Dita e Verës 2024: Organizohet Panairi i Artit dhe Zejeve
Në prag të Ditës së Verës, nxënësit dhe mësuesit e 30 shkollave “Qendër Komunitare” të bashkisë Elbasan organizuan Panairin e Artit dhe Zejeve.
Panairin e ka parë nga afër edhe kreu i bashkisë z. Gledian Llatja ku secila shkollë ekspozoi traditat dhe kulturat e zonës me qëllim ruajtjen dhe promovimin e tyre brez pas brezi.
Ndonëse në pamje të parë fragmente të tilla na kthejnë vite pas në fund na kujtojnë vlerat kulturore dhe traditën unike shqiptare.
Vetë të rinjtë përçuan mesazhin e ruajtjes së traditës një amanet i pashkruar nga të parët.
Panairi i Artit dhe Zejeve për të dytin vit me radhë mbështetet nga Zyra Arsimore.
Drejtorja e saj Vesa Llanaj Liço pohoi se aktivitete të tilla i bëjnë fëmijët të njohin identitetin kombëtar traditat dhe trashëgiminë kulturore edhe në të përditshmen e tyre.
Prej më shumë se një jave në Elbasan janë duke u zhvilluar një mori aktivitetesh në kuadër të festimeve të Ditës së Verës, ndërsa festimet kulmojnë më datë 14 mars.