E-path 6 nis nga Elbasani: Turizmi i qëndrueshëm në fokusin e bashkëpunimit rajonal
Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka pritur në zyrën e tij përfaqësues të lartë të Federatës Europiane të Hiking, si dhe përfaqësues të federatave nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe vuri në fokus rëndësinë e nismës për zhvillimin e turizmit natyror dhe të qëndrueshëm në rajon.
“Kisha kënaqësi të prisja në Elbasan përfaqësuesit e Federatës Europiane të Hiking dhe federatave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut,” u shpreh kryetari Llatja. “Ky ishte një takim i rëndësishëm që çel rrugën për bashkëpunim konkret në realizimin e projektit E-path 6.”
E-path 6 është pjesë e rrjetit të shtigjeve europiane, një nismë që synon të lidhë destinacione të ndryshme përmes shtigjeve të ecjes në natyrë, duke promovuar njëkohësisht bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe historike të vendeve pjesëmarrëse.
Ky projekt ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të fuqizuar turizmin alternativ dhe për të sjellë më shumë vizitorë në qytetin e Elbasanit dhe më gjerë, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e pasurive natyrore dhe kulturore të zonës.
Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për të qenë pjesë aktive e kësaj nisme dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.