Orkestra e Harqeve fiton Çmimin e Parë në Takimin Kombëtar të Orkestrave të Harqeve
Orkestra e Harqeve e Bashkisë Elbasan është vlerësuar me Çmimin e Parë për Orkestër në edicionin e 11-të të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve, me motivacionin “Për interpretim me nivel të lartë artistik”.
Ky çmim është një vlerësim për nivelin artistik, përkushtimin dhe punën e vazhdueshme të instrumentistëve, nën drejtimin e maestro Zeqir Sulkuqit, të cilët përmes interpretimit të tyre përfaqësojnë me dinjitet traditën dhe vlerat muzikore të Elbasanit.
Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve, i zhvilluar nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, krijon hapësira për promovimin e artistëve dhe zhvillimin e shkëmbimit artistik mes orkestrave, duke kontribuar në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.
Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Artit dhe Kulturës, vijon të mbështesë aktivitetet artistike dhe krijimtarinë muzikore, duke i dhënë mundësi talenteve vendase të zhvillohen dhe të përfaqësojnë qytetin në veprimtari kombëtare.
Ky sukses është një tjetër dëshmi e punës dhe përkushtimit të artistëve elbasanas, të cilët me talentin dhe profesionalizmin e tyre nderojnë qytetin dhe traditën e tij muzikore.