Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

ÇDO ZONË INFORMALE ËSHTË KTHYER NË KANTIER NDËRTIMI    

 Rruga ” Arif Dardha”, një zonë periferike në Elbasan, buzë ullishtave është kthyer në një kantier ndërtimi, ku së shpejti nga zonë informale do kthehet në një zonë totalisht urbane.

 Flota e mjeteve ka nisur punimet në këtë zonë e ndërtuar pas viteve 90′. Ndërhyrjet në këtë lagje kanë nisur një vit më parë me kanalizmet e ujrave të zeza, pasi ishte problem kryesor dhe imediat për lagjen por edhe një kërkesë e kahershme e banorëve.

 Kreu i bashkisë z. Gledian Llatja, bashkë me drejtuesin politik të qarkut Damian Gjiknuri, dhe deputeten e zonën Evis Kushi, kanë parë nga afër punimet në këtë zonë informale e cila po i rikthehet urbanizimit total.

 Kreu i bashkisë z. Llatja pohoi se ” investimi nëntokësor i hapi rrugë zhvillimit të infrastrukturës, lagja ka pasur dhe ka problem ujin e pijshëm pasi është mbi kuotat e depove. Për këtë arsye bashkia para dy vjetësh nisi një investim në depon e Teqes, pikërisht për të furnizuar të gjithë këtë lagje”.

  Në kuadër të projektit të ri që po bëhet në Elbasan për ujësjellësin për infrastrukturën bashkiake 5 në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukurës, AKUM dhe pushtetin vendor, bashkia ka nisur sistemimin e ujit të pijshëm, kanë përfunduar kanalizimet, ndërkohë që po punohet në rrugë, shtresat asfaltike bashkë me trotuar dhe ndricim.

 “Ky është një projekt i mirë. Është një zonë informale, ku banorët janë kryesisht të ardhur pas viteve 90′, por me shumë probleme infrastrukturore deri tani, probleme të cilat ne po i zgjidhim. Kjo zonë ka një intensitet qarkullimi dhe dendësi banorësh. Gjetëm dakordësinë e banorëve për heqjen e gardheve, pasi në këtë rrugë kalonte vetëm një makinë”, shtoi z. Llatja.

  Puna aktualisht kryhet në infrastrukturë rrugore dhe ujin e pijshëm. Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri është ndalur tek banorët të cilët sipas tij mirëpritën këtë investim duke bashkëpunuar me qëllim që të krijohet një rrugë më e gjerë. ” Kjo nuk para ndodh, pasi njerëzit e duan rrugën por jo tek baçja e tyre, por e mira është që të heqim dicka nga vetja. Këtu po bëhet një punë kolosale, mund të ketë qenë një zonë informale por ka shumë banesa, e që kishte një mangësi serioze, infrastrukurën. Një qendër urbane ka ujë, infrastrukurë dhe kanalizime të ujrave të zeza, dhe kryetari i bashkisë në bashkëpunim me qeverinë po e realizon. Kryetari i bashkisë ka premtuar dhe po i mban premtimet duke u lidhur me kontratën që ka bërë me qytetarët”.

  Evis Kushi deputete e zonës ka falenderuar kreun e bashkisë Gledian Llatja, i cili i është përgjigjur në një kohë rekord shqetësimit të banorëve në procesin e buxhetimit me pjesëmarrje, të cilat janë reflektuar tek buxheti i këtij viti.

 ” Një falenderim të dytë kam edhe për banorët të cilët na mirëkuptuan për zgjerimin e rrugës”.

 Punimet vazhdojnë me intensitet dhe parashikohet që të përfundojnë para afatit.