Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Qershor 2026

Qeverisje e hapur dhe vendimmarrje me evidencë, praktika e bashkisë së Elbasanit merr vlerësim kombëtar

Bashkia Elbasan prezantoi praktikën mbi validimin dhe pasurimin e indikatorëve të performancës gjatë Takimit të Forumit të Performancës, të zhvilluar më 28 maj 2026 në Tiranë, organizuar nga Shoqata Kombëtare e Bashkive në bashkëpunim me projektin Bashki të Forta.

Praktika e Bashkisë Elbasan u përzgjodh ndër praktikat më të mira për prezantim, së bashku me Shkodrën dhe Pogradecin, duke ndarë një qasje që synon ta kthejë performancën nga një proces teknik raportimi në një instrument real për vendimmarrje, transparencë dhe përmirësim të shërbimeve publike.

Përmes kësaj praktike, Bashkia Elbasan prezantoi mënyrën se si përdorimi i evidencës, validimi i indikatorëve dhe bashkëpunimi ndërmjet drejtorive sektoriale, në ndërthurje me qeverisjen e hapur përmes Forumit OGP, po ndihmojnë në ndërtimin e një administrate më transparente, më të bazuar në të dhëna dhe më pranë qytetarëve.

Një tjetër hap drejt forcimit të kulturës së performancës dhe qeverisjes vendore të bazuar në evidencë.

HK Elbasani shpallet Kampion Kombëtar në Hendboll për Meshkuj

U zhvillua ndeshja finale e Play-Off-it të Kampionatit Kombëtar të Hendbollit për meshkuj, ku u përballën dy skuadrat finaliste HK Elbasani dhe US Tirana.

Në një sfidë të fortë dhe plot emocione, pjesa e parë u mbyll me rezultatin 10–8 në favor të elbasanasve, ndërsa ndeshja përfundoi me fitoren e merituar të HK Elbasanit 27–25.

Me këtë sukses, HK Elbasani shpallet kampion kombëtar për sezonin 2025–2026, duke ngritur lart emrin e klubit dhe të qytetit.

Një arritje e madhe për skuadrën, lojtarët dhe trajnerin Fabio Lufta, të cilët sollën një tjetër titull të rëndësishëm për sportin elbasanas.

Ky triumf përfaqëson një moment krenarie për klubin, tifozët dhe gjithë qytetin e Elbasanit, i cili edhe një herë ngjitet në majë të hendbollit shqiptar.

Buzëqeshje dhe festë në Elbasan, fëmijët kremtojnë 1 Qershorin

Në fushën sportive “Shefqet Lamçja”,  fëmijë të kopshteve nën kujdesin e Bashkisë Elbasan festuan së bashku Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në një atmosferë të mbushur me ngjyra, gëzim dhe emocione.

Këngë, valle, lojëra sportive, aktivitete argëtuese, vizatime dhe performanca të përgatitura me shumë dashuri nga vogëlushët e kthyen këtë hapësirë në një festë të vërtetë për fëmijët dhe familjet e tyre. Entuziazmi i tyre pushtuan çdo cep të fushës sportive, duke krijuar një atmosferë festive që pasqyroi më së miri shpirtin e 1 Qershorit.

Në këtë ditë të veçantë, pranë fëmijëve ishte edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili u përcolli urimet më të ngrohta vogëlushëve, bashkëbisedoi me ta dhe ndoqi nga afër aktivitetet e organizuara. Ai vlerësoi rëndësinë e krijimit të hapësirave dhe mundësive që nxisin zhvillimin, kreativitetin dhe lumturinë e fëmijëve.

1 Qershori në Elbasan u shndërrua kështu në një festë të madhe të fëmijërisë, ku buzëqeshjet, talenti dhe energjia e fëmijëve dhanë mesazhin më të bukur për të ardhmen.

Investimi më i çmuar për çdo komunitet mbetet kujdesi dhe përkushtimi ndaj brezit të ri.