Përfundoi me sukses Edicioni i IX i Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve “Muzika e Dhomës dhe Krijimtaria e saj” në Teatrin “Skampa”
Për tri ditë, orkestra dhe ansamble nga qytete të ndryshme të Shqipërisë interpretuan muzikë lirike dhe operistike nga autorët më të njohur, duke ofruar një përvojë të jashtëzakonshme për publikun elbasanas.
Nga viti në vit, ky festival ka njohur rritje të vazhdueshme, dhe edicioni i këtij viti solli disa risi të rëndësishme. Përveç repertorit të pasur, për herë të parë u dhanë çmime me vlerë të caktuar monetare, duke i dhënë një dimension të ri këtij eventi tradicional që tashmë ka tetë edicione të mëparshme.
Mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Elbasan, ky festival është bërë një traditë e pritur me shumë entuziazëm, dhe pritshmëritë për suksesin e tij u plotësuan. Performanca e orkestrës pritëse të Elbasanit në mbylljen e natës së parë u vlerësua si një nga momentet më të paharrueshme të festivalit.