Rruga “Ahmet Gashi” në Lagjen Skënderbej po i nënshtrohet një transformimi të plotë pas 30 vitesh
Rruga “Ahmet Gashi” në Lagjen Skënderbej është duke kaluar një proces tërësor ristrukturimi, pas më shumë se 30 vitesh pa asnjë ndërhyrje. Aktualisht, e gjithë rruga është shtruar me asfalt, dhe kanë mbetur vetëm disa punime të vogla për t’u përfunduar plotësisht.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka inspektuar nga afër këtë investim të rëndësishëm në një nga lagjet më të mëdha të qytetit, duke theksuar se asfaltimi ishte një nevojë imediate për banorët.
Kjo lagje ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së Bashkisë Elbasan. Tre vite më parë, Bashkia ndërhyri me një investim total në rrugën “Iljaz Kosova”, ndërsa më pas vijoi me projekte për kanalizimet, ujësjellësin dhe zgjidhjen e problematikave të tjera. Në këtë vijë investimesh, projekti i fundit për ristrukturimin e rrugës “Ahmet Gashi” është një hap tjetër drejt urbanizimit të plotë të kësaj zone.
Sipas kryetarit Llatja, rruga “Ahmet Gashi” lidhet me Kombinatin e Drurit, i cili është shpallur Zonë e Lirë Ekonomike. Ai theksoi se, paralelisht, Bashkia po përgatitet të nisë një tjetër investim në këtë zonë për të vijuar procesin e formalizimit të zonave informale.
Ky investim është mirëpritur nga banorët e zonës, të cilët prej dekadash nuk kishin parë ndërhyrje të kësaj natyre në infrastrukturën rrugore. Kryetari i Bashkisë premtoi se çdo rrugë në qytet dhe zonat informale do të përfshihen në projekte investimi, por gjithçka kërkon kohë për shkak të madhësisë të Bashkisë Elbasan, që përfshin edhe një numër të madh fshatrash.
“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë investimet në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Elbasanit. Edhe pse gjithçka kërkon kohën e saj, e ardhmja do të sjellë më shumë projekte dhe transformime për qytetarët tanë,” përfundoi Llatja.