Shijoni mirëpret qindra pelegrinë në festën e Shën Joan Vladimirit.
Në fshatin Shijon të Elbasanit u zhvillua sot pelegrinazhi tradicional për nder të Shën Joan Vladimirit, një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare dhe kulturore në rajon, ku morën pjesë qindra besimtarë nga Shqipëria dhe vendet fqinje të Ballkanit.
Kanë përcjellë urimet në këtë festë nënkryetarja e Bashkisë së Elbasanit, Krasnika Klaudia, deputetet e PS Evis Kushi e Sara Mila, përfaqësues të pushtetit vendor, klerikë dhe pelegrinë të shumtë.
Gjatë ceremonisë fetare, Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij Andon Andoni, u shpreh se kjo festë vazhdon të bashkojë besimtarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të rajonit.
Pas meshës së shenjtë, ceremonia vijoi me faljen e besimtarëve pranë lipsanit të Shën Joan Vladimirit, ku pelegrinët u lutën dhe nderuan kujtimin e shenjtorit, duke kërkuar bekim, paqe dhe mbarësi për familjet e tyre.
Festa e Shën Joan Vladimirit, që përkujton martirizimin e shenjtorit në shekullin XI, bashkon çdo vit besimtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia, duke e kthyer Manastirin e Shën Joan Vladimirit në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi dhe harmonie ndërfetare.
Numri i pjesëmarrësve është rritur nga viti në vit, duke e bërë këtë festë gjithnjë e më të madhe dhe më të dashur për besimtarët.
Kjo traditë, që daton që nga vitet 1010–1020, i ka mbijetuar shekujve dhe vazhdon të ruhet me përkushtim nga banorët e Shijonit, të cilët krenohen me trashëgiminë e vyer shpirtërore dhe historike që mbart ky vend i shenjtë.
Pelegrinazhi ka nisur që në mbrëmjen e 3 qershorit, kur qindra besimtarë u mblodhën në Manastirin e Shën Joan Vladimirit për ceremoninë tradicionale të ndezjes së qirinjve. Në një atmosferë qetësie dhe përkushtimi shpirtëror, pelegrinët u lutën për paqe, shëndet dhe mbarësi, duke shënuar kështu fillimin e festimeve që kulmuan sot me ceremonitë kryesore fetare.
Manastiri i Shën Joan Vladimirit mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri, duke mirëpritur çdo vit mijëra besimtarë dhe vizitorë nga vendi dhe rajoni.