Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Pelegrinazh në ditën e shenjtë të Shën Joan Vladimirit

Çdo vit, në ditën e shenjtë të Shën Joan Vladimirit, qindra besimtarë nga fe të ndryshme mblidhen në manastirin e tij për të festuar “Ditën e Mirëkuptimit dhe Harmonisë”. Pelegrinazhi i përvitshëm mbledh besimtarë jo vetëm nga rrethi i Elbasanit, por edhe nga qytete të tjera të vendit dhe rajonit.

Dita e 4 Qershorit festohet çdo vit si një festë pagane për banorët e fshatit Shijon, ku besimtarët nderojnë figurën e Shën Joan Vladimirit. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit local si edhe deputetë, tha se “shenjtori na bashkon të gjithëve. Çdo herë që vijmë në Manastir dhe shohim miq nga i gjithë Ballkani, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia, na mbushet zemra me gëzim. Këto aktivitete dhe lidhjet historike që kanë pasur popujt tanë me figurat e krishtërimit, na bashkojnë dhe forcojnë lidhjet ndërmjet popujve.”

Në Bradashesh, rreth 4 kilometra larg Elbasanit, ndodhet fshati Shijon. Historia e vendbanimit daton rreth viteve 1010 – 1020, kur Shën Joan Vladimiri predikoi ritet e fesë ortodokse. I përbërë nga rreth 200 familje ortodokse, banorët e këtij fshati ndihen me fat që mbajnë emrin e shenjtit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Manastiri u dogj, por banorët e rindërtuan atë.

Shën Joan Vladimiri, i lindur në fshatin Vladimir të Krajës në Malin e Zi, jetoi në shekullin e XI. Ai themeloi manastire, kisha dhe institucione bamirësie, duke kontribuar në përhapjen e besimit të krishterë. Eshtrat e tij u ruajtën në Malin e Zi dhe më vonë u transferuan në Durrës dhe më pas në Manastirin e Shijonit, ku u bë një qendër e rëndësishme pelegrinazhi.

Sipas legjendave, Shën Joan Vladimiri u martua me Kozarën, vajzën e carit bullgar Samuel. Pas një ftesë të zakonshme për një gosti, Gjon Vladimirit iu pre koka. Legjenda thotë se ai udhëtoi me kokën e prerë në prehër deri në vendlindjen e tij. Eshtrat e tij u ruajtën dhe u vendosën në Manastirin e Shijonit, ku u bënë shumë mrekullira me të sëmurët që preknin lipsanin e tij të shenjtë.

Dita e 4 Qershorit, dita kur Shën Joan Vladimiri u vra, është shpallur festë e Njësisë Administrative Bradashesh. Manastiri i Shijonit mbledh besimtarë nga e gjithë zona dhe rajoni, duke u bërë një simbol i bashkimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve të Ballkanit.