Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani nënshkruan kontratën për Neutralitetin Klimatik 2030

Në Elbasan është nënshkruar kontrata e Angazhimeve për Neutralitetin Klimatik 2030, një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe reduktimit të ndotjes mjedisore. Në këtë nismë janë përfshirë aktorë kryesorë si Bashkia e Elbasanit, Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor, Climate-Neutral and Smart Cities Mission, Agjencia për Eficensën e Energjisë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” dhe Prefektura e Elbasanit.

Bashkia Elbasan është përzgjedhur si një nga 100 qytetet përfituese të Misionit Europian për Qytetet Neutrale ndaj Klimës dhe Qytetet e Zgjuara, pas shprehjes së interesit të bërë më 31 janar 2021. Në kuadër të këtij misioni, Bashkia ka ngritur struktura të posaçme që do të merren me identifikimin, zbatimin dhe monitorimin e projekteve me impakt të drejtpërdrejtë në mjedis dhe eficiencën e energjisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se ky është një moment kyç për të ardhmen e qytetit dhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonën industriale, duke përmendur edhe projekte konkrete si:

Projekti “Përshtatja ndaj Ndryshimeve Klimatike në Menaxhimin Ndërkufitar të Rrezikut nga Përmbytjet”, i financuar nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe i implementuar nga GIZ.

Zhvillimi i qëndrueshëm rural përmes projektit “Cash for Work” me mbështetjen e Ambasadës Suedeze dhe asaj Amerikane.

Hartimi i Planit Strategjik për Ndryshimet Klimatike në bashkëpunim me UNDP.

Implementimi i Planit Strategjik për Lëvizjen e Qëndrueshme Urbane (SUMP), financuar nga GIZ.

Projekti për ngritjen e “Murit të Gjelbër” në zonën e ish-metalurgjisë, me qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit dhe krijimin e sipërfaqeve të gjelbra.

“Tashmë Elbasani ka hyrë në rrugën drejt neutralitetit klimatik. Në bashkëpunim me partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë, do të punojmë për të ndërtuar një qytet më të pastër dhe më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm,” tha kryebashkiaku Llatja.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, përfaqësuesja e Climate-Neutral and Smart Cities Mission, Laura Hetel, drejtori i Agjencisë për Eficensën e Energjisë, Ani Hasa, dhe Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja.

Ky bashkëpunim synon uljen e emetimeve të karbonit deri në vitin 2030 dhe transformimin e Elbasanit në një model të qëndrueshëm për qytetet e tjera në vend.