Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Hyn në fuqi ligji për rivitalizimin e industrisë ushtarake, Vengu viziton uzinën e Mjekësit

Nga sot hyn në fuqi ligji për industrinë ushtarake, që i hap rrugë modernizimit dhe rivitalizimit të kapaciteteve të trashëguara të kësaj industrie në Shqipëri.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola vizituan uzinën e Mjekësit në Elbasan, për të çelur një kapitull të ri të kësaj industrie.

Ministri Vengu inspektoi disa nga mjediset e prodhimit dhe u njoh me punën që bëhet aktualisht në këto uzina. Ministri u takua me drejtues dhe punonjës të ndërmarrjes që ka nevojë emergjente për investime e që ligji i ri i siguron për ta transformuar sërish në institucion të rëndësishëm të mekanizmit ushtarak të vendit.

“Paketa ligjore adreson dhe një problematikë shumë të vjetër dhe e mbetur e pa adresuar ndër vite që është, shlyerja e detyrimeve të papaguara ndaj ish punonjësve, punonjësve aktualë, dhe të gjithë njerëzve që kanë kontribuar ndër vite në këto uzina dhe industri shumë të rëndësishme. Sot është momenti i një pikënisjeje të rë për këtë industri.

 Jemi sot bashkë me kryetarin e bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja sepse e gjithë kjo industri ka një impakt ekonomik të rëndësishëm, dhe ne synojmë që të ketë një impakt jo vetëm në punësim por në të gjithë komponentët e rijetëzimit të zonës, një hapësirë shumë e madhe e cila ka nevojë për një rehabilitim mjedisor, dhe kjo është puna e parë që do të bëjë kompania”, tha ministri Vengu.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja pohoi se “ne e shohim shumë pozitive perspektivën ekonomike për punësimin pasi kjo është një zonë që zhvillon ekonominë e saj. Unë jam i bindur se edhe me standartet e reja që do të investohen do të jetë në fokus edhe punësimi, mjedisi, zhvillimi ekonomik, si edhe industria ushtarake”.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për industrinë ushtarake, bëhet i mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar të strategjisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale globale të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ringritja e industrisë ushtarake do të kërkojë një qasje të integruar dhe të koordinuar që adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale.

Bujtinat tradicionale dhe investimet e reja rrisin atraksionet turistike të Gjinarit

Gjinari, i njohur për bukurinë natyrore dhe freskinë e ajrit malor, po shndërrohet në një nga pikat më të preferuara për turizmin në Elbasan. Me punimet që kanë nisur për rehabilitimin total të qendrës së tij, turizmi në këtë zonë po përjeton një lulëzim të vërtetë. Gjinari, vendi i Bukanikut dhe pishave, tashmë është bërë edhe destinacioni i bujtinave tradicionale që ofrojnë mikpritje të ngrohtë dhe komoditet për turistët.

Një nga këto bujtina është Bujtina Bezhani, ku katin e dytë të banesës familja e ka përshtatur për t’u ofruar turistëve një eksperiencë të veçantë. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka vizituar këtë bujtinë, ku është pritur nga e zonja e shtëpisë. Ajo e ka falënderuar për investimet e fundit që po kryhen në Gjinar, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillimin e turizmit lokal.

“Një natyrë e freskët, një oborr i pastër plot me lule dhe pemë të stinës – kjo është zona e Gjinarit, tipike, tradicionale dhe jo vetëm,” u shpreh z. Llatja gjatë vizitës së tij. Në Bujtinën Bezhani, vizitorët mund të shijojnë gjelbërimin e pafund, pemtarinë e bollshme, si dhe një lëndinë të mrekullueshme ku mund të organizohen barbeky në çdo kohë. Kjo bujtinë ofron të gjitha kushtet për një qëndrim të këndshëm, në një ambient fantastik që i bën mysafirët të ndihen si në shtëpi.

Investimet e fundit dhe përkushtimi i komunitetit për të ofruar mikpritje të veçantë kanë bërë që numri i turistëve në Gjinar të rritet ndjeshëm. Kjo zonë, me natyrën e saj të virgjër dhe bujtinat e ngrohta, është duke u shndërruar në një destinacion të preferuar për pushuesit nga brenda dhe jashtë vendit.

Pasditja poetike “Krijimtaria popullore elbasanase” mbledh brezat në Elbasan

Elbasani u mbush me emocion dhe poezi mbrëmjen e sotme, kur në lulishten e Muzeut Etnografik u organizua një ngjarje e veçantë poetike. Aktiviteti, i cili u realizua në kuadër të aktiviteteve të gushtit të organizuara nga Bashkia Elbasan, dhe Biblioteka Publike “ Qemal Baholli” kishte për qëllim të sjellë në jetë dhe të ruajë trashëgiminë poetike të qytetit tonë.

Në këtë pasdite magjike, pjesëmarrësit, që përfaqësonin breza të ndryshëm, recituan dhe rikthyen në kujtesë krijimtarinë popullore elbasanase. Atmosfera ishte e mbushur me emocion dhe ndjenjë, ndërsa të pranishmit përjetuan magjinë e fjalës së shkruar dhe të trashëguar nga të parët tanë.

 Shkolla artistike “Onufri” përfundon rikonstruksionin, gati për artistët e Elbasanit e më gjerë

Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan ka përfunduar rikonstruksionin e saj të plotë, duke u shndërruar në një qendër të vërtetë artistike. Ky institucion arsimor tani është zgjeruar me klasa të reja, laboratorë shkencorë, palestër të re dhe një sallë koncertesh të dedikuar për 340 nxënës artistë. Ky projekt ambicioz u bë i mundur falë investimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, shprehu mirënjohjen e tij për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për mbështetjen e vazhdueshme në investimet arsimore, duke theksuar se shkolla “Onufri” është një simbol i Elbasanit, një institucion që ka nxjerrë artistë të shquar dhe ka fuqizuar jetën artistike jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë e Mesme.

Për shumë vite, kjo shkollë ka qenë furnizuesi kryesor i Akademisë së Arteve me studentë të talentuar.

Tani, me infrastrukturën e re, shkolla është e gatshme të realizojë programin e saj 100%, dhe të zhvillohet më tej, duke përfaqësuar qytetin jo vetëm në evente kombëtare, por edhe ndërkombëtare.

Kalaja e Elbasanit: Një destinacion turistik në zemrën e historisë shqiptare

Në këto ditë vere, Kalaja e Elbasanit po kthehet në një pikë qendrore për turistët nga e gjithë bota. Falë rëndësisë së saj historike dhe thirrjes së kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, për të vizituar këtë monument të lashtësisë, qindra vizitorë nga vendi dhe bota po zbulojnë thesaret e një prej fortifikimeve më të vjetra të Shqipërisë.

Për shumë nga këta turistë, Kalaja e Elbasanit është një dritare në të kaluarën, ku historia dhe arkitektura bashkohen për të treguar rrëfimet e një qyteti që ka kaluar nëpër shekuj, duke ruajtur kulturën dhe traditat e tij. Ndërsa ecin nëpër rrugicat e kalldrëmta brenda mureve të Kalasë, vizitorët mund të ndiejnë peshën e kohës dhe të imagjinojnë jetën e dikurshme të qytetit.

Lagja “Kala” është një pjesë e veçantë e qytetit të Elbasanit dhe përbën një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Ballkan. Më shumë se pesë shekuj më parë, kur ushtria turke mbante të rrethuar Krujën, një pjesë e kësaj ushtrie punonte për zgjerimin e kalasë ekzistuese të “Skampinit.”

Kalaja përfshinte gjithashtu garnizonet e ushtrisë turke, qendrat tregtare dhe zona të tjera jetike të qytetit. Pas zgjerimit të qytetit dhe ardhjes së banorëve nga fshatra të ndryshëm, lagjet si “Shën Koll” dhe “Alejdine” u formuan jashtë mureve të kalasë, duke shtuar diversitetin e këtij vendi të veçantë.

Me vendim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, lagja “Kala” u shpall Lagje Muze, një nismë që ka sjellë restaurime të rëndësishme. Shtëpitë karakteristike elbasanase janë restauruar, si dhe rrugët e kalldrëmta janë rivendosur në formën e tyre origjinale. Turistët sot mund të shijojnë ngushtësinë e rrugicave, ndërtimin karakteristik të shtëpive dhe portat masive me çekicat karakteristikë, të gjitha të ndërtuara për të ruajtur atmosferën e kaluar.

Brenda mureve të kalasë ndodhet varri i Kostandin Kristoforidhit, një figurë kyçe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Po ashtu, lagja ka qenë shtëpia e shumë intelektualëve dhe artistëve të shquar, si Aleksandër Xhuvani dhe Dhimitër Shuteriqi, që kanë kontribuar në pasurimin e kulturës shqiptare,  si edhe kisha “Shen Maria”.

 Me ritmin e vizitave që rritet çdo vit, Kalaja e Elbasanit dhe monumentet e tjera të lashtësisë në qytet janë bërë një destinacion tërheqës për turistët. Thirrja e kryetarit të Bashkisë për të vizituar këtë thesar kulturor ka përmirësuar përvojën turistike dhe ka rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Vizitë në punishten e skulptorit Vladimir Caridha

Në një vizitë të veçantë në punishtet e skulptorit të njohur Vladimir Caridha në lagjen “Kala” Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, pati mundësinë të njohë më nga afër punimet artizanale të këtij artisti të talentuar. Ky takim u shndërrua në një mundësi  për të njohur më nga afër botën krijuese të një artisti që ka lënë një gjurmë të rëndësishme në artin skulpturor të vendit tonë.

Gjatë vizitës, Llatja u impresionua nga gama e gjerë e veprave të Caridhas, të cilat shpalosin mjeshtërinë dhe shpirtin e thellë artistik të skulptorit.

“Vizita në punishtet e Vladimir Caridha është një përvojë që pasuron dhe inspiron,” tha Kryetari Llatja. “Punimet e tij janë më shumë se veprat e artit, ato janë një pasqyrë e thellë e ndjenjave dhe mendimeve që artisti ka për botën. Është një privilegj të shohësh nga afër procesin krijues dhe të njihesh me pasurinë që ai sjell në kulturën tonë.”

Skulpturat e Caridhas, të cilat përfshijnë figura njerëzore dhe abstrakte, janë krijuar me një ndjeshmëri të veçantë për detajet dhe përshkrimin e emocioneve. Secila vepër ka një histori të veçantë dhe është rezultat i një pune të përkushtuar dhe të kujdesshme.

Kryetari Llatja shprehu mbështetje për inisiativat artistike dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në qytetin e Elbasanit. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Bashkisë për të ndihmuar artistët lokalë dhe për të krijuar mundësi për promovimin e arteve në komunitet.

 Elbasani ka shumë punime të jashtëzakonshme, të skulptorit Vladimir Caridha, si  portreti  Ataturkut,  Busti i Qemal Stafës, monumenti i arsimit etj.

Vladimir Caridha është një skulptor i njohur dhe shumë i respektuar në Elbasan. Punimet e tij kanë një ndikim të rëndësishëm në kulturën artistike dhe janë një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe kreativitetit. Prej 40 vitesh ai kujdeset profesionalisht për punishten e tij si dhe edukimin artistik të brezave të rinj.

Koncerte dhe aktivitete gjatë muajit gusht në parqet e Elbasanit

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka njoftuar organizimin e koncerteve dhe aktiviteteve të ndryshme gjatë gjithë muajit gusht në të gjitha parqet e qytetit. Ky njoftim vjen si vazhdim i nismave të mëparshme për të mbajtur gjallë jetën kulturore dhe sociale të qytetit.

“Në përputhje me traditën tonë, këtë verë kemi organizuar një sërë aktivitetesh për të gjithë qytetarët e Elbasanit”, tha Llatja.

“Nga koncertet e shumta te aktivitetet për fëmijë dhe familje, kemi planifikuar një program të pasur që do të zgjasë gjatë gjithë muajit gusht”, shtoi ai.

Këtë vit, përveç mbajtjes së kopshteve hapur, Bashkia ka vendosur të zgjerojë ofertën e saj me një gamë të gjerë aktivitetesh kulturore dhe argëtuese. “Po i japim një ritëm të ri pasditeve të qytetit të Elbasanit, me koncerte, teatro, aktivitete sportive dhe shumë surpriza të tjera,” shtoi Llatja.

Aktivitetet janë planifikuar të zhvillohen në disa pika kryesore të qytetit, duke përfshirë Qendrën e Fëmijëve, Qendrën Kulturore dhe institucionet e tjera kulturore të bashkisë. Këto organizime synojnë të krijojnë një atmosferë festive dhe të përfshijnë sa më shumë banorë të qytetit.
“Kemi bërë gjithçka për të siguruar që fëmijët dhe familjet e Elbasanit të kenë një verë të paharrueshme”, theksoi Llatja. “Jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe të pasur me aktivitete për të gjithë.”
Qytetaret e Elbasanit kanë pritur me shumë kënaqësi këtë njoftim, duke shprehur mirënjohjen për përkushtimin e Bashkisë në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. Aktivitete të shumta pritet të zhvillohen gjatë gjithë muajit, duke ofruar mundësi të ndryshme argëtimi dhe relaksimi për të gjithë grupmoshat.

Llatja/ Drejt rivitalizimit  qendra e Gjinarit turistik

 Rivitalizimi i Qendrës së Gjinarit Turistik ka nisur tashmë me ritme intensive, duke synuar transformimin e kësaj zone në një destinacion të rëndësishëm për turistët dhe banorët lokalë. Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka kryer një inspektim të afërt të punimeve dhe ka vlerësuar progresin e arritur deri tani.

Projektet përfshijnë një ndryshim të rëndësishëm të zonës, duke përfshirë ndërtimin e një infrastrukture të re, përfshirë kanalizimet, trotuarët, ndriçimin, një park shlodhës dhe një kënd lojrash. Fusha e Kuqe, një zonë sportive e rëndësishme, ka marrë një pamje të re dhe tërheqëse, ndërsa një segment rrugor i ndërtuar me gurin karakteristik të Gjinarit do të lidhë të gjitha pjesët e zonës deri te lapidari.

Kryetari Llatja ka theksuar se, përveç këtyre investimeve, projekti përfshin edhe ndërtimin e një muzeumi dhe një qendre informacioni për të gjithë zonën e Shpatit, ku do të shpaloset tradita dhe kultura e kësaj zone. Ai e ka cilësuar këtë si një premtim të mbajtur për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e turizmit në zonë.

“Problemi i vonesës për nisjen e punimeve ishte mbyllja e shpronësimeve, e cila ndikoi në afatet e zbatimit të projektit. Megjithatë, tani jemi në kohë dhe këto ditë do të hidhet asfalti. Ky është një projekt kompleks dhe ambicioz që do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Gjinarit,” tha Kryetari Llatja.

Rivitalizimi i Gjinarit pritet të rrisë tërheqjen e vizitorëve dhe të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e biznesit lokal, duke pasuruar ofertën turistike të Elbasanit dhe duke kontribuar në mirëqenien e komunitetit lokal.

Banorët e Gjinarit kanë hapur dyert e shtëpive dhe bujtinave, të cilat me mikpritjen dhe gatimet tradicionale po tërheqin gjithnjë e më shumë miq nga e gjithë Shqipëria e jo vetëm.

Llatja: Drejt urbanizimit total zona e “NSHU” në Elbasan

Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, ka inspektuar punimet që janë drejt përfundimit në lagjen ” Dyli Haxhire”, një zonë në lagjen NSHU, në rrugën “Tasim Luniku” duke shprehur kënaqësinë për transformimin e ndjeshëm të kësaj zone.
“Kemi nisur me kanalizimet, me ujin e pijshëm, dhe tashmë po sistemohet komplet rruga duke zgjidhur të gjitha problematikat. “Nga një zonë totalisht informale, lagja NSHU po i kthehet urbanizimit”, tha Llatja.
Një ndër aspektet më të rëndësishme të projektit ka qenë përmirësimi i infrastrukturës së kanaleve të ujërave të shiut, veçanërisht në pjesën malore të lagjes, që ka paraqitur sfida të veçanta.
“Pavarësisht temperaturave të larta, puna vazhdon pandërprerë në këtë lagje,” shtoi kryetari i bashkisë. “Kur erdhëm para tre vjetësh dhe thamë se do të investonim në ujin e pijshëm, dukej si një mision i pamundur. Por, pas kanalizimeve të ujërave të zeza, tashmë jemi duke shtruar rrugën.”
Llatja theksoi se që në fillim ka besuar se gjërat do të rregulloheshin gradualisht, edhe pse zona është fundore dhe shumë pranë ullishtave ku sistemimi ka qenë i pamundur nga banorët. “Jam i bindur se ne ia dolëm,” tha ai.
Pas përfundimit të punimeve në këtë pjesë malore, do të vijojë sistemimi i rrugicave të tjera në zonën e NSHU. “Pjesa malore ka qenë problematike për qarkullimin e mjeteve, por tashmë kjo çështje është zgjidhur dhe do të vazhdojmë me urbanizimin,” tha Llatja.
Banorët janë shprehur të kënaqur me mbështetjen e dhënë nga bashkia, duke theksuar se problemet e tyre ishin të shumta. “Fundjava do të na gjejë me të gjithë segmentin e rrugës të sistemuar,” përfundoi kryetari i bashkisë.

Ekipet e Punëve Publike të Bashkisë në terren për përmirësimin e kanaleve vaditëse

Ekipet tona të Punëve Publike janë në terren çdo ditë duke punuar me ritëm të lartë për mirëmbajtjen e kanaleve vaditëse në të gjithë zonat rurale. Aktivitetet e përditshme përfshijnë pastrimin e kanaleve, riparimin e dëmtimeve dhe përmirësimin e strukturave ekzistuese, për të siguruar funksionimin optimal të këtij sistemi të rëndësishëm.

Bashkia Elbasan po tregon një vëmendje të shtuar për t’i siguruar një lehtësim bujqve në punët e stinës. Ne e kuptojmë rëndësinë e një infrastrukture të mirë për suksesin e sektorit bujqësor dhe po punojmë për të ndihmuar çdo fermer që të arrijë rezultatet më të mira.

VetëmPërpara