Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Aktualitet

Llatja/ Investimet në terrenet sportive vazhdojnë!!

Bashkia e Elbasanit një prioritet të veçantë vazhdon t’i kushtojë edhe investimeve në terrenet sportive të qytetit por jo vetëm. Pas rimodelimit të minikalçetos së futbollit në Kompleksin Sportiv” Shefqet Lamçja”, si edhe rrethimit të saj, një tjetër investim, i cili thuajse ka transformuar totalisht Pallatin e Sportit ” Tomorr Sinani”, është parketi, i cili kishte shumë dekada pa u ndërruar.  Gjatë një takimi me sportistët vajza dhe djem basketbollistë të ekipit të Elbasanit, kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja inkurajoi të rinjtë të jenë pjesëmarrës në sporte të ndryshme.Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja në mbështetje të ekipeve sportive në Elbasan, premtoi se brenda këtij viti do të nisë edhe sistemi i ndriçimit të Pallatit të Sportit, si edhe ndryshimi i karrigeve.” Nëse të rinjtë afrohen tek sporti, tek të gjithë terrenet sportive që ne kemi, aq më pak të rinj me vese do të ketë në qytet. Angazhimi në sport, është prioriteti ynë.  Kemi disa projekte jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale, sa i përket pjesës së transportit, me qëllim që të rinj dhe fëmijë afrohen dhe të bëhen pjesë e skuadrave tona.  Do të jetë një arritje nëse e bëjmë bashkinë gjithëpërfshirëse jo në qytet por edhe në zonat rurale”, tha Llatja. Shumë shpejt Bashkia Elbasan do të nisë investimet në dy palestrat e shkollës Luigj Gurakuqi ( Pedagogjike). Këtë vit, Bashkia Elbasan ka rritur edhe buxhetin për terrenet sportive prej 7 %, dhe sipas kreut të Bashkisë ” çdo vit do të vijojmë të kemi përmirësime dhe rritje të buxhetit. Ndaj ju ftoj të na nderoni! Elbasani është një qytet që e do sportin, i do rezultatet dhe arritjet që i këmi bërë ne të gjithë bashkë dhe detyrimisht kur e do i gjithë qyteti absolutisht ne e kemi për detyrë të bëjmë punë të mira”, tha Z. Gledian Llatja. Drejtori i Sportit Artin Kovaçi, vlerësoi ekipet shumësportesh në Elbasan, duke e vënë theksin se ka kohë që sportet në qytet kanë nisur të ringrihen.

Panairi i Makinave, vjen për herë të parë në Elbasan.

Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, për herë të parë në Shqipëri në llojin e tij , është organizuar Panairi i Makinave.  

Sheshi “ Gensher” është kthyer në një pistë me makina luksi, ku ka mahnitur mbarë qytetarët elbasanas, kurioz për të parë nga afër këtë manifestim mjetesh.  

Për kryetarin e  Bashkisë së Elbasanit “ Panairi i Makinave” është organizimi i parë në llojin e tij në Shqipëri, i cili me nisjen edhe të punimeve të Automoto Parkut”,  Elbasani do të kthehet në epiqendrën e rajonit për komunitet e automotorizmit, pistën e garave F1 dhe hapësirën dedikuar RETRO.  

Panairi i Makinave më luksose ka mbledhur në Elbasan të apasionuarit pas automjeteve të fundit apo me fuqi motorike të madhe  si një pikë takimi për të shkëmbyer eksperiencat dhe historitë aventureske.

Mblidhet Këshilli Vendor i Sigurisë Publike!

Këshilli Vendor i Sigurisë në Elbasan zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2022, për të bërë një analizë të punës së deritanishme dhe për të parashtruar sfidat me të cilat përballet shoqëria përsa i përket çështjeve të sigurisë. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë, Z. Gledian Llatja, pohoi se : Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, synon përmirësimin më tej drejt realizimit të një jetë më të mirë veçanërisht për fëmijët tanë, të cilët janë më të prekur nga probleme të ndryshme sociale. Qëllimi ynë është të planifikojmë,  veprojmë për probleme të ndryshme që cënojnë rendin dhe sigurinë e qytetit tonë. Sëbashku do  të diskutojmë rreth hapave që duhet të ndërrmarim në fushën e parandalimit dhe trajtimit të abuzimit të substancave narkotike, si edhe trajtimit të rasteve të fëmijëve me situate problematike. Abuzimet me drogën dhe alkoolin është një ndër shkaqet e abuzimit ndaj grave dhe fëmijëve. Këto forma abuzimi nuk mund të trajtohen të izoluara nga njëra tjetra. Ndaj është e përshtatshme që këtë nismë që kemi nisur sot, ta vazhdojmë gjatë të gjithë vitit. Të gjithë së bashku të bashkojmë forcat dhe kapacitetet për këtë përpjekje fisnike. Të qënit të ashpër ndaj autorëve të krimit është një nga anët e medaljes. Ana tjetër e saj është të identifikojmë shkaqet që çojnë në këto probleme. Sot ne kemi nevojë që të përmirësojmë dhe forcojmë modelet që ndikojnë në përmirësimin e identitietit të këtyre faktorëve që parashikojnë shkallën e konsumit të lëndëve narkotike si edhe situatën e fëmijëve në situatë rruge brenda të gjithë territorit të Bashkisë Elbasan. Me rëndësi është edhe  mirëfunksionimi i Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, në Bashkinë Elbasan. Ky mekanizëm ka dhënë një mesazh të qartë se adresimi i çështjeve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje është prioritet dhe detyrim ligjor për të gjitha institucionet në nivel vendor. 

Janë një sërë hapash që duhet të ndërrmarim në terma afatshkurtër dhe afatgjatë.  

Realizimi i nivelit të rrezikut të përfshirjes së të rinjve në abuzimin e lëndëve narkotike, është e natyrshme të marrim natyrën dhe shtrirjen e modeleve të tendencave të abuzimit të lëndëve narkotike. Të kuptojmë kulturën e komunikimit dhe si ajo kulturë ndikon dhe ndikohet nga abuzuesit me abuzimin me drogën. Të konsultohemi me liderët e komuniteteve dhe Organizatat e Shoqërisë Civile, të cilat punojnë për parandalimin e abuzimit me drogën, shendetin mendor, dhe fusha të ngjashme me këto. Ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e komunitetit për problemet. Të identifikojmë probleme të ndryshme shoqërore . Të identifikojmë përpjekjet egzistuese, parandaluese që janë duke u zhvilluar për të adresuar problemin. Sa i përket trajtimit të rasteve të fëmijëve në situatë rruge, ne kemi menaxhuar dhe kemi zgjidhur problematikat e fëmijëve në rrugë, si edhe familjet e tyre, duke i siguruar pa pagesë kopshtet dhe çerdhet, por kemi siguruar edhe bonusin e qerasë për familjet në nevojë, me ndihmën e biznesit dhe Dhomës së Tregëtisë kemi siguruar punë, për ato punëkërkues. Sa i përket trajtimit të rasteve të fëmijëve, duhet të përmend angazhimin maksimal dhe marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge. Sa i përket konsumimit të lëndëve narkotike, kemi ngritur strukturat komunitare, duke angazhuar edhe kryepleqtë e lagjeve, kemi pasur një ndihmë shumë të madhe të Shoqërisë Civile, dhe OJQ, por përsëri është e nevojshme që ndërlidhësit tanë komunitarë të kenë një pasqyrë të qartë të terrenit të banorëve që jetojnë në terren por edhe problematikat e ndryshme që mund të kenë banorët. Me qëllim ngritjen e një strategjie të qartë  se si ne do të vijojmë gjatë vitit 2022 por edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që ne të identifikojmë dhe marrim masat për këtë fenomen. Është detyra jonë themelore, që të parandalojmë dhe të kuptojmë fenomenet pse të rinjtë  tanë shkojnë drejt këtyre veseve. Ne si institucion nuk mund të jemi indiferentë ndaj këtyre fenomeneve. Në takimin e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike u prezantua projekti i qeverisë Britanike i cili do të zbatohet në partneritet midis Bashkisë Elbasan dhe grupi Palladium, me qendër në Londër. Ky projekt synon parandalimin e angazhimit të të rinjve në krimin e organizuar, ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe anëtarëve të KVSP-së si edhe zhvillimin e përforcimin e partneriteteve të mëtejshme. Në zbatim të VKM Nr. 327, datë 2.6.2021 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, si dhe procedimin e tij për mbështetjen e rehabilitimin e viktimave të dhunës” nënshkruam, së bashku me të gjithë anëtarët e mekanizmit, marrëveshjen e bashkëpunimit. 

Më shumë gjelbërim, pastërti, dhe investime në lagjen ” Vullnetari” 

Lagjja “Vullnetari” është kthyer në pjesë e një transformimi të ri urban që pas rikonstruksionit të rrugëve kryesore, tani do të rehabilitohen sheshet e pallateve duke u shndërruar në hapësira të gjelbra e pushimi për banorët e saj. Krahas investimeve që janë kryer në këtë lagje e cila edhe pse është pjesë e qytetit, është cilësuar si periferike, tashmë Bashkia ka nisur aksionin për mbjelljen e 50 fidanëve të rinj dekorativ si edhe po krijohet edhe këndi i pushimit për banorët e lagjes. I pranishëm në këtë aksion të pastrimit të lagjes ” Vullnetari” ka qenë edhe kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja, i cili edhe një herë e vuri theksin tek investimet që janë kryer, por duke i dhënë një prioritet të veçantë ambjenteve të pastra në qytet. ”  Para pak kohësh kemi investuar në shtrimin e rrugëve në lagjen ” Vullnetari” , dhe tashmë edhe me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, për pastrimin. “Të mbash pastër qytetin, nuk është vetëm çështje e Pushtetit Vendor, por është e çdo qytetari. Të gjithë bashkë të kujdesemi për pastrimin e ambjenteve të përbashkëta. Është hera e dytë që brenda një kohe shumë të shkurtër në këtë lagje janë mbjellë pemë dekorative. Siç u premtua një vit më parë banoreve te lagjes  ” Vullnetari” pas sistemimit te kanalizimeve nentokesore ne rrugen ” Zekie Krasta” ka nisur shtrimi i shtresave asfaltike. Në sinkron me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, në këtë lagje në rrugën ” Zekie Krasta” një tjetër investim po realizohet nga Bashkia e Elbasanit. Ka nisur tashmë investimi për shtrimin me asfalt të rrugicave dhe rrugëve  të kësaj lageje, kërkesë e vetë banorëve. Janë rreth 100 banorë të kësaj lageje që përfitojnë nga investim, i cili nuk ishte kryer që nga vitet ‘ 90. Së shpejti në lagjen ” Vullnetari”  do të ndërtohet edhe një ambulancë e re.  Veç zëvëndësimit të pemëve të dëmtuara, janë mbjellë edhe 50 pemë të reja decorative, duke e kthyer këtë bllok pallatesh të lagjes ” Vullnetari” në një lulishte e cila frekuentohet jo vetëm nga të moshuarit por edhe  fëmijët. Gjithashtu Bashkia e Elbasanit ka nisur investime edhe në shumë fshatra të Njesive Administrative.

Rilindja e Babait të Gjuhës Shqipe në qendër të Elbasanit!

Një kënd i ri pushimi i është shtuar zemrës së qytetit, duke i ofruar një ambient dinjitoz e të gjelbëruar banorëve të Lagjes nr.1.  Kreu i Bashkisë Z.Gledian Llatja, këtë investim e ka cilësuar si një kënd të ri rekreativ e të gjelbër që po i shtohet jo vetëm banorëve të Lagjes nr.1, por edhe gjithë qytetarëve të Elbasanit. Ky investim në qendër të qytetit, ka marrë një pamje bashkëhore jo vetëm nga vizitorët e shumtë, por edhe për vetë qytetarët elbasanas. Një figurë historike për Elbasanin dhe Shqipërinë, i njohur si “Babai i Gjuhës Shqipe” Kostandin Kristoforidhi meritonte dhe një vend të veçantë në zemër të qytetit.  Prandaj dhe vëmendja jonë për rehabilitimin e lulishtes që mban emrin e tij ka qenë e shtuar për ta shndërruar atë në një kënd dinjitoz rekreativ pushimi për banorët e Elbasanit. Investimi përfshin veshjen me mermer të bazamentit të bustit të Babait të Gjuhës Shqipe “Kostandin Kristoforidhit”, por edhe rikonstruksionin e lulishtes përreth bustit, si edhe ndriçimin.  

Mblidhet Këshilli Vendor për Sigurinë Publike!

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, ka thërritur mbledhjen e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike, e fundit për këtë vit. Edhe në këtë takim të rradhës janë diskutuar disa prej pikave më të rëndësishme të  zbatuara gjatë vitit 2021, ku pjesa më e madhe e synimeve të vendosura u arrit. Këshilli Vendor për Sigurinë Publike, është  një shembull i qartë i përpjekjes dhe kontributit të autoriteteve dhe aktorëve lokalë në funksion të identifikimit, të kuptuarit dhe parandalimit të faktorëve dhe sjelljeve që mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së njerëzve dhe komuniteteve. Ne jemi të bindur se nismat e suksesshme për rritjen e sigurisë, e për pasojë të cilësisë së jetesës, janë të rrënjosura në një qasje gjithëpërfshirëse të institucioneve, shoqërisë civile, familjes, të rinjve, edukatorëve dhe udhëheqësve fetarë dhe të komunitetit. Në këtë prag fundviti ne ndajmë një sërë arritjesh të rëndësishme.

• Përzgjedhjen e strukturave komunitare – tashmë çdo lagje në territorin e Bashkisë Elbasan ka ndërlidhësa komunitar të cilët do të mundësojnë identifikimin dhe adresimin e problematikave që shqetësojnë komunitetin e tyre.

• Strehimin social – Bashkia Elbasan ka ofruar bonus social për rreth 179 gra kryefamiljare, persona me aftësi ndryshe, persona të komunitetev rom egjyptian dhe familje me një prind.

• Menaxhimin e rasteve të dhunës në familje në Strehëzën e Emergjencës.

Llatja/ Të shkëpusim të rinjtë nga veset dhe ti afrojmë tek sporti

Pas Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku janë vetë qytetarët ata që paraqesin problemet dhe prioritetet e tyre, Bashkia tashmë ka shtrirë këtë model edhe në fushën e sportit. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, ka zhvilluar një takim me sportistë, trajnerë dhe stafin e sportit, me qëllim për të përcaktuar prioritet dhe investimet  e realizuara gjatë këtij viti në fushën e sportit. Takimi  është kryer në ambjentet e pallatit të sportit “ Tomorr Sinani” ku Drejtori i Sporteve Artin Kovaci ka bërë edhe një përmledhje të investimeve të kryera gjatë këtij viti, një ndër më kryesoret është përmirësimi i ambjenteve sportive që ndikojnë në rezultatet sportive. Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja vlerësoi sportistët elbasanas për rezultatet e tyre të larta ndërsa shtoi se Elbasani është një qytet që e do sportin, i do rezultatet dhe arritjet që i kemi bërë ne të gjithë bashkë dhe detyrimisht kur e do i gjithë qyteti ne e kemi për detyrë të bëjmë punë të mira. Është hera e parë që ne po bëjmë një aktivitet kaq masiv të dëgjesës publike të Buxhetimit me Pjesëmarrje përsa i përket fokusit të sportit dhe rëndësisë që ne duhet ti japim buxhetit 2022, çështjes së sporteve, madje ne e kemi pasur këtë fokus të veçantë edhe falë mbështetjes së anëtarëve të Këshillit Bashkiak edhe komisioneve të sporteve. Ndërsa i kemi dhënë një vëmendje të veçantë gjatë kësaj periudhe si për investimet por edhe për trajtimet e çështjeve të ndryshme që kanë lidhje me sported, tha Llatja. Duke ngritur vlerat e sportistëve, kreu i Bashkisë shtoi se “ kemi arritur rezultate shumë të mira, kemi skuadra shumë të mira, tashmë kemi krijuar edhe ekipin e futbollit, sportin e radioamatorizmit ku morëm rezultate shumë të mira po ashtu edhe në Kampionatin Botëror. Duhet të shkëpusim të rinjtë nga veset dhe ti afrojmë në sporte. Duhet të përpiqemi që të japim mbështetjen maksimale, si nga ana financiare ashtu edhe infrastrukturore, siç janë rehabilitim i terreneve sportive edhe në Njësitë Administrative në Gjinar, Kuqan, Bradashesh. Sporti ka ardhur në rritje dhe gjithashtu do të ketë një rritje edhe për buxhetin e vitit 2022 dhe do përpiqemi që të krijojmë balancë në të gjitha fushat, si sporti, arti etj. Jam i bindur se bashkarisht do ecim përpara për të mirën e qytetit, për ta ngritur emrin tonë aty ku e kemi dhe aty ku na takon në të gjitha sportet. Mbështetjen time dhe të bashkisë së Elbasanit e keni dhe e keni patur gjithmonë. Kuptohet që mundësitë janë të kufizuara dhe problematikat dhe nevojat janë të mëdhaja. Po mbajtja e një balance është ajo që ne po përpiqemi të kemi si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra në të gjitha fushat, si në infrastrukturë, në fushat sociale dhe ajo sportive, si në terrene sportive, pjesës kulturore e artistike”, tha Llatja. Më pas vetë sportistët, trajnerët, kanë parashtruar prioritetet e tyre të cilat konsistojnë në investime si në terrene sportive, palestra shkolle etj. Infrastruktura sportive ka ndryshuar, janë rregulluar shumë gjëra dhe më mirë do bëhet pasi Elbasani ka kualitete.

Kryetari i bashkise Z Llatja, pret homologun e tij te Ulqinit!

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, ka pritur në një vizitë kryetarin e Bashkisë së Ulqinit të Malit të Zi  Aleksandar Dobovic. Mes dy homologëve është diskutuar rreth prioriteteve dhe perspektiva me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes dy qyteteve. Nga ana e tij Z. Llatja e ka njohur kreun e bashkisë së Ulqinit rreth resurseve të shumta që ofron Bashkia që ai drejton si nga ana ekonomike, por edhe kulturore dhe historike. Pas takimit kreu i Bashkisë Gledian Llatja vlerësoi bashkëpunimin mes dy bashkive sikundër shtoi se”  shumë i lumtur për vizitën e kryetarit të Bashkisë së Ulqinit në Malin e Zi, mikut Aleksandar Dabovic.Marrëdhëniet shumë të mira mes vendeve tona duhet t’i çojmë në një tjetër nivel, atë të bashkëpunimit më të ngushtë mes Bashkisë së Elbasanit dhe Ulqinit në projekte konkrete për qytetarët tanë”.

Bashkia Elbasan në terren për të përballuar çdo situatë emergjente.

Shirat e rënë me intensitet të lartë  në Elbasan, kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme edhe në toka bujqësore.  Përroi i Gurrës në Shushicë si shkak i reshjeve të shumta filloi të dalë nga shtrati duke rrezikuar të mbjellat e banorëve të zonës. Ekipet tona të emergjencave civile dhe punëve publike janë në gatishmëri të plotë duke ndjekur në terren situatën e cila për momentin është normalizuar dhe çdo aks urban e rural është i kalueshëm. Rezervuari i fshatit Mlizë që i shërben banorëve të zonës për vaditje nga reshjet e dendura të ditëve të fundit filloi të dalë nga shtrati. Falë angazhimit në kohë të ekipit të punëve publike arritëm që të shmangim një emergjencë për fshatin dhe banorët e tij. Bashkia e Elbasanit gjatë stinës së verës dhe pranverës ka ndërhyrë në këtë zonë ndërsa do të jetë në gadishmëri për përrenjtë malorë si edhe për menaxhimin e rezervuareve gjatë të gjithë kohës. Një apel shkon për të gjithë banorët e Bashkisë Elbasan që në momentin më të parë që vërejnë një problematikë të sinjalizojnë përfaqësuses të pushtetit lokal në zonën e tyre.

 

112 vjet Normale, histori krenarie për Elbasanin!

Gati 112 vjet më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte fituar Pavarësinë, në kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme në Elbasan, u çel shkolla e mesme kombëtare ‘Normale’, e para e këtij lloji në gjuhën shqipe që përgatiste mësues për edukimin e brezave të ardhshëm. Hapja e shkollës ‘Normale’ u vendos nga Kongresi i Elbasanit, i mbajtur në gusht të vitit 1909 dhe në 1 dhjetor të po atij viti ajo çeli dyert për mbi 100 nxënës nga gjithë trevat shqiptare. Pedagogët shqiptarë të angazhuar në këtë shkollë ditën të shfrytëzonin arritjet intelektuale të sferës së arsimit, pedagogjisë, psikologjisë dhe të shkencave të tjera të zbatuara. Përmendim këtu Luigj Gurakuqi, drejtorin e parë të Normales, emrin e të cilit mban sot pasardhësja e saj, (Shkolla e Mesme Pedagogjike në Elbasan), Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Dhmitër Paparisto, Hysen Blloshmi, etj. ‘Normalja’  pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Shtypi i kohës e cilësonte shkollë e lartë. Dhe në të vërtetë ‘Normalja’ mbetet institucioni i parë për shumë dekada që përgatiti mësues në mbarë hapësirën shqiptare, me ndikim të gjerë në shtresat e popullsisë. Shkolla ‘Normale’, e njohur si rrezatimi i dritës së diturisë shqiptare, nisi të funksionojë në ndërtesën e Servet Bej Zylfit, në Elbasan dhe që në hapat e para u dallua për misionin historik kombëtar dhe arsimor. Në datën 1 dhjetor të vitit 1909 në bankat e shkollës u ulën 111 nxënës dhe pas 2  muajsh ky numër arriti në 140 nxënës, 70 prej të cilëve ishin nga Kosova, dërguar nga Hasan Prishtina. Aty mësohej matematikë, numëratore, gjeometri, algjebër, trigonometri, astronomi, mekanikë, fizikë, kimi, histori natyrore, anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji, mineralogji, gjuhë shqipe, shkronjtore, sintaksë, literaturë, retorikë, poetikë, turqisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, etj. Viti i parë mësimor u mbyll me sukses në vitin 1910 dhe nxënësit iu nënshtruan një sërë provimesh si në gjuhën shqipe, turqisht, matematikë, fizikë e kimi.  Ndër nxënësit e parë të shkollës ishin Emin Matraxhiu, Abedin Çaushi etj. Fill pas përfundimit të vitit të parë, ‘Normalja’ u mbyll, si pasojë e agresionit të Shevqet Turgut Pashës. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë do ta rihapnin sërish këtë shkollë në shkurt të vitit 1912, në mjediset e shtëpisë së Qemal Karaosmanit. Shkolla kishte tre klasë dhe rreth 80 nxënës me një personel prej katër vetësh. Viti shkollor u mbyll aty nën drejtimin e drejtorit Aleksandër Xhuvani. Më pas shkolla u mbyll sërish për shkak të periudhës së luftës dhe u rihap në 22 nëntor të vitit 1918 Në përvjetorin e 30-të të Pavarësisë Kombëtare, në vitin 1942, ‘Normalja’ mori emrin ‘Luigj Gurakuqi’. Aktualisht ajo quhet shkolla e mesme Pedagogjike dhe ndodhet në të njëjtën godinë ku ‘Normalja’ u çel gati 112 vjet më parë. Dialekti i Elbasanit, flitet sot në shumë treva, pikërisht nga kjo shkollë. Tashmë data e krijimit të ‘Normales’ së parë të Elbasanit përkujtohet çdo vit, dhe ajo ndodhet në cdo cep të Elbasanit.