Gledian Llatja në Bruksel: Roli i qeverisjes vendore në procesin e zgjerimit të BE-së
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka marrë pjesë në një takim në Bruksel, në kuadër të “11th Enlargement Days”, të organizuar nga @pes_cor, mbi rolin e qeverisjes vendore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe sfidat që shoqërojnë këtë rrugëtim.
Në këtë kuadër, Antonio Mazzeo, President i Këshillit Rajonal të Toskanës (Consiglio Regionale della Toscana) dhe përfaqësues në Komitetin Evropian të Rajoneve, në një deklaratë së bashku me kryebashkiakun Llatja u shpreh se “sot në Bruksel, së bashku me Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë së Elbasanit, kryesuam takimin e tretë të tryezës së dialogut ndërmjet Komitetit Evropian të Rajoneve dhe autoriteteve vendore shqiptare mbi rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria është sot ndër vendet kandidate më të avancuara në procesin e anëtarësimit. Tani sfida është të shndërrohen përparimet në negociata në rezultate të verifikueshme në jetën e përditshme të njerëzve.”
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve evropiane dhe qeverisjes vendore në forcimin e procesit të integrimit.
Nga ana e tij, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se “është nder për mua të punoj me ju z. Mazzeo dhe të marr eksperiencën që ju në Itali keni. Po bëjmë gjërat më të mira për qytetet tona dhe për qytetarët tanë. Na gëzon marrëdhënia që kemi me Bashkimin Evropian dhe progresi që kemi bërë deri tani.
Një mundësi e vyer për të ndarë përvojat më të mira të qeverisjes vendore dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët europianë, me bindjen se integrimi fillon nga qytetet dhe komunitetet tona”.
Takimi në Bruksel u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e dialogut mes qeverisjes vendore shqiptare dhe institucioneve evropiane në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.