Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2024

Kryeministri Edi Rama në Elbasan/ Me arsim profesional puna e garantuar

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Elbasani se arsimi profesional është instrumenti i garancisë që fëmijët e shqiptarëve të mos mbeten pa punë.

I shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja, Rama ka vizituar Shkollën Profesionale të qytetit të Elbasanit ku aktualisht studiojnë 1400 nxënës dhe ku është shprehur se po thyhet mentaliteti që shqiptarët kanë pasur kryesisht ndaj arsimit profesional.

Kryeministri Rama vlerësoi se këto shifra optimiste flasin për thyerjen e mentalitetit se arsimi profesional është i kategorisë së dytë.

“Lajmi i mirë është se po thyhet mentaliteti se arsimi profesional është kategori e ulët. Arsimi profesional është garanci absolute për të pasur një instrument në dorë që të mos ngelet pa punë. Po ashtu kush bën arsim profesional nuk e ka të mbyllur derën e universitetit, por ndryshe nga ata që mbarojnë arsimin e përgjithshëm ka edhe një zanat që edhe e përdor për të punuar gjatë universitetit apo pas universitetit për të bërë sipërmarrjen e vetë”, shtoi Rama.

Sipas kryeministrit, është një ndryshim i madh edhe për faktin se sipërmarrjet tani nuk kanë ku shkojnë pa punonjës të kualifikuar, ndaj duhet ta kuptojnë se duhet paguar puna ashtu si e meriton.

“Tani pagat janë rritur dhe nevoja për punonjës të kualifikuar është bërë alarmante. Të gjithë ata që synojnë në arsim profesional e kanë të garantuar se do të gjejnë punë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se ndikim ka edhe faktori i rritjes ekonomike.

“Ekonomia rritet dhe rritet nevoja për punonjës të kualifikuar sidomos në fushën e teknologjisë. Me aftësi në teknologji ti punësohesh jashtë shtetit pa lëvizur nga shtëpia dhe merr paga që janë shumë të larta në varësi të asaj që ti ofron. Janë 17-18 vjeç që i kanë pagat sa gjithë familja bashkë”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “kur pranojnë të bashkëpunojnë me sipërmarrës në shkelje të ligjit dhe të deklarohet një pagë më e ulët dhe një pjesë tjetër të merret nën dorë për të mos paguar sigurimet shoqërore, faktikisht i japin sipërmarrësit mundësinë që padrejtësisht të marri nga pensioni i gjyshes dhe i gjyshes”.

“Sigurimet shoqërore që secili e paguan për pensionin e vetë, aktualisht shkojnë në arkën e sigurimeve shoqërore dhe paguhen pensionet. Në këtë pikë duhet të kemi shumë më tepër vetëdije dhe të vendosim barrikadën që ‘pagën e dua të plotë, të pastër me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sepse pastaj është e kotë të kërkohet rritja e pensioneve. Kjo ndodh kur të gjithë bashkë kontribuojmë për sigurimet shoqërore”, shtoi Rama.

Shkolla profesionale e Elbasanit ka një larmi programesh studimi që i përgjigjen nevojave të tregut të punës; si TIK, Hoteleri-Turizëm, Ekonomi Biznes, Termohidraulike, Tekstil Konfeksione, Shërbime Mjete Transporti, Mekanikë, Elektroteknikë etj. Ajo po zbaton dhe Sistemin Dual, ku aktualisht janë rreth 300 biznese që ofrojnë praktikë mësimore për të gjithë nxënësit.

Ekipet e ASHP vazhdojnë punën për pastrimin e qytetit

Ekipet e ASHP janë të angazhuara çdo ditë për të përmirësuar pastërtinë dhe gjelbërimin e qytetit tonë.

 Me përkushtim maksimal, ato po vijojnë pastrimin e rrugëve, shesheve dhe parqeve publike, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të pastër e të shëndetshëm për të gjithë qytetarët. ✂🌳🌼 Me mbjelljen e bimëve dekorative, krasitjen e pemëve dhe pastrimin e zonave të gjelbra, ne sigurojmë që qyteti të jetë një hapësirë e bukur dhe e pastër për këdo.

Kjo përpjekje është pjesë e angazhimit tonë për një mjedis më të mirë dhe më të qëndrueshëm.

Londër – Në workshopin “GEF EBRD Electric Mobility”

Bashkia Elbasan është bërë pjesë diskutimeve në selinë e BERZH-it, ku bashkë me ekspertë nga e gjithë bota u trajtua thelbësisht çështja për eksplorimin e mënyrave dhe rritjes së nvestimeve të lëvizshmërisë elektrike.

Delegacioni shqiptar mori pjesë në Panelin Kombëtar të Projekteve të Lëvizjes Elektrike të GEF, duke ndarë njohuritë kryesore mbi nismat tona të lëvizshmërisë elektrike për zgjidhje të qëndrueshme lëvizshmërie dhe për të ndërtuar një të ardhme më të gjelbër për komunitetet tona!

NJOFTIM – Shtyhet afati i thirrjes për shpreje interesi (Bashkia Elbasan) – Projekti: Barazi dhe Transparencë në Ndërhyrjet e Infrastrukturës Shkollore

NJOFTIM – Shtyhet afati i thirrjes për shpreje interesi (Bashkia Elbasan) – Projekti: Barazi dhe Transparencë në Ndërhyrjet e Infrastrukturës Shkollore.
Afati i ri për dorëzimin e aplikimeve është data 16.09.2024

Europartners Development, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, në kuadër të projektit “Për Barazi dhe Transparencë në Ndërhyrjet e Infrastrukturës Shkollore”, financuar nga USAID/Albania dhe zbatuar nga UNICEF Albania, kërkon të kontraktojë shoqëri të liçencuara në fushën e studim-projektimi për të hartuar projektin e plotë për:

  • Rikonstruksioni i Shkollës Dhaskal Todri;
  • Rikonstruksioni i Shkollës Ahmet Dakli;
  • Rikonstruksioni i Shkollës Sulë Misri;
  • Rikonstruksioni i Shkollës Shushicë;
  • Rikonstruksioni i Shkollës Vasil Kamami;
  • Rikonstruksioni i Shkollës Anastas Çakalli;
  • Rikonstruksioni i Shkollës Abdyl Paralloi.

Të gjithë palët e interesuara mund të informohen në detaje mbi këtë Kërkesë për Shprehje Interesi, afatet e parashikuara si edhe kriteret e pjesëmarrjes e vlerësimit, duke klikuar në linkun më poshtë:

Shkolla “Onufri” mirëpret vitin e ri shkollor me investime të reja, Llatja dhe Mazniku urojnë nxënësit

Viti i ri shkollor ka nisur në të gjitha shkollat e qytetit të Elbasanit. Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë gjithë vitit, janë angazhuar të gjitha nivelet dhe sektorët e arsimit.

Për herë të parë këtë vit, shkolla artistike “Onufri” do të zhvillojë një proces mësimor në kushte komode dhe me standarde të reja, falë një investimi të kryer nga Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Në këtë kuadër, kreu i Bashkisë, z. Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku së bashku me deputetët e Elbasanit, zgjodhën të urojnë nxënësit e kësaj shkolle, e cila është transformuar në një godinë moderne për artistët e rinj të qytetit. Gjatë fjalimit të tij, z. Llatja uroi nxënësit, mësuesit dhe prindërit për vitin e ri shkollor, ndërsa një urim të veçantë e bëri për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ai theksoi rëndësinë e investimit në shkollën “Onufri”, duke shtuar ambiente të reja dhe modernizuar ato ekzistuese.

“Jo të gjitha shkollat janë si ‘Onufri’, por ne po përgatitemi që shumë shpejt të përfundojmë edhe shkollën ‘Kostandin Kristoforidhi’. Kur kemi ardhur para dy vitesh në këto ambiente, mësuesit dhe artistët kërkonin vetëm një gjë: të investonim në ‘Onufri’, pasi kjo shkollë është baza e artit në Elbasan. Sot ju uroj suksese dhe i nxis mësuesit për përkushtim të plotë, që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë,” tha z. Llatja.

Një urim për fillimin e vitit të ri shkollor ka dhënë edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, i cili sapo është emëruar drejtues politik i qarkut të Elbasanit.

“Kjo shkollë është e jashtëzakonshme, jo vetëm për ambientet e saj, por më të suksesshme e bëjnë mësuesit dhe nxënësit e saj. Në këtë shkollë mund të kemi talente si Dua Lipa apo Ermonela Jaho e ardhshme, që do të na zbardhin faqen jo vetëm në Elbasan, por në mbarë Shqipërinë. Detyra jonë, si Bashki dhe Ministri, ka qenë të krijojmë kushte të mira për mësim, dhe Bashkia e ka përmbushur detyrën e saj. Por suksesi më i madh është ai që do të vini ju, duke arritur rezultate të larta,” theksoi z. Mazniku.

Në ambientet e shkollës “Onufri” u zhvillua gjithashtu një ekspozitë nga artistët e shkollës, si dhe një koncert festiv.

Drejt përfundimit punimet në rrugën “Arif Dardha”, transformimi nga zonë informale në standardet urbane

Punimet për rikonstruksionin e rrugës “Arif Dardha” po i afrohen përfundimit, duke e kthyer këtë zonë nga një hapësirë informale në një lagje të plotë urbane. Gjatë një inspektimi të punimeve, kreu i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e këtij investimi që transformon rrënjësisht infrastrukturën e lagjes.

Z. Llatja theksoi se për shumë vite kjo rrugë vuante nga mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të pijshëm, ishte e ngushtë dhe ndërhyhej vetëm me shtrime provizore me çakull. “Sot, kemi transformuar një zonë tërësisht informale në një rrugë me të gjitha standardet urbane. Janë shtruar kanalizimet e ujërave të zeza dhe të pijshëm, është zgjeruar rruga me trotuare dhe sistem ndriçimi, duke e bërë atë lehtësisht të qarkullueshme për mjetet”, tha ai.

Gjithashtu, një pjesë e punimeve përfshinë dhe ndërtimin e mureve rrethuese për shtëpitë që më parë ishin të rrethuara me gardhe të improvizuara. “Banorët kanë bashkëpunuar dhe e kemi kthyer këtë rrugë në një standard të plotë urban, duke transformuar edhe oborret e tyre,” shtoi Llatja.

Drejtuesi politik Damian Gjiknuri vlerësoi punën e kryer, duke thënë se ky investim përmbush premtimet e dhëna dhe është një tregues i qartë i përkushtimit të Bashkisë Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës edhe pas fushatës zgjedhore. Ai falënderoi ekipin e bashkisë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm.

Banorët e zonës shprehën mirënjohjen e tyre për këtë ndërhyrje, duke theksuar se është hera e parë pas më shumë se 30 vitesh që një projekt ka transformuar lagjen e tyre.

Bashkia Elbasan intensifikon përgatitjet për vitin e ri shkollor

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia Elbasan ka filluar një fushatë të gjerë pastrimi dhe mirëmbajtjeje në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat e qytetit.

Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike (ASHP) janë angazhuar me intensitet në punime që përfshijnë pastrimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, mirëmbajtjen e infrastrukturës, si dhe krijimin e kushteve sa më të mira për të mirëpritur nxënësit dhe stafin pedagogjik.

Nëpërmjet kësaj nisme, synohet jo vetëm të garantohet një fillim i mbarë i vitit të ri shkollor, por edhe të krijohen standarde më të larta higjieno-sanitare për institucionet arsimore të qytetit.

Krahas pastrimit, gjithashtu po kryhen kontrolle për sigurinë dhe funksionalitetin e pajisjeve dhe sistemeve të ngrohjes, për të siguruar që çdo institucion arsimor është gati për sezonin e ri shkollor dhe dimrin që po afron.

 Ky proces do të vazhdojë deri në ditën e parë të shkollës, duke siguruar që të gjitha institucionet të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme për fëmijët dhe mësuesit e tyre.

Mirënjohje 40 efektivëve zjarrëfikës të cilët në kohë rekord izoluan zjarrrin e rënë në fabrikën e plastikës

Zjarri i rënë në fabrikën e plastikës ditën e sotme rreth orës 14:40 është izoluar plotësisht dhe fatmirësisht nuk pati asnjë person të lënduar.

Për të shuar zjarrin, u angazhuan në terren mbi 10 mjete zjarrfikëse, me ndihmë edhe të bashkive të qarkut si dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Tirana.

Mirënjohje e posaçme për 40 efektivët të cilët me përpjekje të guximshme mundësuam në kohë rekord izolimin e vatrës së zjarrit, duke shpëtuar njëherazi nga dëmtimi edhe fabrikat e prodhimit.

Ndërkohë janë duke u evidentuar dëmet materiale si pasojë e flakëve që përfshinë fabrikën e plastikës, ndërsa situata paraqitet tanimë totalisht në kontroll.