Investime të reja për Rajonin 6, fokus tek rrugët, shkollat dhe zhvillimi ekonomik.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në vijim të turit të konsultimeve për buxhetin afatmesëm, ka zhvilluar një takim me banorët e Rajonit Nr. 6, ku janë diskutuar investimet e realizuara deri më tani, por edhe projektet që pritet të marrin jetë në vitet në vijim.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryebashkiaku Llatja u ndal tek puna e bërë në lagjet e këtij rajoni, duke theksuar ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës në rrugët problematike si edhe formalizimin e zonave informale.
Ai theksoi se, megjithëse është bërë shumë punë, nevojat e komunitetit mbeten të shumta dhe investimet do të vijojnë.
Një nga projektet më të rëndësishme të prezantuara ishte hapja e rrugës së re që lidh zonën e Teqes me unazën kryesore të qytetit, e cila do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin. Gjithashtu do të vijojë investimi në segmentin nga “Vasil Papamihali” drejt qendrës kryesore pranë Teqes, një aks i konsideruar me rëndësi për banorët e zonës.
Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se paralelisht do të vazhdojnë investimet në arsim, ku vetëm gjatë këtij viti Bashkia Elbasan po investon mbi 1 milion euro në katër shkolla të qytetit, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor.
Një tjetër fokus i diskutimit ishte edhe projekti i Kalasë së Elbasanit, i cili sipas Llatjas pritet të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik lokal dhe turizmin. Ai e cilësoi kalanë si një nga asetet më të rëndësishme të qytetit për tërheqjen e vizitorëve dhe zhvillimin e biznesit lokal.
Në takim u diskutua edhe mbi ecurinë e projektit të Auto Moto Parkut, ku aktualisht po përfundon infrastruktura dhe po mbyllet unaza lidhëse që do të krijojë akses direkt me zonën e “Borodin Mitarja”, ose lagjen e kinezëve dhe dalje drejt Urës së Lizës.
Banorët e Rajonit Nr. 6 ngritën gjithashtu shqetësime dhe sugjerime për problematikat e zonës, ndërsa kryebashkiaku garantoi se konsultimet për buxhetin afatmesëm do të vazhdojnë në çdo rajon të qytetit, me qëllim që investimet të jenë sa më pranë nevojave reale të komunitetit.