Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Prill 2026

“Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” ngjitet në skenën e Skampës, me mesazhe të forta sociale

Premiera e komedisë “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, e vënë në skenë në Teatrin “Skampa” nën regjinë e Donard Hasanit, dhe aktorëve Laerti Vasili, Hervin Culi, Atalanta Kërçyku dhe Helidon Fino   ka sjellë një atmosferë të veçantë artistike për publikun elbasanas.

Vepra rrëfen historinë e tre personazheve me aftësi të ndryshme, duke ndërthurur humorin me mesazhe të forta sociale mbi pranimin, barazinë dhe sfidimin e paragjykimeve që hasen në shoqëri. Përmes situatave komike, shfaqja arrin të përcjellë emocione dhe reflektim te çdo spektator.

Është një komedi familjare me një mesazh të fortë për shoqërinë. Personat me aftësi të ndryshme duhet të trajtohen njësoj si të gjithë të tjerët.

Ndërsa reagimi i publikut kap qenë mjaft pozitiv, duke e mirëpritur ngrohtësisht këtë produksion.

Mesazhi kryesor është shpresa dhe vullneti për të ecur përpara pavarësisht sfidave.

Vetëm gjatë javës së parë, artdashësit kanë pasur mundësinë ta ndjekin shfaqjen edhe në repriza të tjera, duke dëshmuar interesin dhe vlerësimin për këtë vepër.

Teatri “Skampa” vijon të mbetet një nga qendrat më aktive të jetës kulturore në Elbasan, duke sjellë produksione që jo vetëm argëtojnë, por edhe edukojnë e ndërgjegjësojnë publikun.

Mani i Zi i Joronishtit, element identitar i komunitetit

Një ndalesë ku historia, natyra dhe kujtesa bashkëjetojnë.

I vendosur në qendër të fshatit Joronisht, në Njësinë Administrative Zavalinë, Mani i Zi i Joronishtit përbën një nga vlerat më të spikatura natyrore dhe historike të zonës.

Me një moshë rreth 320-vjeçare, kjo pemë e veçantë është një dëshmi e gjallë e jetës së komunitetit ndër breza. Prej kohësh, nën hijen e tij  janë zhvilluar takime, kuvende dhe ngjarje të rëndësishme për banorët e fshatit, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme referimi shoqëror.

Mani ngrihet rreth 8 metra i lartë, me një trung të fuqishëm me perimetër 226 cm dhe një kurorë të gjerë në formë ombrelle, e krijuar nga katër degët kryesore që shtrihen në një perimetër prej 26 metrash. Kjo hapësirë natyrore ofron hije dhe qetësi, duke qenë një vend i dashur për banorët dhe vizitorët.

Përveç vlerave të tij natyrore, Mani i Zi i Joronishtit përfaqëson një element identitar të komunitetit lokal, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke ruajtur kujtesën kolektive të zonës. Frutat e tij të ëmbla dhe jetëgjatësia e rrallë e bëjnë këtë pemë një pasuri të çmuar për trashëgiminë lokale.

Edhe pse ndodhet në pronësi private, ai ruhet në gjendje të mirë dhe vazhdon të jetë një pikë tërheqëse për vizitorët.

 Aksesueshëm në itinerarin: Elbasan – Zavalinë – Joronisht

Breza: Lëndina dhe qetësia e natyrës

Breza është një hapësirë natyrore e gjerë në fshatin Qerret, pjesë e Njësisë Administrative Labinot-Mal, ku peizazhi kodrinor dhe malor bashkohet me pyje, shkurre dhe livadhe të gjelbëruara. Ky vend ofron një atmosferë të qetë dhe të paprekur, ideale për shëtitje, piknikë dhe aktivitete të lehta rekreative.

Ky vend është një nga hapësirat më të qeta dhe karakteristike të zonës, duke kombinuar qetësinë, gjelbërimin dhe freskinë e ajrit malor.

I rrethuar nga pyje të dendur, shkurre natyrore dhe livadhe që ndryshojnë ngjyrë sipas stinëve, Breza fton vizitorët të bëjnë shëtitje në natyrë, piknikë familjarë apo thjesht momente reflektimi larg zhurmës urbane. Terreni i saj i përshtatshëm dhe klima e butë e bëjnë këtë vend ideal për aktivitete rekreative dhe relaksim.

Zona ruan edhe lidhjen e saj me jetën tradicionale bujqësore dhe blegtorale, toka e pasur shfrytëzohet për kullota dhe kultivim bimësh tradicionale, ndërsa banorët e fshatit e përdorin Brezën si hapësirë pune sezonale dhe vend çlodhjeje.

Për vizitorët, Breza ofron mundësi të veçanta për, shëtitje dhe ecje malore, piknikë dhe çlodhje në natyrë, fotografi natyrore dhe peizazhe mbresëlënëse , njohje të jetës tradicionale të Labinot-Malit

Me qetësinë e saj, gjelbërimin e pasur dhe mikpritjen e banorëve, Breza është një destinacion i vogël, por i veçantë, që fton këdo të lidhet me natyrën autentike dhe të shijojë ritmin e vërtetë rural të Labinot-Malit.