Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 20 Maj 2024

Bum turistësh në Llixha, emigrantët po rikthehen duke hapur bizneset e tyre

Llixhat kurative të Elbasanit po përjetojnë një bum të paprecedentë turistësh këtë sezon, duke sjellë një gjallërim të ndjeshëm të ekonomisë lokale. Kjo rritje e numrit të vizitorëve ka nxitur një lulëzim të bizneseve në zonë, dhe shumë vendas që kanë jetuar jashtë po rikthehen për të shfrytëzuar pasuritë natyrore të vendit të tyre.

Një nga këta është Landi, i cili sapo është kthyer nga Anglia për të marrë në menaxhim një biznes familjar në Llixhat e Elbasanit. Me praktikat e tij të reja dhe moderne të menaxhimit, Landi shpreson të sjellë një frymë të re në zhvillimin e turizmit në këtë zonë të veçantë.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledia  Llatja në një takim të fundit me Landin, e përshëndeti këtë nismë dhe theksoi rëndësinë e turizmit kurativ në rajon. “Këto janë modelet e mira që sjellim ne dhe që duhet të ndjekin ata që kanë jetuar jashtë vendit. Është një frymë e re për zhvillimin ekonomik të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë,” tha kryetari.

Biznesi i hapur rishtaz ofron një paketë të plotë shërbimesh me çmime konkurruese, duke filluar nga 40 euro për dhomë, ku përfshihen ushqimi, fjetja dhe trajtimet me baltë. Ato përfaqësojnë një destinacion unik për turistët që kërkojnë shërbime kurative dhe relaksim në një mjedis natyror, si edhe një pishinë të hapur termale.

Kryetari i Bashkisë z. Llatja garantoi mbështetje të plotë për të gjitha iniciativat e reja dhe sfidat që mund të hasen, duke uruar suksese në nismën e Landit dhe duke shprehur besimin se kjo do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit.

Administratori i kthyer nga emigrimi nga ana e tij, falënderoi për besimin dhe mbështetjen e treguar, dhe premtoi që do të angazhohet maksimalisht për të ofruar shërbime sa më cilësore dhe natyrale për klientët e tij. Llixha, kjo qendër kurative  shërben si një zonë dhe territor turistik. Burimet termale dhe vlerat kurative të baltës në këto llixha janë përdorur prej shumë kohësh.