Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Infrastrukturë dhe shërbime, dëgjesat për buxhetin afatmesëm ndalen në Labinot Fushë dhe Mal

Në vijim të turit të dëgjesave për buxhetin afatmesëm, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim me banorët e Labinot Fushë dhe Labinot Mal, ku u diskutuan prioritetet dhe projektet konkrete për zhvillimin e zonës.

Gjatë dëgjesës, u ndanë me komunitetin investimet e realizuara deri më tani, si dhe ato që janë planifikuar për periudhën në vijim. Fokusi kryesor mbetet përmirësimi i infrastrukturës rrugore, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimet, ndriçimi publik dhe rritja e cilësisë së shërbimeve bazë për qytetarët.

Ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugëve, përmirësimin e kanaleve vaditëse dhe rrjetit të ujësjellësit, si dhe rikonstruksionin e qendrës shëndetësore, investime të cilat synojnë drejtpërdrejt rritjen e cilësisë së jetës për banorët e zonës.

Kryebashkiaku Llatja theksoi rëndësinë e këtyre takimeve si një mundësi për të dëgjuar nga afër nevojat e komunitetit dhe për të ndërtuar një buxhet sa më të orientuar drejt qytetarëve, duke garantuar zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë territorin e bashkisë.