Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Tetor 2023

BASHKIA, I JEP TITULLIN “QYTETAR NDERI” (pas vdekjes) PERSONALITETIT TË SHQUAR TË ARSIMIT JANI DODE

Në një ceremoni të ngushtë e familjare patëm kënaqësinë t’i jepnim titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Jani Dodes, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në fushën e arsimit si pedagog, studiues, hulumtues dhe metodist”. ⭐

Jani Dode ka lënë gjurmë në historikun e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, si një nga profesorët dhe drejtuesit më të suksesshëm të tij.

Nga 10.02 1999 deri 10.01.2008 Jani Dode ka qenë  Rektor i Universitetit “Aleksander Xhuvani”

Ka studiuar në  Universiteti i Tiranës Fakulteti i Shkencave të Natyrës – Dega Fizikë

SPECIALITETI,  Fizikant

GRADA SHKENCORE, “Kandidat i Shekncave”.

Kalendari Buxhetim me Pjesëmarrje

Në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesemarrje, Bashkia Elbasan fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj pjesëmarrje vendimmarrëse, të drejtpërdrejtë mbi hartimin e zbatimin e buxhetit dhe shpёrndarjes sё fondeve lokale.
Buxhetimi me Pjesëmarrje ёshtё njё proces qё menaxhohet nga organet vendore tё qeverisjes (bashki dhe këshill bashkiak) në bashkëpunim me komunitetet lokale, i cili duhet t’u japë zë dhe adresojë çështje të rëndësishme që lidhen me komunitetet, por sidomos do tё sigurojё pёrgatitjen dhe miratimin e njё buxheti publik vendor, i cili paraqet prioritetet dhe nevojat e qytetarёve.
Bashkangjitur po ju përcjellim kalendarin e takimeve të hapura me ju!

Java Europiane e Aftësive, vjen me Festivalin e Ushqimit në Elbasan

Java Europiane e Aftësive vjen në Shkollën Profesionale Elbasan me Festivalin e Ushqimit!

10 shkolla të mesme të arsimit profesional morën pjesë në këtë aktivitet ku fokusi ishte gatimi i pjatave të zonave të ndryshme të Shqipërisë.

I pranishëm në këtë Festival, kryetari i bashkisë Z. Gledian Llatja, i cili i ka mbështetur vazhdimisht aktivitetet e ndryshme të shkollave profesionale në Elbasan e vuri theksin tek larmia e traditave të qytetit të Elbasanit, duke filluar nga turizmi, kultura, si edhe kulinaria, e cila zë një vend të vacantë.

“Ne e kemi bërë traditë që bëjmë konkurse, e filluam vjet me Tiranën me fërgesën, kush do t’a fitonte konkursin e fërgesës, normalisht e fituam ne.

 Kur marr shembullin e fërgesës, marr shembull edhe të shumë gjellëve tona tradicionale që i kemi në shqipëri, sidomos Shqipëria e Mesme, ku spikat kultura, tradita, kulinaria, të gjitha bashkë.

 Por ne besoj disa gjëra i kemi ndarë, tavën e kosit, tavën e pistilit, qullin me arra dhe i kemi quajtur tonat.

 Sot jam shumë kurioz të shoh edhe të qyteteve të tjera dhe sidomos të gatuara nga duart e specialistëve, të mjeshtrave, dhe sidomos të atyre që pas disa kohësh do të mbajnë restorantet dhe ekonominë e turizmit në shqipëri”.

Në këtë kuadër kryebashkiaku ka falenderuar AKPA për reformën e madhe që ka ndërmarrë  që sipas tij “  me qëllimin kryesor i cili është të bëhemi gati për zhvillimin turistik që po i afrohet vendit, që po i afrohet Shqipërisë”.

Ndersa shtoi se “ këtë vit unë isha shumë krenar që pjesën më të madhe të resorteve e mbanin shkollat profesionale të Elbasanit dhe Qendra e Formimit Profesional në Elbasan,  në cdo restorant kudo që të shkoje në Jug në Durrës në Golem, kishe kuzhinierin, kamarierin, stafin, ishin të gjithë të dalë nga shkollat tona.

 Ne po mbajmë ekonominë turistike gjallë, jo vetëm të Elbasanit por të gjitha qyteteve, të gjitha, kush ka shkolla profesionale dhe qendra formimi profesional. Dhe për këtë duhet të bëhemi gati, ne kemi bërë një punë bindëse me të rinjtë tanë në Elbasan, që të rregjistrohen tek shkollat profesionale.

 Unë i them të gjithëve, gjendja ekonomike e një familje nuk varet gjithmonë nga shteti, por varet kryesisht nga individi.

 Nëqoftëse do të dalësh në treg pune shpejt, shkolla profesionale të nxjerr në treg pune shpejt.

  Erdhi koha e profesionistëve, të bëhemi të gjithë bashkë, ne si pushtet vendor, kështu sic jemi, Drejtoria e Përgjithshme, mësuesit, strukturat drejtuese lokale edhe të shkollës profesionale dhe të Qendrës së Formimit Profesionale, të bëhemi gati për të kapur trendin ekonomik dhe zhvillimin që po ndodh në shqipëri”.

Vlen të përmendet se vetëm gjatë këtij viti në Elbasan ka pasur 100% rritje të numurit të turistëve,dhe jo vetëm në zonën e  Treganit, ku ndodhen banjat termale të Llixhës, e cila ka pasur ritmin e vet të zhvillimit, por ka pasur edhe  një rritje të numurit të turistëve, në mbarë pikat e referimit të turizmit në Elbasan.

Në fillim të sfidës nxënësit u përshëndetën nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, z. Klevis Hysa dhe Specialistja e Edukimit, UNICEF Albania, znj. Mirlinda Bushati.

 Në fjalën e tyre ata theksuan rëndësinë e arsimit dhe formimit profesional dhe vlerësuan pjesëmarrjen e nxënësve në aktivitete të tilla ku ata fitojnë aftësitë me të mira për karrierën e tyre profesionale.

 Festivali eshte një sfidë fantastike kulinarie duke përdorur produktet më të mira lokale të çdo krahine, ku shkolla e Mesme Profesionale Elbasan zuri vendin e parë në sfidën e kuzhinës.

Tradita Vazhdon!

Tradita Vazhdon!

Të premten, në datë 27 tetor , ju mirëpresim në Labinot Mal!

Së bashku në festën e gështenjës, e cila është kultura kryesore në Labinot Mal!

Të promovojmë së bashku produktet bujqësore të zonës malore!

Buxhetimi me Pjesemarrje

Bashkia e Elbasanit nisi si çdo fund viti, një nga proceset më të rëndësishme të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, i cili organizohet tashmë prej më shumë se një dekadë, dhe që i paparin miratimit të buxhetit të bashkisë për vitin pasardhës.
Qëllimi i “ Buxhetimit me Pjesëmarrje”. Bashkia ka si synim vendosjen e një kontakti të vazhdueshëm me qytetarët dhe për të realizuar këtë ka nevojë të ketë dhe të perdorë mjetet e duhura për shpërndarjen e politikave të zhvillimit dhe ofrimin e shërbimeve publike tek çdo qytetar.
“Buxhetimi me Pjesëmarrje” është një proçes në të cilin qytetarët marrin pjesë në mënyrë aktive në vendimmarrjen për shpërndarjen e burimeve financiare publike.Ky proces nuk është vetëm konsultativ, por një proçes i drejtëpërdrejtë dhe diskutim demokratik për vendimmarrjen e pushtetit vendor.
Buxhetimi me Pjesëmarrje është vlerësuar si praktika më e mirë e bashkisë së Elbasanit, përsa i përket përfshirjes së qytetarëve direkt në vendimmarrje.

Workshop-i “Transformimi i ndryshimeve klimatike një sfidë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor, Europës dhe mbarë.”

Fjala e Kryetarit të bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar ministra, ambasadorë, partnerë e bashkëpunëtorë të bashkisë së Elbasanit,

Zonja dhe zotërinj, Mirë se erdhët në qytetin e bukur të Elbasanit, një qytet që jo vetëm është i mbushur përplot histori, por edhe sheh përpara drejt një të ardhmeje të qëndrueshme e gjithë jetë. Është një nder i padiskutueshëm për mua, si kryetar i bashkisë së Elbasanit, t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve ju që jeni bashkuar sot me ne për këtë takim të rëndësishëm, organizuar me mbështetjen e TAIEX-it. Jemi të lumtur që jeni me ne dhe entuziastë për potencialin e shkëlqyer që shtrihet përpara si pjese e programit “Qytetet neutrale ndaj klimës dhe inteligjente” për t’u shndërruar në qytete me ndikim asnjanës në klimë, ku ka ajër të pastër, transport më të sigurt dhe më pak mbingarkesë e zhurmë për qytetarët e tyre.

Një qytet i bekuar me trashëgimi të pasur historike dhe një të ardhme të ndritshme, Elbasani ka një pozitë gjeografike vërtet unike.

Historia e tij i ka rrënjët në shekullin II para Krishtit, ndërsa gjurmët e origjinës së qytetit shkojnë pas deri në vendbanimet e lashta ilire. Në shekullin II, qyteti njihej si “SKAMPA” e, më vonë, si “SKAMPINI”. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, Elbasani arriti të shndërrohej në një vendkalim kyç, duke u kthyer në një qendër të begatë urbane, ushtarake dhe fetare. Kjo histori mbresëlënëse shpjegon lidhjet e qytetit të rrënjosura thellë në antikitet dhe trashëgiminë e tij të përhershme.

Bashkia e Elbasanit është një zonë e larmishme dhe komplekse. Ajo përfshin një sipërfaqe të madhe prej 872 03 km², ku jetojnë afro 140 000 banorë.

Qyteti i Elbasanit shërben si qendra kryesore urbane, me 60% të popullsisë, ndërsa pjesa tjetër e banorëve janë të shpërndarë në një sërë njësish të tjera administrative, përfshi në terrene të thyera malore. Kjo larmi demografike e gjeografike paraqet sfida të veçanta për qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve. Përveç kësaj, bashkia është qendër shumë e rëndësishme ekonomike, që përfshin një gamë industrish të rënda dhe Parkun Kombëtar të Gjinarit, duke ofruar mundësi qoftë për turizmin natyror, ashtu edhe atë kulturor. Administrimi efektiv i këtyre elementeve të shumëllojshme kërkon strategji të përshtatura, që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e të gjithë banorëve.

Sot, Elbasani qëndron në prag të një epoke të re transformuese, përmes hapave të qëndrueshme dhe miqësore me klimën. Duke marrë frymëzim nga roli i tij historik si një kryqëzim dhe qendër urbane jetike, qyteti aspiron tanimë të ripërcaktojë vetveten si model përtëritjeje dhe si udhëheqës në aspektin mjedisor. Përmes bashkëpunimit me bashkitë homologe të BE-së, Elbasani mund të grumbullojë ekspertizë të pasur, një mori burimesh dhe praktikat më të mira për të rritur gjallërinë e tij urbane. Qytetet e BE-së ofrojnë informacione të vlefshme rreth zhvillimit të një infrastrukture të qëndrueshme, transportit ekologjik dhe planifikimit urban rezistent ndaj klimës. Me anë të kësaj mbështetjeje, Elbasani do të rifitojë pozicionin e tij kyç, jo vetëm si qendër historike, por edhe si shembull qëndrueshmërie e ndërgjegjësimi mjedisor, duke i dhënë formë një të ardhmeje të ndritshme, ndërkohë që ruan të shkuarën e tij të pasur.

Takimi për të cilin jemi mbledhur sot është një hap vendimtar në rrugën tonë të përbashkët drejt një të ardhmeje më premtuese e më të qëndrueshme. Ky është një mision që bën bashkë autoritete vendore, qytetarë të angazhuar, biznese, investues të përkushtuar dhe mbështetjen e autoriteteve kombëtare, që kanë të njëjtën aspiratë: të sjellin në jetë të paktën 100 qytete me ndikim asnjanës në klimë, deri në vitin 2030. Në këtë grup të shquar, jemi tejet krenarë që shohim Elbasanin, si një prej qyteteve kryesuese të kësaj përpjekjeje.

Të mbledhur këtu për këtë takim shumë të rëndësishëm, kemi pritshmëri të larta për shkëmbimin e paçmuar të njohurive e përvojave mes qyteteve partnere të BE-së. Besojmë se, duke ndarë histori suksesi dhe praktikat më të mira nga qytete të tjera që kanë nisur rrugëtimin drejt ndikimit asnjanës në klimë, mund të marrim frymëzim dhe orientim për vetë rrugën që Elbasani ka përpara. Identifikimi i nismave dhe strategjive që kanë sjellë rezultate të frytshme në mjedise të ngjashme është kyç për të ecur përpara. Përballja efektive me sfidat është përparësi dhe ne presim me padurim të angazhohemi në diskutime të hapura, të orientuara drejt zgjidhjeve, me partnerët tanë të shquar dhe ekspertët e fushës.

Këtu, në Elbasan, zotërojmë potencialin për t’u kthyer në udhëheqës të neutralitetit klimatik në Ballkanin Perëndimor, sidomos përmes zbatimit të një larmie nismash të qëndrueshme. Programi “Qytetet neutrale ndaj klimës dhe inteligjente” jo vetëm cakton objektiva ambicioze, por, po ashtu, nxjerr në pah rëndësinë e veprimeve konkrete dhe praktike. Ne jemi të vetëdijshëm që, për t’u arritur, këto objektiva kanë nevojë për burime financimi nga drejtime të ndryshme, si nga sektori privat, ashtu edhe ai publik dhe ne jemi tërësisht të përkushtuar për t’i siguruar ato, që t’i kthejmë aspiratat tona në realitet.

Bashkia e Elbasanit ka një përkushtim të plotë dhe angazhim aktiv drejt këtij objektivi ambicioz. Dedikimi ynë shfaqet qartë në përgatitjet që vazhdojnë për një raport i cili do të paraqesë gjetjet tona lidhur me aktorët, përfshirjen qytetare, parashikimet financiare dhe ekonomike, si dhe përparësitë kryesore që do të drejtojnë hapat tona në të ardhmen.

Bashkia e Elbasanit ka marrë një sërë masash themelore, për të rritur efikasitetin dhe për të siguruar një bashkërendim efektiv. Në bashki, kemi ngritur një grup pune për këtë mision. Po përcaktojmë në mënyrë aktive rolet dhe kompetencat e këtij grupi, për të siguruar zbatimin e masave pa asnjë pengesë. Po kështu, jemi të kënaqur që kemi mbështetjen e Institutit të Studimeve Urbane, një institucion i njohur për përvojën e pasur që zotëron me nismat për ndryshimin e klimës, përpjekjet për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore teknike.

Ashtu si shumë qytete të tjera në Ballkanin Perëndimor, Elbasani përballet me kufizime në fonde, kur vjen fjala për financimin e projekteve të klimës nga të ardhurat e veta. Megjithatë, përkushtimi ndaj zbatimit të këtyre nismave mbetet i palëkundur. Përveç partneritetit me programin, jemi përfshirë në mënyrë aktive në përpjekje bashkëpunimi me donatorë të nderuar, përfshi programe të tjera të BE-së, si dhe për të siguruar fonde në bazë të meritës nga qeveria qendrore. Këto partneritete shërbejnë si burime themelore të mbështetjes financiare, që është jetike për realizimin e ndryshimeve të nevojshme.

Ne jemi angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjen komplekse për përballimin e sfidave mjedisore dhe që lidhen me klimën. Këto përpjekje të mbështetura nga disa donatorë përfshijnë projekte për rritjen e rezistencës brenda ekosistemit lokal për të luftuar efektet e ndryshimit të klimës, hartimin e planeve të veprimit për klimën dhe energjinë e qëndrueshme, me qëllim uljen e emetimeve, identifikimin dhe përcaktimin e hartës së zonave të nxehta mjedisore, për të luftuar ndotjen dhe për të përmirësuar shëndetin publik,  nxitjen e zbatimit të lëvizjes me mjete elektrike me karbon të ulët dhe nxitjen e praktikave të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke u përqendruar veçanërisht te forcimi i ekonomisë lokale duke e bërë sektorin turistik më të qëndrueshëm përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe institucionalizimit. Këto projekte dëshmojnë përkushtimin që ka Elbasani ndaj qëndrueshmërisë, ruajtjes së mjedisit dhe uljes së emetimeve, çka nxjerr në pah vendosmërinë e tij për një të ardhme më rezistente dhe miqësore me ekosistemin.

Sidoqoftë, ne e dimë se nuk mund të ecim të vetëm në rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Është përpjekja e përbashkët, angazhimi i patundur i gjithë komunitetit tonë dhe përfshirja aktive e aktorëve që do të nxitë ecjen tonë përpara. Ne jemi gati të bashkëpunojmë dhe ftojmë të gjithë qytetarët, bizneset, organizatat dhe partnerët tanë të bëhen aktorë të pandarë të këtij misioni transformues. Ne jo vetëm i çmojmë pikëpamjet, idetë dhe kontributet tuaja, por ato janë vetë thelbi i përparimit tonë. Ju ftojmë të jeni aktivë, të ndani pikëpamjet tuaja të vlefshme dhe të bëhemi bashkë ndërsa nisim këtë rrugëtim entuziazmues. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më rezistente e miqësore me mjedisin për Elbasanin.

Në mbyllje, Elbasani është plotësisht i vendosur për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në Misionin për Qytete me Ndikim Asnjanës në Klimë dhe Qytete Inteligjente. Përmes bashkëpunimit, novacionit vendosmërisë së përbashkët, synojmë të udhëheqim rrugën drejt qyteteve të qëndrueshme dhe me ndikim asnjanës në klimë. Ju bëj thirrje të gjithëve ju pjesëmarrësve në takim të jeni aktivë, të ndani idetë tuaja të vlefshme dhe të bashkoheni me ne në këtë udhëtim entuziazmues.

Çdonjëri këtu ka një rol jetik për të luajtur. Përfshihuni, jepni kontribut dhe ndani ekspertizën tuaj ndërsa punojmë së bashku për t’i dhënë formë një të ardhmeje të qëndrueshme, rezistente dhe të ndërgjegjshme për mjedisin. Duke bashkuar forcat, mund të transformojmë jo vetëm Elbasanin, por edhe të tjera qytete të Ballkanit Perëndimor në qytete me ndikim klimatik asnjanës.

Ju falemnderit që jeni këtu dhe uroj për të gjithë ne një takim produktiv e transformues.

Ju falemnderit.

Maratona “ Skampa Elbasan” , qyteti mikpritës i vrapuesve nga vende të ndryshme të botës1600 vrapues të moshave dhe shteteve të ndryshme janë mbledhur në eventin e organizuar për herë të parë “ Skampa Elbasan”.

Maratona e cila zhvillohet për herë të parë, ka sjellë një angazhim të pjesëmarrësve nga Shqipëria si edhe vende të ndryshme të botës, të cilët kanë vrapuar në disiplinat 5, 10 dhe 21 km.
Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, synimi është që ky aktivitet të kthehet në traditë, pasi ka një ndikim edhe në turizëm.
“ Qyteti e ka mirëpritur dhe ne do t’a kthejmë në traditë maratonën “ Skampa Elbasan”.
Qyteti ka qenë plot këto ditë para startit të këtij aktiviteti, të gjithë hoteleritë kanë qenë të mbushur me miq të ardhur nga vende të ndryshme të botës, por edhe artëdashës së këtij sporti”.
Maratona e cila realizohet në muajin tetor, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, përcjell edhe mesazhin sensibilizues së luftës kundër kancerit të gjirit , si edhe të drejtat e fëmijëve.
Mesazhet e përcjella në këtë maratonë kishin një emërues të përbashkët, për një shëndet më të mirë, mirëqenie dhe shumë pozitivitet në jetë.
Në maratonën “ Skampa Elbasan “ 2023 morën pjesë vrapues nga 16 vende të botës, si Anglia, Austria, SHBA, Sllovenia, Ukraina, Gjermania, Serbia, si edhe Shqipëria.
Në përfundim të aktivitetit u ndanë dhe çmime për fituesit.