Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Korrik 2023

Rritja e sigurisë në komunitet:

 OSBE e cilëson  Këshillin Publik të Sigurisë Vendore Elbasan model për bashkitë e tjera në vend

“Elbasani ka Këshillin e parë dhe më të mirë Publik të Sigurisë Vendore në vend, krijuar me mbështetjen  e prezencës së OSBE -së në vitin 2016. Përvoja e tij mund të shërbejë si model për bashkitë e tjera për rritjen e sigurisë në komunitet”.

Ky është edhe vlerësimi i dhënë nga prezenca e OSBE -së në vendin tonë, gjatë një seminari organizuar  për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit.

 Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet.

“Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias.

Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit.

Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”.

FJALA E KRYETARIT TË BASHKISË ELBASAN Z. GLEDIAN LLATJA

Kam kënaqësinë të falenderoj prezencën e OSBE për mbështetjen e këtij seminari me pjesëmarrje nga Bashkia Cërrik, Gramsh dhe Lushnjë me qëllim njohjen dhe shkëmbimin e përvojës së ngritjes së mekaniymit të Këshillit Vendor të Sigurissë Publike Elbasan.

Jam i vetëdijshëm se është e pamundur që një përvojë e tillë të jepet në një ditë të vetme. Megjithëse ne jemi siguruar që ju të merrni më të mirën nga ky seminar dhe për këtë arsye jemi përqendruar në disa problematika  duke prezantuar përpara jush edhe qasjen tonë për zgjidhjen e tyre.

Bazuar në përvojën e katër viteve të mandatit tim të parë kuptova se bashkëpunimi ndërinstitucional, me shoqërinë civile dhe me qytetarët është jetik për të qenë të suksesshëm në punën tonë.

Gjithashtu, kam kuptuar se ne duhet të angazhohemi për rritjen e kohezionit social dhe të vlerësojmë me seriozitet nevojat dhe zërat gjithësecilit.

Nuk ka sfidë më të madhe me të cilën përballemi ne sot se sa ajo e sigurisë. Njëkohësisht, të jesh kryetar i një bashkie do të thotë të përballesh me shumë sfida të ndërlikuara.

Që prej themelimit të tij ky mekanizëm ka sjellë ndryshime domethënëse në të kuptuarit e përbashkët të problematikave të lidhura me sigurinë;

në rritjen e partneritetit midis aktorëve publikë dhe shoqërisë civile; si edhe

ndërtimin dhe fuqizimin e besimit midis institucioneve publike e jo publike dhe komuniteteve lokale.

Në këtë mënyrë ne kemi ndërtuar një mjedis gjithëpërfshirës që lejon partneritet, bashkëpunim, të kuptuar të përbashkët të natyrës së kërcënimeve dhe qasjeve më të përshtatshme për t’i adresuar ato, si edhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në funksion të rritjes së cilësisë së jetesës.

Në mbyllje të fjalës time më lejoni të shpreh bindjen e plotë se nëpërmjet diskutimeve të përbashkëta ne do të adresojmë disa prej shqetësimeve, sfidave por edhe mundësive që shtrihen drejt së ardhmes.

Shpresoj se ky seminar do t’u mundësojë pjesëmarrësve jo vetëm që të njihen me këtë mekanizëm, por edhe të krijojnë ura komunikimi dhe bashkëpunimi me profesionistët e institucioneve publike dhe atyre të organizatave të shoqërisë civile”.

KVSP është një mekanizëm që mundëson shenjëstrimin e shqetësimeve reale të publikut të përcjella në KVSP përmes burimeve të ndryshme.

Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.

Ceremonia e diplomimit të maturantëve: Llatja- E ardhmja e rinisë është në vendin e tyre

Për herë të parë në Elbasan me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja është organizuar ceremonia e diplomimit të maturantëve të qytetit.

Qindra maturantë mes emocionesh mbushën kalanë e Elbasanit ndërsa shprehën mirënjohje për mësuesët e tyre, prindërit e padyshim për Bashkinë e Elbasanit e cila çdo ditë e më shumë punon për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, jetës në qytet dhe ka një vëmendje të shtuar në angazhimin e të rinjve në vendimmarjet e rëndësishme.

Në ceremoninë e diplomimit të maturantëve të Elbasanit morën pjesë Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, Sekretari i Përgjithshëm i PS Z. Damian Gjiknuri, deputetë, mësues, prindër, miq e të ftuar të veçantë të maturantëve.

Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Z. Llatja uroi maturantët për tejkalimin me sukses të sfidës së tyre të parë, duke i ftuar të zgjedhin me zemër dhe përgjegjësi, tashmë si të rritur, rrugën e tyre të jetës.

“Ju jeni e ardhmja e këtij qyteti, tha Llatja, mes jush janë mjekët e rinj, inxhinierët, mësuesët, juristët, politikanët, pikërisht këtu është e ardhmja e qytetit të Elbasanit. Unë jam i bindur se ju nuk do ta braktisni këtë qytet, por do të punoni me dashuri dhe pasion për ta zhvilluar më tej.

Pikërisht angazhimi dhe puna jonë e përditshme synon të krijojë një vend më të mirë për ju, një të ardhme më të mirë, mision të cilin ju takon ju ta vijoni më tej” vijoi Llatja.

Ministrja e Arsimit Znj. Evis Kushi teksa uroi maturantët, mësuesët dhe prindërit, falenderoi Bashkinë e Elbasanit për këtë organizim i cili pritet të kthehet në traditë.

“Ju jeni frymëzim, tha Kushi, jeni pikërisht motivi për të cilin ne punojmë çdo ditë.

Jam e bindur që në rrugëtimin tuaj, më të rëndësishëm tashmë, do të dini të ktheni kokën pas dhe të mos harroni qytetin tuaj, por të punoni dhe të kontribuoni për të.

Ju ftoj që në zgjedhjen tuaj të vlerësoni universitetet shqiptare të cilat tashmë ofrojnë diploma njësoj si universitetet prestigjoze europiane.

Gjithashtu jam e bindur që do të përfitoni nga programet prioritare duke përfituar edhe pagesë mujore sa paga minimale. Programet e shpallura prioritet kombëtar e kanë të garantuar tregun e punës dhe ju do të dini të zgjidhni me mençuri” shtoi ndër të tjera Kushi.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Z. Damian Gjiknuri ftoi të rinjtë të ndjekin zemrën dhe instiktet e tyre si rruga e vetme për të qenë të suksesshëm.

NJOFTIM PËR KRYERJEN E PROÇEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË BANESAVE SHTETERORE

PËR KRYERJEN E PROÇEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË BANESAVE SHTETERORE SIPAS VKM-së Nr.179, datë 26.02.2020

      Në zbatim të VKM-së nr.179 datë 26.02.2020 ” Për Rregullat, Kushtet dhe Proçedurat e Privatizimit të Banesave që Kanë Qenë Subjekt i Ligjit nr.7652 datë 23.12.1992,”Për Privatizimin e Banesave Shtetërore”, dhe të ligjit nr.9321 datë 25.11.2004,”Për Privatizimin e Banesave dhe Objekteve të kthyera në Banesa, të ndërtuara me fondet e Shoqërive dhe të Ndërmarrjeve Shtetërore”,( i ndryshuar ) njoftohen qytetarët që posedojnë banesa ose objekte të kthyera në banesa të ndërtuara nga shteti, të cilat vijojnë të jenë në pronësi të shtetit e rezultojnë të paprivatizuara dhe të pa regjistruara në regjistrin kadastral të pasuri vetë paluajtshme, kur këto banesa:

a) kanë qenë objekt privatizimi sipas ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, por kanë mbetur pa u privatizuar nga familja që e ka poseduar me kontratë qiraje me ish-ndërmarrjet komunale banesa;

b- janë banesa të ndërtuara deri në 31.12.1999 dhe  kanë qenë objekt privatizimi sipas ligjit nr.9321, datë 25.11.2004 “Për privatizimin e banesave dhe objekteve, të kthyera në banesa me fondet e  shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore”, të paraqesin brenda 90 ditëve kërkesën për fillimin e proçedurave të privatizimit  të banesës pranë Bashkisë Elbasan nga:

a- Subjekti i pajisur me autorizim nga organet kompetente, ose në rast vdekjeje të trashëgimtarëve të tij;

b- Çdo person i autorizuar me prokurë nga subjekti i përcaktuar më lart.

  • Kërkesa duhet të përmbajë :

i)   Të dhënat personale të subjektit kërkues.

ii)  Të dhënat lidhur me banesën ose objektin e kthyer në banesë.

iii) Datën e kërkesës dhe nënshkrimin e kërkuesit.

  • Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:

i)  Kontrata e qirasë, akti i dhënies dhe i marrjes në dorëzim të banesës nga ish-ndërmarrja komunale banesa, ose autorizim nga ish-organet administrative publike që e kanë strehuar në atë banesë.

ii)  Çertifikatë familjare e datës 1.12.1992 dhe çertifikatë aktuale familjare.

iii) Dëshmi e trashëgimisë, nëse ka ndërruar jetë subjekti i pajisur me autorizim.

      iv) Prokurë nëse personi është ngarkuar për të kryer veprimet nga subjekti i pajisur me  

autorizim.

v)  Dokument identifikimi i kërkuesit.

Aplikimi mund të paraqitet në rrugë postare, me adresë :Bashkia Elbasan, Lagjja“ Luigj Gurakuqi”, Rruga “ 11 Nëntori”, ( ish-konvikti i shkollës Pedagogjike) Elbasan ose pranë Zyrës së Informacionit me Një Ndalesë, Bashkia Elbasan, brenda afatit të mësipërm.

Shënim:

Gjithashtu njoftohen të gjithe subjektet që kanë paraqitur kërkesë në Bashkinë Elbasan, për përfundimin e procedurës së privatizimit përpara daljes së këtij njoftimi, të paraqiten në Bashkinë Elbasan, për vijimin e proçedurave, sipas korrespondencave shkresore përkatëse dhe ndryshimeve ligjore aktuale. 

Ju faleminderit !