Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

NIS URBANIZIMI I BLLOKUT TË PALLATEVE NË RAJONIN NR 3, PAS SISTEMIMIT ME UJË TË PIJSHËM

Pas përfundimit të sistemit të ujit të pijshëm rreth dy muaj më parë në pallatin nr. 120 të rajonit Nr. 3, është hapur rruga për urbanizimin e këtij territori.

Ky ishte një tjetër premtim i kreut të bashkisë për bllokun e pallateve pranë shkollave profesionale të qytetit. Pallatet, të ndërtuara në vite të ndryshme, kishin nevojë të domosdoshme për ndërhyrje, pasi asnjë investim nuk ishte bërë në infrastrukturë.

Gjatë një inspektimi të punimeve, kreu i bashkisë, z. Gledian Llatja, pohoi se “ky bllok pallatesh ishte një kërkesë e kahershme e banorëve edhe gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, ndaj ishte e domosdoshme rehabilitimi i të gjithë zonës.”

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me FSHZH, ka nisur një sërë investimesh në rrugë dhe rrugica, duke përfshirë edhe Rajonin Nr. 3, ku përfshihet ky bllok pallatesh. Investimi në këtë zonë, që përbëhet nga tetë pallate, përfshin edhe ndërtimin e një këndi lojrash për fëmijët dhe stola për moshën e tretë. Llatja shton se “pas këtij investimi, do të nisin punimet në rrugicat dhe rrugët e zonës informale pas ‘Imperial’, ku ka një komunitet të gjerë.”

Në këtë zonë ishte e domosdoshme ndërhyrja në infrastrukturë, ashtu si në shumë blloqe të tjera ku bashkia ka ndërhyrë edhe me veshjet me kapot. Edhe në këto pallate do të kryhet një ndërhyrje e tillë pas urbanizimit.

Florenc Spaho, deputet i kësaj zone, falënderoi kreun e bashkisë, i cili për një periudhë gati dy mujore bëri të mundur shtrimin e sistemit të kanalizimeve dhe shtrimin e rrugës, që është drejt përfundimit.

Në këtë bllok pallatesh nuk ishte kryer asnjë investim prej rreth 40 vitesh.