Vizitë në punishten e skulptorit Vladimir Caridha
Në një vizitë të veçantë në punishtet e skulptorit të njohur Vladimir Caridha në lagjen “Kala” Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, pati mundësinë të njohë më nga afër punimet artizanale të këtij artisti të talentuar. Ky takim u shndërrua në një mundësi për të njohur më nga afër botën krijuese të një artisti që ka lënë një gjurmë të rëndësishme në artin skulpturor të vendit tonë.
Gjatë vizitës, Llatja u impresionua nga gama e gjerë e veprave të Caridhas, të cilat shpalosin mjeshtërinë dhe shpirtin e thellë artistik të skulptorit.
“Vizita në punishtet e Vladimir Caridha është një përvojë që pasuron dhe inspiron,” tha Kryetari Llatja. “Punimet e tij janë më shumë se veprat e artit, ato janë një pasqyrë e thellë e ndjenjave dhe mendimeve që artisti ka për botën. Është një privilegj të shohësh nga afër procesin krijues dhe të njihesh me pasurinë që ai sjell në kulturën tonë.”
Skulpturat e Caridhas, të cilat përfshijnë figura njerëzore dhe abstrakte, janë krijuar me një ndjeshmëri të veçantë për detajet dhe përshkrimin e emocioneve. Secila vepër ka një histori të veçantë dhe është rezultat i një pune të përkushtuar dhe të kujdesshme.
Kryetari Llatja shprehu mbështetje për inisiativat artistike dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në qytetin e Elbasanit. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Bashkisë për të ndihmuar artistët lokalë dhe për të krijuar mundësi për promovimin e arteve në komunitet.
Elbasani ka shumë punime të jashtëzakonshme, të skulptorit Vladimir Caridha, si portreti Ataturkut, Busti i Qemal Stafës, monumenti i arsimit etj.
Vladimir Caridha është një skulptor i njohur dhe shumë i respektuar në Elbasan. Punimet e tij kanë një ndikim të rëndësishëm në kulturën artistike dhe janë një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe kreativitetit. Prej 40 vitesh ai kujdeset profesionalisht për punishten e tij si dhe edukimin artistik të brezave të rinj.