Ura e Papërr Sollakut, një investim i shumëpritur për fëmijët dhe komunitetin
Në një vizitë të fundit në fshatin Papërr Sollak, Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e përfundimit të projektit për ndërtimin e urës që do të lidhë këtë zonë me pjesën tjetër të njësisë administrative Papërr. Sipas Llatjas, ura është një investim jetik për fëmijët e shkollës.
“Një nga kërkesat e kahershme të komunitetit ka qenë ndërtimi i kësaj ure, e cila do të mundësojë që fëmijët të kalojnë në shkollë pa pasur nevojë të kalojnë përmes përroit. Kur të përfundojë ura, ata do të mund të shkojnë në shkollë me lehtësi, dhe kjo është një arritje e madhe për ta,” tha Llatja.
Fshati Papërr Sollak, një nga fshatrat më të largëta të njësisë administrative Papërr.
“Të paktën këto vite, kemi marrë masa për të shmangur shembjen e rrugëve dhe kemi realizuar prita lumore. Po punojmë ngadalë, por sigurt, dhe tani po afrojmë fundin e punimeve për urën e Papërr Sollakut,” u shpreh Llatja.
Ky projekt pritet të sjellë përmirësime të mëdha në kushte jetese dhe mobilitet për banorët e fshatit, duke rritur aksesin dhe sigurinë për të gjithë ata që kalojnë çdo ditë në këtë rrugë.