Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Prill 2026

Paqe, shpresë dhe solidaritet në këtë festë të shenjtë të Pashkëve

Në këtë ditë të shenjtë, plot dritë dhe besim, Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, së bashku me Aulona Bylykbashi dhe Florenc Spaho, përcollën urimet më të sinqerta për paqe, shpresë dhe solidaritet për të gjithë qytetarët.

Gjatë pritjes festive të organizuar me rastin e Pashkëve në Kishën “Shën Piu X”, u ndanë momente të veçanta reflektimi dhe bashkimi shpirtëror, duke forcuar vlerat e besimit dhe të komunitetit.

Le të shërbejë kjo festë si një frymëzim për më shumë mirësi, dashuri dhe përkujdesje ndaj njëri-tjetrit.

Gëzuar Pashkët!

Ambasadori i OSBE-së pjesë e forumit rinor të organizatës “Ndihma e Weilheim për Shqipërinë”

Një forum rinor me fokus sigurinë publike dhe rolin e të rinjve në parandalimin e dhunës u zhvillua në Elbasan, pranë ambienteve të organizatës Ndihma e Weilheim për Shqipërinë.

Në këtë aktivitet mori pjesë Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe të rinj nga qyteti.

Forumi u zhvillua në një format interaktiv, i drejtuar nga vetë të rinjtë dhe aktorëve institucionalë, duke synuar nxitjen e dialogut mbi çështje të sigurisë, veçanërisht ndërgjegjësimin për armët e lehta dhe të vogla, si dhe përmes një sesioni të hapur pyetje–përgjigje dhe reflektimi, që inkurajoi pjesëmarrjen aktive dhe shkëmbimin e drejtpërdrejtë të mendimeve mes të rinjve dhe përfaqësuesve institucionalë.

Aktiviteti përfshiu ekspozita artistike, prezantime videosh ndërgjegjësuese dhe diskutime të hapura mes pjesëmarrësve.

NJOFTIM: DREJTORIA E TAKSAVE, TARIFAVE VENDORE DHE TREGJEVE

Drejtoria e Taksave, Tarifave Vendore dhe Tregjeve, Bashkia Elbasan njofton se me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e deyrimeve tatimore….të pagueshme në doganë”, tatimpaguesit tashmë kanë një mundësi për të lehtësuar dhe mbyllur detyrimet vendore të prapambetura. 

KONKRETISHT:

         Fshihen plotësisht: Detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31.12.2014.

         Lehtësohen detyrimet për periudhën 2015-2019, si më poshtë:

a)         Shuhet 50% e taksës/tarifës vendore nëse pjesa e mbetur 50% e taksës/tarifës paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.06.2026.

b)         Shuhet 25% e taksës/tarifës vendore nëse pjesa e mbetur 75% e taksës/tarifës paguhet brenda datës 31.12.2026.

Shënim: Në të dyja rastet, sipas shkronjave “a” e “b” të kësaj pike, gjobat dhe kamatvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

         Shuhen gjobat dhe kamatvonesat për detyrimet që u përkasin periudhave tatimore nga data 01.01.2020 deri në datë 31.12.2024, me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën përkatëse të paguhet brenda datës 31.12.2026.

Kush NUK përfiton nga ky ligj?

Nuk përfitojnë nga fshirja apo lehtësimi i detyrimeve:

         Subjektet/tatimpaguesit që:

–           Janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore ose doganore,

–           Janë në proces gjyqësor ose hetimi për këto vepra gjatë zbatimit të ligjit.

•           LIGJI I SHTRIN EFEKTET NGA DATA 01.01.2026 DERI MË 31.12.2026.

•           ZBATIMI FILLON ME PUBLIKIMIN E UDHËZIMIT PËRKATËS.

Për më shumë informacion, ju lutemi drejtohuni pranë sporteleve të Drejtorisë së Taksave, Tarifave Vendore dhe Tregjeve, pranë Bashkisë Elbasan.

Aktivitete ndërgjegjësuese në kopshte për Ditën e Autizmit

Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, në kopshtet e qytetit të Elbasanit u zhvilluan aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese dhe edukative, me fokus promovimin e mirëkuptimit, pranimit dhe gjithëpërfshirjes së fëmijëve me autizëm.

Këto iniciativa synojnë të krijojnë një mjedis sa më mbështetës dhe gjithëpërfshirës në institucionet parashkollore, duke nxitur që në moshë të hershme vlera si empatia, durimi dhe solidariteti.

Bashkia e Elbasanit mbetet e angazhuar në promovimin e politikave dhe aktiviteteve që vendosin në qendër fëmijët dhe mirëqenien e tyre, duke kontribuar në ndërtimin e një komuniteti më të ndjeshëm dhe të barabartë për të gjithë.