Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Transformimi i Parkut Metalurgjik: Potencial i madh ekonomik për Elbasanin

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja e cilësoi sot projektin për transformimin e Parkut Metalurgjik, një potencial të madh ekonomik për qytetin.

Në aktivitetin e organizuar për prezantimin e këtij projekti ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Llatja tha se “që nga viti 1994 kur filloi edhe privatizimi i shumë ndërmarrjeve të ish- Metalurgjikut, ky është një ndër hapat më seriozë për ridimensionimin e kësaj zone me një potencial kaq të madh ekonomik për Elbasanin dhe Shqipërinë”.

“Në fakt ka qenë shumë i paqartë fati i zonës industriale, ku tre ndërmarrje shtetërore në faliment ku një pjesë zotëronte pronësinë, ku infrastruktura ishte e paqartë, ka sjellë një zhvillim i cili pasqyrohet edhe sot në zonën tonë industriale”, tha Llatja.

Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “sot në metalurgji operojnë shumë biznese të transformuara nga ish-ndërmarrjet industriale dhe përbëjnë boshtin kryesor të punësimit në Elbasan ku vetëm në zonën tonë industriale kemi mbi 4500 të punësuar”.

“Elbasani ka 7% të GDP totale ku pjesa më e madhe vjen nga zona industriale, nga bizneset që punojnë këtu. Ka edhe problematika një nga problemet kryesore ka qenë krahu i punës i trajnuar. Kemi bërë bashkërisht kurrikulat për shkollat profesionale dhe sot flasim për biznese që rriten në Elbasan dhe në zonën industriale”, nënvizoi Llatja.

Llatja vuri në dukje se kjo zonë industriale kërkon zgjerim të vazhdueshëm.

“Kjo na na jep optimizmin për të bërë punë të mira për Elbasanin dhe për të bërë punë të mira për ekonominë tonë të përbashkët”, tha Llatja.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se transformimi i Parkut Metalurgjik nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër, do të hapë perspektiva të reja për Elbasanin.

Gjatë prezantimit të këtij projekti, Rama tha se “kjo do e kthejë në epiqendër të inovacionit dhe zhvillimit, si një qendër e energjisë së pastër, prodhimit të avancuar dhe teknologjisë së qëndrueshme”.

Rama theksoi se “qëllimi është të hyjmë në një fazë të re në transformimin e territorit të Kombinatit Metalurgjik në një park kombëtar industrial, i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm”.

Kryeministri shtoi se për këtë gjë duam të mbështetemi tek një aleancë me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar më tutje zgjerimin e tyre, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në administrimin e jetës së përditshme të gjithë këtij territori.

“Ne kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh të huaj, ndër më të mirët që gjenden sot, dhe arkitektë vendas për të përcaktuar drejtimin e masterplanit. Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra. Ideja themelore duhet tët jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë dhe duhet të bëhet praktikisht së bashku me Automotarkun pika që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin”, tha Rama.

Sipas kryeministrit kjo do ta bëjë Elbasanin pjesë të metropopolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme.

“Jo vetëm Tirana me Durrësin, por edhe Tirana me Dibrën, apo Tirana me Elbasanin, duke pasur parasysh transformimet e infrastrukturës dhe shkurtimet e distancave janë faktikisht tre gjymtyrë të kryeqytetit”, shtoi Rama.