Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje në Shirgjan dhe Gjergjan: Banorët parashikojnë prioritetet për vitin 2025

Në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, banorët e Njësive Administrative Shirgjan dhe Gjergjan kanë prezantuar kërkesat dhe prioritetet e tyre për vitin 2025. Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, morën pjesë në takime me komunitetin, duke diskutuar investimet e realizuara gjatë vitit 2024 dhe planet për të ardhmen.

Shirgjan, u vlerësuan disa nga investimet e realizuara, si asfaltimi i rrugëve në fshatrat Mjekës, Kuqan dhe Shirgjan, rikonstruksioni i shkollës në Mjekës, dhe ndërtimi i këndit sportiv në Bujqes. Po ashtu, u përmend pastrimi i përroit të Llixhës dhe vendosja e ndriçimit publik. Banorët falënderuan për përmirësimet e kryera, por ngritën kërkesa për ndriçim shtesë, rikonstruksion të urave dhe rrugëve, si dhe për zgjidhjen e problematikës së kolektorit Kuqan-Buqës-Jagodinë. Asim Sula siguroi se përmirësimi i infrastrukturës dhe pastrimi i kanaleve do të jetë një prioritet për vitin e ardhshëm, duke premtuar gjithashtu përmirësime në cilësinë e ujit të pijshëm.

Ndërkohë, në Gjergjan, investimet për vitin 2024 përfshinë rikonstruksionin e urës në Zallin e Gostimës dhe pastrimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese. Banorët kërkuan më shumë investime në ndriçimin publik, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, dhe vendosjen e një pritë në autostradë për të shmangur aksidentet.

Në të dy takimet, banorët votuan për prioritetet kryesore që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2025, duke garantuar një transparencë dhe përfshirje më të madhe të komunitetit në procesin e vendimmarrjes. Bashkia Elbasan do të vazhdojë të përqendrohet në zgjidhjen e problematikave të ngritura, duke mbajtur si prioritet infrastrukturën dhe shërbimet publike për zonat rurale.