Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 2 Maj 2024

PASARDHËSIT E AUTORIT TË ABETARES SË PARË SHQIPE NË KOSOVË MEHMET GJEVORI, FIRMOSIN NËNSHTETËSINË SHQIPTARE

Pasardhësit e autorit të Abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori, janë betuar përpara Kushtetutës së Shqipërisë, duke firmosur kështu nënshtetësinë shqiptare.

Kjo ceremoni modeste është kryer në zyrën e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja i cili ishte i pranishëm në betimin e Shkëlzen Gjevori dhe vajzës së tij Ermira Hatipi (Gjevori).

Për kreun e bashkisë “ky moment ishte një emocion i veçantë, që djali dhe mbesa e Mehmet Gjevori, një prej personaliteteve të qytetit të Elbasanit, pishtar i devotshëm i arsimit shqiptar, që ia kushtoi jetën zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Shqipëri dhe në Kosovë, të jenë qytetarët më të rinj të qytetit të Elbasanit”.

Mehmet Gjevori në vitin 1941 iu përgjigj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi, për të shkuar me shërbim në Kosovë. Ai njihet si autori i Abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë të botuar në vitin 1946 dhe i shumë teksteve shkollore. Mehmet Gjevori i lindur në Elbasan shërbeu në Kosovë për plot 67 vjet duke ia kushtuar të gjithë jetën e tij zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë.

“Falënderojmë Shkëlzenin dhe Ermirën që sot iu bashkuan qytetit të tyre të origjinës, duke mbetur shpresëplotë për kontributin e tyre për këtë qytet ashtu sikundër edhe familjarët e tyre”, shtoi Llatja.

Në Kosovë Mehmet Gjevori nderohet edhe sot si babai i abetares shqipe, por edhe si mësuesi i mësuesve shqiptarë në Kosovë. Ai ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare dhe prehet në varrezat e Prishtinës.