Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Vijon turi i takimeve për buxhetin afatmesëm në Elbasan, ndalesa e radhës në Shushicë

Bashkia Elbasan po vijon turin e takimeve në çdo rajon dhe njësi administrative, me qëllim diskutimin e buxhetit afatmesëm dhe përcaktimin e prioriteteve për tre vitet e ardhshme, në një proces të hapur konsultimi me banorët.

Takimi i radhës u zhvillua në Shushicë, ku ishin të pranishëm kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, deputetja Evis Kushi, si edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala.

Gjatë fjalës së saj, deputetja Evis Kushi vlerësoi rëndësinë e këtyre takimeve, duke theksuar se ato shërbejnë për të identifikuar nevojat më emergjente të komunitetit dhe për të dakordësuar prioritetet që do të përfshihen në planin e punës së Bashkisë së Elbasanit.

Ajo u ndal gjithashtu te potenciali zhvillimor i Shushicës, duke nënvizuar se afërsia me qytetin dhe investimet në infrastrukturë, veçanërisht rruga që ka shkurtuar distancën me Elbasanin, e bëjnë këtë zonë një nga më premtueset. Sipas Kushit, investimet kanë vijuar pa ndërprerje dhe aktualisht po punohet për ndërtimin e një shkolle me standarde bashkëkohore, e krahasueshme me shkollat më të mira të qytetit.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se këto takime synojnë ndërtimin e një buxheti afatmesëm 3-vjeçar sa më të përshtatur me nevojat e qytetarëve.

Ai bëri me dije se brenda këtij viti pritet të përfundojnë punimet për shkollën e re të Shushicës, e cila do t’u ofrojë fëmijëve kushte dhe standarde të njëjta me ato të shkollave më të mira në qytet dhe më gjerë.

Llatja u ndal edhe te projektet infrastrukturore, duke përmendur problematikat e lidhura me by-passin dhe urën e Byshekut, të cilat tashmë janë përfshirë në fazën e parë të projektimit. Gjithashtu, ai theksoi se po punohet për zgjidhjen e çështjeve në Bradashesh dhe për vijimin e projektit të by-passit të Elbasanit.

Në fokus të planit 3-vjeçar janë edhe investimet në infrastrukturën rrugore, ku një ndër prioritetet kryesore do të jetë ndërtimi i rrugës së re që lidh Shushicën me Gjinarin.

Në sektorin e bujqësisë, kryebashkiaku nënvizoi rritjen e prodhimit përmes sigurimit të ujit vaditës, hapjes së kanaleve kulluese dhe rritjes së sipërfaqeve të tokës së punueshme, falë ndërhyrjeve me prita lumore. Ai shtoi se në funksion të plotësimit të ciklit ekonomik do të ngrihet edhe një qendër e madhe grumbullimi, si pjesë e mbështetjes për fermerët.

Ky proces synon të garantojë një vendimmarrje transparente dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo zë dëgjohet dhe çdo ide merr vlerësimin e duhur.