Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Investime në arsim, infrastrukturë dhe turizëm/ Tregani pjesë e Paketës së Maleve në fokus të buxhetit afatmesëm trevjeçar

Në Njësinë Administrative Tregan vijoi turi i konsultimeve për buxhetin afatmesëm, ku u prezantuan një sërë projektesh dhe investimesh që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e zonës për tre vitet e ardhshme. Nga ndërtimi i shkollës së re të Treganit me standarde bashkëkohore, te investimet në infrastrukturën rrugore që lidhin fshatrat dhe mbështesin turizmin e llixhave, bashkia ka parashikuar ndërhyrje konkrete për përmirësimin e jetës së banorëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Në këtë takim morën pjesë banorë të zonës, përfaqësues të majtë e të djathtë, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i Bashkisë Gledian Llatja dhe deputetja Evis Kushi.

Deputetja Evis Kushi u shpreh se kërkesat e qytetarëve janë të shumta dhe kjo e bën të vështirë përcaktimin e prioriteteve, por theksoi rëndësinë e dëgjimit të komunitetit.

“Ne kemi dëgjuar se çfarë është bërë deri tani dhe po diskutojmë së bashku prioritetet për investimet në të ardhmen. Kërkesat janë të larta, ndaj duhet të bëjmë zgjedhje të kujdesshme.”

Ajo vlerësoi gjithashtu investimin në shkollën e Treganit, duke theksuar se shkolla është me kushtet sipas standardeve më të mira të Bashkimit Europian.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja renditi projektet konkrete në zbatim dhe ato të planifikuara.

“Kemi një sërë projektesh në zbatim, përfshirë këtu edhe shkollën e re të Treganit, e cila është  ndër më cilësoret në zonat rurale, një shkollë e re. Brenda këtij viti nisim investimin në aksin rrugor Kryezjarr–Tudan dhe më tej drejt Trepsenishtit, ndërsa vitin tjetër vijon segmenti Tregan–Tudan, që do të krijojë një unazë funksionale për gjithë zonën.”

Ai shtoi se brenda vitit do të nisë edhe ndërtimi i rrugës Llixha–Hidraj drejt zonës së hoteleve, një segment prej 850 metrash asfalt, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

“Ekonomia kryesore e Treganit janë llixhat, të cilat mbajnë edhe një pjesë të mirë të Shirgjanit. Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi pranë bizneseve të kësaj zone”, tha Llatja.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe ndërhyrja në rrugën e varrezave, si dhe projekte të tjera që pritet të përfshihen në buxhetin trevjeçar.

Buxheti afatmesëm synon pikërisht këtë proces bashkëbisedimi me qytetarët, për të përkthyer kërkesat dhe nevojat e tyre në investime konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.