Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Llatja/ Punimet për përmirësimin e furnizimit me ujë 24 orë në Elbasan vazhdojnë me sukses

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, ka inspektuar nga afër punimet e shtrirjes së kanalizimeve që po kryhen në të gjithë qytetin, me synimin për të siguruar ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Ky projekt është një kërkesë e kahershme e banorëve të qytetit dhe tani po bëhet realitet falë investimeve nga KFV gjermane dhe qeveria shqiptare.

“Ka qenë një domosdoshmëri të kemi ujë 24 orë në qytetin e Elbasanit. Ky projekt i shumëpritur na ka hapur rrugën për të pasur ujë të pijshëm 24 orë në disa lagje të qytetit. Kemi më shumë se 6 muaj që kemi filluar projektin dhe punimet po ecin mirë. Shpresojmë që rrugët të kthehen në gjendjen e mëparshme sa më shpejt, pasi kemi krijuar ngarkesa për qytetarët për shkak të hapjes së shumë kantierëve njëkohësisht,” tha z. Llatja.

Në lagjet kryesore si “Aqif Pasha”, “Qemal Stafa”, “28 Nëntori”, dhe pjesë të lagjes “Haxhias”, punimet po shkojnë mirë dhe sistemi i furnizimit me ujë po rregullohet plotësisht. Synimi është që deri në maj të vitit 2025, gjysma e qytetit të ketë ujë të pijshëm 24 orë, duke vazhduar më pas me pjesën tjetër të qytetit dhe periferitë.

Z. Llatja theksoi se tubacionet kanë qenë të vjetruara dhe ndërhyrjet e paligjshme kanë sjellë humbje të mëdha në rrjet. Me sistemimin e linjave kryesore dhe sekondare, pritet që problemet e ujit të pijshëm të zgjidhen për një periudhë afatgjatë. Ky investim do të rrisë numrin e abonentëve dhe do të eliminojë nevojën për depozitat e ujit në katet e larta.

“Në bashkëpunim me Ujësjellësin dhe qeverinë shqiptare ne do të vazhdojmë edhe me një projekt tjetër për të siguruar edhe periferinë me ujë 24 orë.  Një pesë e tubacioneve kanë qenë të vjetëruara, janë bërë punime vit pas viti por nuk është përkthyer gjatë të gjithë kësaj kohe në investime në ujësjellës. Ishte e domosdoshme që ne të bëjmë rrjetin e ujësjellësit dhe të mos ndërhyjmë më këtu në 20 vitet e ardhshme. Zhvillimi kaotik që ka pasur shqipëria në përgjithësi por edhe Elbasani në vecanti ka sjellë ndërhyrje të vazhdueshme në rrjetet tona sidomos në tubacionet kryesore të paligjshme, duke na sjellë një humbje të madhe në rrjet, ndaj ishte e domosdoshme që ne të bënim këto ndërhyrje në të gjitha linjat tona kryesore”, shtoi Llatja.

 Këto investime do të sistemojnë një herë e mirë problematika e ujit të pijshëm në qytet, duke hequr edhe depozitat në katet e larta të pallateve të vjetra, pasi kanë qenë edhe shumë problem për banorët.

“ Uroj që sa më shpjet rrugët të kthehen ashtu si kanë qenë, pasi ne kemi bërë shumë punë në Elbasan dhe më vjen keq që i rihapim sërisht këto rrugë për t’i shtruar me tubacione të standarteve europiane”, shtoi Llatja.

Deputetja Evis Kushi konfirmoi se furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm ka qenë një nga premtimet kryesore të mandatit të tyre. “Elbasani është kthyer në një kantier të madh, dhe kjo tregon angazhimin tonë serioz për një projekt të integruar dhe të qëndrueshëm, nga i cili do të përfitojnë të gjithë banorët,” tha ajo.

Deri tani janë kryer 1.5 km punime dhe do të vazhdohet me 3.5 km të tjera vetëm në këtë rajon, duke përfshirë edhe 400 metra tubacion kryesor. Punimet po kryhen në të gjithë Elbasanin dhe pritet që investimi të përfundojë në kohë dhe të ketë një ndikim pozitiv në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.