Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Qershor 2024

Elbasani përfitues i investimit prej 13.8 milionë euro nga KFV gjermane për furnizimin e ujit 24 orë

Një investim prej 13.8 milionë euro nga KFV gjermane ka gjetur zbatim në Elbasan me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë në rajonin Nr. 3 dhe në qytetin e Elbasanit.

 Gjatë një inspektimi të vijimit të punimeve, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë Gledian Llatja dhe deputeti i zonës Florenc Spaho, theksuan rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e cilësisë së ujit të pijshëm në qytet, i cili prek jo vetëm linjat kryesore, por edhe ato sekondare dhe terciale.

Kryetari i bashkisë, z. Gledian Llatja, bëri një përmbledhje të punimeve, duke theksuar, se “ne po punojmë me tetë sektorë në qytet, në bashkëpunim me Ujësjellësin, duke marrë të gjitha masat që të mos kemi probleme me qarkullimin e mjeteve aty ku po ndërhyhet. Janë shumë rrugë në të cilat po ndërhyhet në qendër të Elbasanit, për të siguruar ujë 24 orë për qytetarët. Ky projekt, që po ecën me ritme të mira, është mbështetur nga KFV-ja gjermane dhe qeveria shqiptare. Ne po sigurohemi që të gjitha punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe me standardet më të mira.”

 Investimi prek jo vetëm linjat kryesore, por edhe ato sekondare dhe terciale. Ai po kryhet në të gjithë qytetin me qëllim që i gjithë Elbasani të ndjejë ndikimin e tij, me rajonin Nr. 3 që përfiton më shumë nga ky investim. Projektet parashikojnë shtrimin e 2.6 km tubacione kryesore dhe 42.5 km tubacione shpërndarjeje, nga të cilat do të përfitojnë 50 mijë banorë të qytetit.

Z. Llatja shtoi se, “kemi filluar një projekt të cilin e kishim premtuar se do të ecte shpejt. Me investimin e ri, që përfshin standardet më të mira europiane, jemi të sigurt që përveç presionit të mirë për të gjithë banorët, do të kemi edhe prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe një sistem të plotë ndërlidhjeje nga tubacioni kryesor te konsumatori fundor. Projekti po ndërhyhet në të gjitha lagjet kryesore të qytetit dhe synon të sigurojë ujë 24 orë për të gjithë qytetarët e Elbasanit.”

Në këtë kuadër, kryebashkiaku Llatja kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për trafikun disi të rënduar për shkak të punimeve kudo në qytet.

Në bashkëpunim me AKUM, Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve, bashkia e Elbasanit ka edhe një tjetër project me ndihmën e qeverisë shqiptarepor edhe nga donatorë të huaj, për të siguruar ujë 24 orë për të gjithë qytetin.

Drejtuesi i qarkut Damian Gjiknuri duke qenë dëshmitar i zhvillimit të këtij projekti, edhe një herë vuri në dukje faktin se projektet do të vazhdojnë, pasi Elbasani është në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare dhe një nga këto infrastruktura kaq të rëndësishme si uji i pijshëm dhe ujërat e zeza do të jenë në vëmendje të financimeve të vazhdueshme të qeverisë.

“Kam qenë dëshmitar i zhvillimit të projektit në shumë lagje të Elbasanit. Premtimi bazë që qyteti i Elbasanit të ketë furnizim të vazhdueshëm me ujë po realizohet. Ky projekt është vetëm fillimi, dhe financimi nga qeveria shqiptare është siguruar për projekte të tjera në të ardhmen. Ne qëndrojmë pranë qytetarëve në këtë fazë tranzitore, duke u siguruar që përfitimet afatgjata do të jenë të ndjeshme për të gjithë”, tha ai.

Projekti është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të siguruar infrastrukturë moderne dhe furnizim të vazhdueshëm me ujë për qytetarët, duke përfshirë edhe një tjetër projekt që do të zbatohet në Elbasan në të ardhmen.

Njoftim për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

NJOFTIM


Lënda: Njoftim për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Elbasan.

Ju njoftojmë se më datë 10.06.2024  ora 13:00 zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Këshillit në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 4), në sallën e qendrës rinore me këtë rend dite:

  1. Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
  2.  “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB Nr.163 Datë 21.11.2020 “Për dhënien në përdorim me kontratë qeraje të fondit pyjor publik” dhe VKB Nr.124 Datë 26.09.2022 “Për dhënien në përdorim me kontratë qeraje të fondit pyjor publik”
  3. Mbi dhënie në përdorim pa kundërshpërblim, (rinovim kontrate) të disa ambjenteve  të ish konviktit të Shkollës “Onufri”, Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Elbasan sh.a nga Bashkia Elbasan.
  4. Marrje mendimi nga Këshilli Bashkiak për ndryshimin e nivelit të tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm.
  5. Për miratim në parim të dhënies së pëlqimit për shfrytëzimin e pronave shtetërore në Njësinë Administrative Gjinar.
  6. Ndërmarrja e nismës për rishikimin e dokumentit të Planit të Përgjithshëm Vendor, Bashkia Elbasan, me proçedurë të thjeshtuar.

Të ndryshme,

Vo.Komisionet do të mblidhen ditën e mërkurë më datë 06.05.2024 ora 14:00 në ambientet e  Bashkisë Elbasan.

KRYETARI I KËSHILLIT  ELBASAN

LUTFI LALA