Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Në Elbasan 7 sportele fizike, pjesa tjetër e shërbimeve vetëm online!

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Z.Gledian Llatja, bashkë me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, Elena Pici dhe prefekten Majlinda Peza vizituan zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë e Elbasanit, për të parë nga afër ecurinë e reformës për digjitalizimin e shërbimeve. Që nga data 1 maj, të gjitha shërbimet publike tashmë ofrohen online, ndaj dhe qëllimi i kësaj vizite në bashkinë e Elbasanit, ka qenë për të inspektuar nga afër ofrimin e shërbimeve në Gjendjen Civile. Kryetari i bashkisë, Z.Llatja deklaroi se “në bashkinë Elbasan do të ketë 7 sportele fizike, ndërsa pjesa tjetër e shërbimeve do të oftohet vetëm online. Në këto sportele fizike do të ofrohen vetëm ato shërbime që kërkojnë domosdoshmërisht prezencën fizike të qytetarëve, ndërkohë që çdo shërbim tjetër do të merret online nëpërmjet platformës e-Albania. Janë udhëzuar të gjithë punonjësit e Njesive  Administrative, që të orientojnë qytetarët se si ti marrin këto shërbime online nëpërmjet e-Albania”. Nga ana e saj, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme Elena Pici e vuri theksin tek orientimi dhe informimi i qytetarit duke deklaruar se “këto inspektime na shërbejnë për t’u njohur me problematikat e hasura këto ditë të para, dhe sigurojmë se problematikat që qytetari raporton, gjendja civile i raporton në kohe dhe trajtohen me prioritet nga e gjithë skuadra që merret me këtë shërbim. Është e rëndësishme që qytetarët të mos bien pre e çdo rasti abuziv nga subjekte private të cilat japin kosto të larta për një shërbim të cilin nuk do të jetë më i nevojshëm për qytetarët. Nëse do t’ju duhet që të merrni një shërbim në Zyrën Arsimore Rajonale, dhe  pjesë e këtij aplikimi është pajisja e një certifikate, është vetë zyra ajo e cila do ta marrë atë tek sistemi i Gjendjes Civile, duke i lehtësuar qytetarit printimin e certifikatës”. “Të vetmet certifikata që qytetarit do t’i nevojitet është ajo e lëvizjes jashtë vendit, ku certifikata mund të printohet në e-Albania në 6 gjuhë, pa u drejtuar tek institucioni i prefektit”, tha Pici. Që nga 1 maji, janë 8 shërbime publike, që do të jepen në sportele fizike për qytetarët. Mes tyre regjistrimi i lindjeve, martesave dhe shërbime që jepen në zyra noteriale, të cilat kërkojnë praninë fizike me domosdoshmëri. Pjesa tjetër e gjitha online, përmes aplikimeve në portalin shtetëror e-Albania.