Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shkurt 2022

 Llatja/ Po merr zhvillim investimi për Automoto Parkun dhe Lungo Fiume!

Bashkia Elbasan ka rinisur punimet për zgjatimin e rrugës “Borodin Mitarja” i cili do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve drejt varrezave publike të qytetit, por që cilësohet edhe si rruga kryesore hyrëse e automoto parkut si edhe Lungo Fiumen. Punimet të cilat kanë nisur me intensitet të lartë i ka inspektuar Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja duke i bërë edhe një prezantim të këtij projekti edhe Z. Damian Gjiknuri. “ Pas rishikimit të projektit për ndërtimin e rrugës së re “Borodin Mitarja” drejt varrezave të qytetit, na u desh të ndërhynim në një vepër komplekse infrastrukturore dhe nënkalimin e saj për t’a kthyer në funksion të Automoto Parkut dhe shëtitores së Krastës buzë lumit Shkumbin. Pak ditë më parë kemi rinisur punimet në këtë vepër të rëndësishme që i çel rrugën transformimeve të mëdha për Elbasanin dhe Shqipërinë, pasi Automoto Parku do ta ngjisë Elbasanin në një tjetër nivel rajonal dhe ndërkombëtarë”, tha në fjalën e tij Z. Llatja. Aktualisht kanë përfunduar kanalizimet e ujrave nëntoksore, si edhe ndarja që do të vijë për rrugën e Automoto Parkut, por edhe shëtitores në Lumit Shkumbin. Zgjerimi i kësaj rruge do të lehtësojë dukshëm trafikun që krijohet tek “Kryqëzimi i Cerrikut”. “ Kjo zgjidhje ne na jep një akses të ri, është një kalim që do të realizohet poshtë shinave të trenit  me standarte të larta, dhe paralelisht do të nisin punimet e kanalizimeve të ujrave të zeza tek “ Gorga”, si edhe në projekt është parashikuar edhe një vend i posaçëm për parking, rreth 120 poste makinash për t’i ardhur në ndihmë jo vetëm varrezave të qytetit, por edhe banorëve të lagjes “Emin Matraxhiu”, shton Z.Llatja. Është një projekt i përgjithshëm, ku pëfshihet ndriçimi, asfaltimi, trotuaret, sipas të gjitha parametrave normale. Për Z. Damian Gjiknuri, ky investim do të sjellë shumë zhvillim për qytetin e Elbasanit. “Ky investim do ti shërbejë jo vetëm varrezave të qytetit, por edhe investimit që do ti realizohet  Automoto Parkut, ku do të zhvillohen sporte të karaktereve të ndryshme, i cili nuk do t’i vlejë vetëm Elbasanit  por edhe qyteteve të tjera. Është një investim i ri, i cili do të ketë një shkallë më të gjerë të përfitimit ekonomik të Elbasanit. Kjo pjesë e parë e këtij investimi, do të jetë një zhvillim shumë i mirë për Elbasanin, shtoi Z. Gjiknuri.

Llatja/ Investimet në terrenet sportive vazhdojnë!!

Bashkia e Elbasanit një prioritet të veçantë vazhdon t’i kushtojë edhe investimeve në terrenet sportive të qytetit por jo vetëm. Pas rimodelimit të minikalçetos së futbollit në Kompleksin Sportiv” Shefqet Lamçja”, si edhe rrethimit të saj, një tjetër investim, i cili thuajse ka transformuar totalisht Pallatin e Sportit ” Tomorr Sinani”, është parketi, i cili kishte shumë dekada pa u ndërruar.  Gjatë një takimi me sportistët vajza dhe djem basketbollistë të ekipit të Elbasanit, kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja inkurajoi të rinjtë të jenë pjesëmarrës në sporte të ndryshme.Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja në mbështetje të ekipeve sportive në Elbasan, premtoi se brenda këtij viti do të nisë edhe sistemi i ndriçimit të Pallatit të Sportit, si edhe ndryshimi i karrigeve.” Nëse të rinjtë afrohen tek sporti, tek të gjithë terrenet sportive që ne kemi, aq më pak të rinj me vese do të ketë në qytet. Angazhimi në sport, është prioriteti ynë.  Kemi disa projekte jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale, sa i përket pjesës së transportit, me qëllim që të rinj dhe fëmijë afrohen dhe të bëhen pjesë e skuadrave tona.  Do të jetë një arritje nëse e bëjmë bashkinë gjithëpërfshirëse jo në qytet por edhe në zonat rurale”, tha Llatja. Shumë shpejt Bashkia Elbasan do të nisë investimet në dy palestrat e shkollës Luigj Gurakuqi ( Pedagogjike). Këtë vit, Bashkia Elbasan ka rritur edhe buxhetin për terrenet sportive prej 7 %, dhe sipas kreut të Bashkisë ” çdo vit do të vijojmë të kemi përmirësime dhe rritje të buxhetit. Ndaj ju ftoj të na nderoni! Elbasani është një qytet që e do sportin, i do rezultatet dhe arritjet që i këmi bërë ne të gjithë bashkë dhe detyrimisht kur e do i gjithë qyteti absolutisht ne e kemi për detyrë të bëjmë punë të mira”, tha Z. Gledian Llatja. Drejtori i Sportit Artin Kovaçi, vlerësoi ekipet shumësportesh në Elbasan, duke e vënë theksin se ka kohë që sportet në qytet kanë nisur të ringrihen.

Panairi i Makinave, vjen për herë të parë në Elbasan.

Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, për herë të parë në Shqipëri në llojin e tij , është organizuar Panairi i Makinave.  

Sheshi “ Gensher” është kthyer në një pistë me makina luksi, ku ka mahnitur mbarë qytetarët elbasanas, kurioz për të parë nga afër këtë manifestim mjetesh.  

Për kryetarin e  Bashkisë së Elbasanit “ Panairi i Makinave” është organizimi i parë në llojin e tij në Shqipëri, i cili me nisjen edhe të punimeve të Automoto Parkut”,  Elbasani do të kthehet në epiqendrën e rajonit për komunitet e automotorizmit, pistën e garave F1 dhe hapësirën dedikuar RETRO.  

Panairi i Makinave më luksose ka mbledhur në Elbasan të apasionuarit pas automjeteve të fundit apo me fuqi motorike të madhe  si një pikë takimi për të shkëmbyer eksperiencat dhe historitë aventureske.

Ndertimi i argjinatures mbrojtese pergjate lumit Shkumbin

Prioriteti i Bashkisë për këtë vit, investime në zonat rurale dhe periferike  

Një tjetër investim ka përfunduar falë mbështetjes së Bashkisë Elbasan.  

 Bëhet fjalë për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin në dy fshatrat Ullishtaj dhe Vidhas të njësisë administrative Papër.  

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër përfundimin e punimeve të kësaj prite lumore, duke pohuar se “ 6 ha toke në fshatrat Ullishtaj dhe Vidhas, janë shpëtuar si pasojë e ndërtimit të argjinaturës, që herë pas here në raste shirash shkaktonte përmbytje dhe dëme në bujqësi”.  

Në kohë reshjesh gjatë stinës së dimrit situata në këto dy fshatra bëhej e rrezikshme për 20 familjet që jetonin në këtë zonë për shkak se Lumi rrezikonte që ti përmbyste.  

  Sipas Kryebashkiakut Gledian Llatja ky ishte një investim jetik që i shpëton nga përmbytja dhe gërryerja banorët e asaj zone, ndërsa shtoi se “ po përgatitemi të bëjmë edhe një pritë lumore edhe në pjesën fundore në qytetin e Elbasanit me një gjatësi prej gati 2.4 km.  

Investimi në argjinaturën e Lumit Shkumbin ishte mëse i domosdoshëm për shkak së ndërhyrja aty kishte munguar prej shumë vitesh.  

Në sinkron, me argjinaturën, një tjetër investim në infrastrukturë për banorët e fshatit Kuqan, i ardhur si pasojë e kërkesave të kahershme nga ana e tyre.  

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër përfundimin e rrugës së asfaltuar të këtij aksi rural që i vjen në ndihmë më shumë se 300 familjeve dhe fëmijëve për dy objektet arsimore më të afërta.  

Kryetari i Bashkisë pohon se “ ishte kërkesë e kahershme e banorëve të fshatit Kuqan. Ne kemi një vëmëndje të shtuar në të gjithë zonat rurale dhe periferike, dhe ky vit do të jetë i përqëndruar në problematikat që kanë banorët në fshat por edhe në qytet”.  

Rruga e re e lagjes së Kishës në Kuqan, është një arterie e rëndësishme për 1500 banorë të asaj zone që tashmë gëzojnë një infrastrukturë me standarde.  

Banjot termale të Llixhave, me infrastrukturë dhe komoditet për turistët

Flota e makinerive të Bashkisë Elbasan  tashmë është ndalur në pikën turistike të Llixhave, burimet e së cilës janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës romake. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër vijimin e punimeve në infrastrukturë në këtë zonë, i cili pohon se “  kemi nisur përgatitjet për të mirëpritur shumë turistë në nisje të sezonit kurativ në Banjot Termale të Llixhave të Elbasanit. Bashkia po vijon punën për asfaltimin e rrugëve të brendshme lidhëse të kësaj njësie administrative”. Qëllimi është nisja e një sezoni të mirë turistik kurativ në Llixhat e Elbasanit, ku tashmë po punohet në asfaltimet e rrugëve kryesore që lidhen me hotelet, pasi  janë gati 7000 turistë që freëkuentojnë qendrën e Llixhës. Sipas Kreut të Bashkisë, investimet nuk kanë ndalur asnjëherë në këtë zonë turistikë, ku vlen të përmenden ndërhyrjet e mëparshme në këtë qendër, si në gjelbërim, ndriçim, ndësra tashmë po ndërhyhet në infrastrukturë.  Qëllimi  i Bashkisë së Elbasanit është që t’i ofrojmë turistëve komoditet në infrastrukturë, por edhe vetë banorëve të zonës. Llixhat ndodhen në fshatin Tregan të kësaj Njësia Administrative dhe njihen si një pasuri shekullore jo vetëm për qytetin por për mbarë vendin.

Mblidhet Këshilli Vendor i Sigurisë Publike!

Këshilli Vendor i Sigurisë në Elbasan zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2022, për të bërë një analizë të punës së deritanishme dhe për të parashtruar sfidat me të cilat përballet shoqëria përsa i përket çështjeve të sigurisë. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë, Z. Gledian Llatja, pohoi se : Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, synon përmirësimin më tej drejt realizimit të një jetë më të mirë veçanërisht për fëmijët tanë, të cilët janë më të prekur nga probleme të ndryshme sociale. Qëllimi ynë është të planifikojmë,  veprojmë për probleme të ndryshme që cënojnë rendin dhe sigurinë e qytetit tonë. Sëbashku do  të diskutojmë rreth hapave që duhet të ndërrmarim në fushën e parandalimit dhe trajtimit të abuzimit të substancave narkotike, si edhe trajtimit të rasteve të fëmijëve me situate problematike. Abuzimet me drogën dhe alkoolin është një ndër shkaqet e abuzimit ndaj grave dhe fëmijëve. Këto forma abuzimi nuk mund të trajtohen të izoluara nga njëra tjetra. Ndaj është e përshtatshme që këtë nismë që kemi nisur sot, ta vazhdojmë gjatë të gjithë vitit. Të gjithë së bashku të bashkojmë forcat dhe kapacitetet për këtë përpjekje fisnike. Të qënit të ashpër ndaj autorëve të krimit është një nga anët e medaljes. Ana tjetër e saj është të identifikojmë shkaqet që çojnë në këto probleme. Sot ne kemi nevojë që të përmirësojmë dhe forcojmë modelet që ndikojnë në përmirësimin e identitietit të këtyre faktorëve që parashikojnë shkallën e konsumit të lëndëve narkotike si edhe situatën e fëmijëve në situatë rruge brenda të gjithë territorit të Bashkisë Elbasan. Me rëndësi është edhe  mirëfunksionimi i Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, në Bashkinë Elbasan. Ky mekanizëm ka dhënë një mesazh të qartë se adresimi i çështjeve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje është prioritet dhe detyrim ligjor për të gjitha institucionet në nivel vendor. 

Janë një sërë hapash që duhet të ndërrmarim në terma afatshkurtër dhe afatgjatë.  

Realizimi i nivelit të rrezikut të përfshirjes së të rinjve në abuzimin e lëndëve narkotike, është e natyrshme të marrim natyrën dhe shtrirjen e modeleve të tendencave të abuzimit të lëndëve narkotike. Të kuptojmë kulturën e komunikimit dhe si ajo kulturë ndikon dhe ndikohet nga abuzuesit me abuzimin me drogën. Të konsultohemi me liderët e komuniteteve dhe Organizatat e Shoqërisë Civile, të cilat punojnë për parandalimin e abuzimit me drogën, shendetin mendor, dhe fusha të ngjashme me këto. Ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e komunitetit për problemet. Të identifikojmë probleme të ndryshme shoqërore . Të identifikojmë përpjekjet egzistuese, parandaluese që janë duke u zhvilluar për të adresuar problemin. Sa i përket trajtimit të rasteve të fëmijëve në situatë rruge, ne kemi menaxhuar dhe kemi zgjidhur problematikat e fëmijëve në rrugë, si edhe familjet e tyre, duke i siguruar pa pagesë kopshtet dhe çerdhet, por kemi siguruar edhe bonusin e qerasë për familjet në nevojë, me ndihmën e biznesit dhe Dhomës së Tregëtisë kemi siguruar punë, për ato punëkërkues. Sa i përket trajtimit të rasteve të fëmijëve, duhet të përmend angazhimin maksimal dhe marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge. Sa i përket konsumimit të lëndëve narkotike, kemi ngritur strukturat komunitare, duke angazhuar edhe kryepleqtë e lagjeve, kemi pasur një ndihmë shumë të madhe të Shoqërisë Civile, dhe OJQ, por përsëri është e nevojshme që ndërlidhësit tanë komunitarë të kenë një pasqyrë të qartë të terrenit të banorëve që jetojnë në terren por edhe problematikat e ndryshme që mund të kenë banorët. Me qëllim ngritjen e një strategjie të qartë  se si ne do të vijojmë gjatë vitit 2022 por edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që ne të identifikojmë dhe marrim masat për këtë fenomen. Është detyra jonë themelore, që të parandalojmë dhe të kuptojmë fenomenet pse të rinjtë  tanë shkojnë drejt këtyre veseve. Ne si institucion nuk mund të jemi indiferentë ndaj këtyre fenomeneve. Në takimin e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike u prezantua projekti i qeverisë Britanike i cili do të zbatohet në partneritet midis Bashkisë Elbasan dhe grupi Palladium, me qendër në Londër. Ky projekt synon parandalimin e angazhimit të të rinjve në krimin e organizuar, ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe anëtarëve të KVSP-së si edhe zhvillimin e përforcimin e partneriteteve të mëtejshme. Në zbatim të VKM Nr. 327, datë 2.6.2021 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, si dhe procedimin e tij për mbështetjen e rehabilitimin e viktimave të dhunës” nënshkruam, së bashku me të gjithë anëtarët e mekanizmit, marrëveshjen e bashkëpunimit. 

Më shumë gjelbërim, pastërti, dhe investime në lagjen ” Vullnetari” 

Lagjja “Vullnetari” është kthyer në pjesë e një transformimi të ri urban që pas rikonstruksionit të rrugëve kryesore, tani do të rehabilitohen sheshet e pallateve duke u shndërruar në hapësira të gjelbra e pushimi për banorët e saj. Krahas investimeve që janë kryer në këtë lagje e cila edhe pse është pjesë e qytetit, është cilësuar si periferike, tashmë Bashkia ka nisur aksionin për mbjelljen e 50 fidanëve të rinj dekorativ si edhe po krijohet edhe këndi i pushimit për banorët e lagjes. I pranishëm në këtë aksion të pastrimit të lagjes ” Vullnetari” ka qenë edhe kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja, i cili edhe një herë e vuri theksin tek investimet që janë kryer, por duke i dhënë një prioritet të veçantë ambjenteve të pastra në qytet. ”  Para pak kohësh kemi investuar në shtrimin e rrugëve në lagjen ” Vullnetari” , dhe tashmë edhe me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, për pastrimin. “Të mbash pastër qytetin, nuk është vetëm çështje e Pushtetit Vendor, por është e çdo qytetari. Të gjithë bashkë të kujdesemi për pastrimin e ambjenteve të përbashkëta. Është hera e dytë që brenda një kohe shumë të shkurtër në këtë lagje janë mbjellë pemë dekorative. Siç u premtua një vit më parë banoreve te lagjes  ” Vullnetari” pas sistemimit te kanalizimeve nentokesore ne rrugen ” Zekie Krasta” ka nisur shtrimi i shtresave asfaltike. Në sinkron me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, në këtë lagje në rrugën ” Zekie Krasta” një tjetër investim po realizohet nga Bashkia e Elbasanit. Ka nisur tashmë investimi për shtrimin me asfalt të rrugicave dhe rrugëve  të kësaj lageje, kërkesë e vetë banorëve. Janë rreth 100 banorë të kësaj lageje që përfitojnë nga investim, i cili nuk ishte kryer që nga vitet ‘ 90. Së shpejti në lagjen ” Vullnetari”  do të ndërtohet edhe një ambulancë e re.  Veç zëvëndësimit të pemëve të dëmtuara, janë mbjellë edhe 50 pemë të reja decorative, duke e kthyer këtë bllok pallatesh të lagjes ” Vullnetari” në një lulishte e cila frekuentohet jo vetëm nga të moshuarit por edhe  fëmijët. Gjithashtu Bashkia e Elbasanit ka nisur investime edhe në shumë fshatra të Njesive Administrative.