Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Tetor 2026

Nis Buxhetimi me Pjesëmarrje, qytetarët vendosin prioritetet për buxhetin e vitit 2027

Bashkia Elbasan nis në datën 5 Tetor 2026 proçesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, duke i ftuar qytetarët të bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e përcaktimit të prioriteteve dhe investimeve për buxhetin e vitit 2027.

Përmes takimeve me komunitetet në lagjet e qytetit dhe në njësitë administrative, banorët do të kenë mundësinë të paraqesin nevojat, problematikat dhe projektet që i konsiderojnë më të rëndësishme për zonat ku jetojnë.

Buxhetimi me Pjesëmarrje është një proces që synon ta bëjë qytetarin pjesë të vendimmarrjes për fondet publike, duke orientuar investimet drejt nevojave konkrete të komunitetit. Bashkia Elbasan e zhvillon këtë proces prej më shumë se një dekade, si një nga mekanizmat kryesorë të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrjen vendore.

Takimet do të zhvillohen në çdo njësi administrative dhe në rajonet e qytetit, ku qytetarët do të mund të propozojnë projektet dhe ndërhyrjet që duan të shohin të përfshira në buxhetin e ardhshëm.

Më poshtë gjeni kalendarin e takimeve të Buxhetimit me Pjesëmarrje, sipas njësive administrative dhe lagjeve të qytetit.

Agjenda e takimeve:

 Merrni pjesë në takimin e zonës suaj dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes për investimet dhe prioritetet e Elbasanit.

Trupa turke me “Medea” çel siparin e edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”

Elbasani çeli siparin e edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të qytetit, që prej 28 vitesh sjell në skenën elbasanase artistë dhe trupa teatrore nga Shqipëria dhe bota.

Festivali nisi me “Medea”, kryeveprën e Euripidit, e sjellë në skenën e Teatrit “Skampa” nga Teatri Shtetëror i Izmirit, Turqi, nën regjinë e Adonis Filipit.

Përmes një konceptimi të fuqishëm regjisorial dhe një interpretimi të ngjeshur emocional, “Medea” sjell në skenë historinë e një gruaje të tradhtuar, pasioni dhe dhimbja e së cilës shndërrohen në hakmarrje. Lëvizja, ritmi dhe imazhet skenike ndërthuren në një shfaqje që prej gjashtë vitesh vijon të jetë pjesë e repertorit të teatrit turk.

Në rolin e Medeas interpreton aktorja Asli Kilian, duke sjellë një personazh të fuqishëm dhe kompleks, në një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë botërore.

28 vite “Skampa”

Prej 28 vitesh, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” është kthyer në një traditë të rëndësishme të jetës kulturore të Elbasanit, duke e vendosur qytetin në vëmendjen e skenës teatrore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Edicioni i këtij viti zhvillohet nën moton “Të jesh / To Be”, një mesazh që lidhet me praninë, bashkëjetesën dhe forcën e artit për të bashkuar njerëzit përtej kufijve.

Në ditët e festivalit, Elbasani do të mirëpresë trupa teatrore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Tunizia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Moldavia dhe Turqia, të cilat do të sjellin në skenën e Teatrit “Skampa” 10 shfaqje, krahas një programi të pasur me performanca, punëtori, ekspozita dhe promovime librash.

Një vëmendje e veçantë në këtë edicion i kushtohet edhe artistëve të rinj dhe talenteve të reja, si përfaqësues të së ardhmes së skenës teatrore.

Në urimin e tij për nisjen e festivalit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi traditën 28-vjeçare të “Skampës” dhe rolin e tij në jetën kulturore të qytetit.

“Prej 28 vitesh, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ‘Skampa’ është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Elbasanit dhe një traditë që vazhdon të na bashkojë përmes artit”, u shpreh Llatja.

Kryebashkiaku theksoi se Elbasani ka qenë dhe mbetet një qytet që e do teatrin, vlerëson artistin dhe e pret me dashuri skenën dhe kulturën.

Llatja uroi artistët shqiptarë dhe të huaj për një qëndrim të bukur në Elbasan, ndërsa qytetarëve u uroi net të bukura teatri.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” do të vijojë deri më 5 tetor, duke e kthyer Elbasanin edhe këtë vit në një pikë takimi për artistët, kulturën dhe publikun e teatrit.

Dita pa Makina në Elbasan!

​Të dashur qytetarë,

​Të dielën, më 4 Tetor 2026, Elbasani i bashkohet nismës për një mjedis më të pastër me “Ditën pa Makina”! Kjo është një ftesë e hapur për të lënë automjetet në shtëpi dhe për ta shijuar qytetin tonë duke ecur në këmbë, me biçikleta apo me mjete të tjera alternative.

​Për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e qytetarëve, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në këto segmente rrugore:

​📍 Bulevardi “Aqif Pasha”

(Nga stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”)

⏰ Orari: 08:00 – 20:00

​📍 Rruga “Rinia”

(Nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” deri te kryqëzimi i rrugës “Tomorr Sinani” / Sporti i vjetër)

⏰ Orari: 08:00 – 16:00

​👮‍♂️ Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të jenë në terren për të menaxhuar devijimin e trafikut dhe për të garantuar rendin.

​Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Le ta shijojmë qytetin tonë pa zhurmë dhe pa trafik! 🌳🚶‍♂️🛴