NATA E VERËS/ QINDRA QYTETARË PRESIN DITËN E VERËS NË SHESH, ME KONCERT DHE FISHEKZJARRE
Një natë plot ngjyra dhe jetë, gumëzhima e festës së natës së Verës është ndjerë në të gjithë qytetin, por edhe në rrethinat e tij.
Nata e Verës, ka mbushur qytetin e Elbasanit si rrallë herë më parë.
Nën tingujt e muzikës së këngëtarëve të njohur si, Yong Zerka, Treshat Alandy, Valbona Ostreni, DJ Sylvester në sheshin “Gensher” me qindra qytetarë nga Elbasani, por edhe nga mbarë vendi, deri nga Saranda kanë shijuar këtë natë, e cila do t’i mbesë gjatë në kujtesë.
Të rinjtë, por jo vetëm që kishin mbushur thuajse të gjithë sheshin e qytetit, nga teatri “Skampa”, deri tek “1 Maji” kanë kërcyer e kënduar duke e pritur ditën e verës në qendër të qytetit.
Elbasani, kryeqendra e kësaj feste, ka shijuar natën më të bukur të prag verës, ku variantet për t’u argëtuar kanë qenë të shumta, dhe me një atmosferë të këndshme, një dekor i parapërgatitur nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë z. Gledian Llatja, i cili nga viti në vit, po e transformon këtë festë të dëshiruar nga i gjithë vendi.
Është bërë zakon tashmë që dita e verës të pritet në qendër të qytetit, ku nuk mungoi edhe spektakli i fishekzjarreve shumëngjyrëshe dhe me forma lulesh pranvere që mbushën qiellin e Elbasanit.
Por, pas natës vjen dita, me shumë surpriza të rezervuara nga bashkia e Elbasanit, ku nuk do të mungojnë aktivitetet për të shënuar kështu, rekordin e festimeve në mbarë vendin vetëm për këtë ditë.
Kjo natë vuri në gadishmëri të gjithë efektivat e Policë së shtetit dhe asaj bashkiake, asnjë incident nuk u shënua, duke respektuar festën pagane, të shumë pritur për Elbasanin.
Miqtë e ardhur nga vendi por edhe nga trojet shqipfolëse, u akomoduan në hotelet e qytetit dhe të periferisë, si edhe tek të afërmit e tyre të ftuar posaçërisht për të festuar në Elbasanin e luleve, kulturës, dhe ruajtjes së vlerave të foklorit.