Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” ndez atmosferën e Maratonës Rinore në skenën e Teatrit “Skampa”

Skena e madhe e Teatri Skampa u mbush me energji, emocion dhe kreativitet nga performancat mbresëlënëse të nxënësve të gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”, të cilët sollën një atmosferë të jashtëzakonshme në kuadër të Maratonës Rinore. Me interpretimet artistike, muzikën, koreografitë dhe talentin e tyre, të rinjtë e kthyen teatrin në një festë të vërtetë arti dhe pasioni rinor.

Maratona Rinore vijon të mbetet një nga platformat më të rëndësishme për zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, duke i dhënë hapësirë brezit të ri të shprehë aftësitë dhe kreativitetin e tij. Ndër vite, kjo skenë ka nxjerrë shumë emra që sot janë pjesë e rëndësishme e artit dhe kulturës shqiptare.

Në krye të organizimit të këtij aktiviteti artistik qëndrojnë: Kliton Kapaj (Drejtor Ekzekutiv), Edmond Rrapi (Udhëheqës Artistik), Ardit Serica (Drejtues Orkestre), Denis Blaceri (Koreograf), Mario Elezi (Regjisor), Helidon Gremi (Light Designer) dhe Ali Zena (Mjeshtër Zëri), të cilët kanë sjellë një standard të lartë profesional në realizimin e këtij edicioni.

Maratona Rinore 2026 vjen si një edicion jubilar dhe spektakolar, duke e kthyer sërish skenën e “Skampa” në një festë të madhe të artit, kulturës dhe rinisë elbasanase.

Me mbështetjen dhe kujdesin e veçantë të Bashkise Elbasan për të rinjtë, aktivitete të tilla po kthehen në një mundësi reale për zhvillimin, promovimin dhe fuqizimin e talenteve të reja, duke e vendosur rininë në qendër të jetës kulturore dhe artistike të qytetit.