashkia Elbasan po punon për zgjerimin e këtij programi në shkolla të tjera, me synimin për të krijuar ambiente ku fëmijët mësojnë duke vëzhguar, eksperimentuar dhe zhvilluar aftësi praktike që lidhen me natyrën dhe bujqësinë.
Programi “Toka në Shkollë” synon të forcojë edukimin mjedisor dhe të nxisë tek brezat e rinj dashurinë për tokën, punën dhe natyrën.

Këshilli Bashkiak miraton listën e poseduesve jopronarë në kuadër të Paketës së Maleve

Këshilli Bashkiak Elbasan miratoi listën e subjekteve që kanë kërkuar të njihen si “posedues jopronarë”, në zbatim të ligjit nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve” dhe akteve nënligjore përkatëse.
Vendimi vjen pas përfundimit të të gjithë procesit administrativ të ndjekur nga grupi i posaçëm i punës i ngritur nga Bashkia

Elbasan, i cili verifikoi dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët, kreu evidentimet në terren dhe realizoi shkëmbimin e informacionit me institucionet përgjegjëse.

Në kuadër të procedurave ligjore, kërkesat që plotësonin kriteret e përcaktuara janë afishuar për një periudhë 45-ditore në ambientet e Bashkisë Elbasan, në njësitë administrative përkatëse dhe në faqen zyrtare të institucionit, duke garantuar transparencën e procesit dhe mundësinë për paraqitjen e pretendimeve apo ankesave nga palët e interesuara.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përfundimit të afateve të njoftimit publik, Këshilli Bashkiak miratoi listën e subjekteve që përmbushin kushtet për t’u njohur si posedues jopronarë, së bashku me plan-rilevimet përkatëse të sipërfaqeve objekt kërkese.

Sipas vendimit të miratuar, hapi i radhës parashikon paraqitjen e kërkesave pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për pasqyrimin e statusit të poseduesit jopronar në kartelat e pasurive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Paketa e Maleve përbën një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin e zonave malore, duke synuar nxitjen e investimeve, turizmit dhe ekonomisë lokale. Në Bashkinë Elbasan, zonat prioritare të përfshira në këtë paketë janë njësitë administrative Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë, të cilat përfitojnë nga mundësitë dhe lehtësitë që ofron ky program për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.