Kryqëzimi i Cërrikut, konsultim për një infrastrukturë më të sigurt dhe funksionale
Bashkia Elbasan zhvilloi, në kuadër të Forumit Vendor të Qeverisjes së Hapur (OGP Local), një takim konsultues për projektidenë e rikonstruksionit të Kryqëzimit të Cërrikut, një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit rrugor në qytet.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, Këshillit Bashkiak, shoqërisë civile, mediave, ekspertë të infrastrukturës dhe sigurisë rrugore, si dhe përfaqësues të Policisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Gjatë konsultimit u prezantua zgjidhja teknike e propozuar dhe u diskutuan problematikat ekzistuese dhe rekomandimet për përmirësimin e projektit.
Ndërtimi i një rrethrrotullimi shihet si një zgjidhje optimale për të përmirësuar qarkullimin, për të ulur rrezikun e aksidenteve me pasoja dhe për të reduktuar ndotjen nga trafiku. Projekti parashikon gjithashtu ndërhyrje në sinjalistikën rrugore, ndriçimin, gjelbërimin dhe trotuaret, me synimin për të krijuar një hapësirë më të sigurt dhe funksionale për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët. Nisja e punimeve është parashikuar brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2027.
Rekomandimet e mbledhura gjatë takimit do t’u përcillen strukturave përgjegjëse për t’u shqyrtuar në vijim të zhvillimit të projektit. Konsultimi synon të garantojë që zgjidhja përfundimtare t’u përgjigjet nevojave reale të komunitetit, përmes transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.