Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Drejt përfundimit rehabilitimi i lulishtes qendrore të Elbasanit.

Lulishtes së re në qendër të qytetit po i jepet dora e fundit. Në përfundim të punës për rindërtimin e Xhamisë së re të Ballies, plotësohet tabloja e një vepre arkitekturore moderne që i shtohet suvenireve të veçanta të Elbasanit.  

Lulishtja e re, së shpejti do të  kthehet në shërbim të komunitetit me mjedise të gjelbëruara dhe vendpushime çlodhëse.  

Projekti i investimit përfshiu zonën përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, pozicionuar ndërmjet xhamisë së Ballies dhe teatrit “Skampa”.  

Në zonën e rehabilituar, punimet përfshinë trajtimin e hapësirave publike urbane me elementë të rëndësishëm arkitektonik bashkëkohor, gjelbërim, dekoracione artistike dhe ndriçim i ambientit.  

Ky investim me financim nga qeveria shqiptare dhe zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon të rrisë cilësinë e ambienteve të hapura publike dhe të ofrojë një hapësirë dinamike për ushtrimin e aktiviteteve artistiko-kulturore, në shërbim të qytetit të Elbasanit.

Dita e Verës/ 27 organizime festive në 6 pika të qytetit!

Edhe pse ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, festimet e Ditës së Verës, e kanë kryeqendrën në Elbasan. Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, pas dy viteve mungesë për shkak të pandemisë, festimet e Ditës së Verës, startuan që në datë 10 Mars për t’u finalizuar drekën e 14 Marsit. 27 organizime festive në 6 pika të qytetit të Elbasanit, kjo ishte edhe harta e festimeve në prag të Ditës së Verës, deri në perëndimin e 14 Marsit. 
Këtë të hënë kanë qenë me mijëra qytetarë jo vetëm nga Elbasani, por edhe  nga gjithe Shqipëria  që kanë festuar ditën e verës në qytetin e traditës së kësaj feste. Festimet  në Elbasan nisën gjallërinë e tyre mbrëmjen e 10 marsit, për të vijuar deri në datën 14 mars deri sa dielli nis të perëndojë. Fëmijët e Kopshteve të Bashkisë së Elbasanit, ishin edhe lajmëtaret e para të festimeve të Pranverës. Tek Parku ” Rinia” dhe jo vetëm, fëmijët kanë organizuar aktivitete të ndryshme, me këngë, dhe valle.   Aktivitetet kanë vijuar me Festivalin Folklorik Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare, i cili mblodhi në Elbasan në edicionin e tij të XVII  më shumë se 11 asamble dhe trupa nga të gjithë trevat shqiptare. Si pjesë ikonike e Ansamblit ” Isuf Myzyri” Bashkia e Elbasanit vlerësoi dy bilbilat e këngës popullore Vëllezërit Zena me titullin ” Qytetar Nderi” akorduar nga Këshilli Bashkiak për merita të veçanta në zhvillimin e artit, kulturës dhe ruajtjen me fanatizëm të motiveve tipike elbasanase. Aktivitete dhe larmi festive në të gjithë qytetin. Pallati i Sportit në Elbasan, organizoi finalen e maratonës sportive ” Lëvizja Olimpike” mes shkollave 9 – vjeçare dhe të mesme të Bashkisë Elbasan. Kupa e Luleve në Basketboll shkoi për djemtë e shkollës ” Kostandin Kristoforidhi” dorëzuar nga vetë kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja. Aktivitetet festive vijuan edhe në datat 12 dhe 13 Mars, ku 17 grupe nga të gjithë trojet shqiptare sollën traditat, kulturën dhe kostumografinë e tyre në një “defila” për herë të parë në Elbasan. Ishin fëmijët ata të cilët ngritën edhe balonat e Ditës së Verës. Ndërsa me qindra qytetarë jo vetëm nga Elbasani, por nga vende të ndryshme të vendit, kanë shijuar mbrëmjen e 14 Marsit jashte në shesh, ku nën ritmin  e këngëve të artistes së njohur Aurela Gaçe dhe grupit më të njohur Elita 5 për më shumë se 5 orë kanë shijuar dhe festuar  ardhjen e Ditës së Verës. Një koncert i madh festiv i cili i kishte munguar Elbasanit prej dy vitesh, i cili u finalizua me fishekzjarre që mbuluan qiellin e Elbasanit për disa minuta. Mëngjesi i së hënës, ka gjetur fëmijët në shesh, aktivitete të ndryshme parada e karnavaleve, maratona dhe gara e çiklizmit mes shkollave të qytetit, si edhe Panairi Industrial dhe ai i Sportit, ishin të tjera aktivitete në kuadër të Festës Pagane të Ditës së Verës në Elbasan. Panairi i zejeve dhe bizneseve të Elbasanit një mundësi fantastike për të promovuar punën dhe kreativitetin e njerëzve të thjeshtë që e kanë ndërtuar ekonominë dhe te ardhmen falë aftësive të tyre. Ekspozita fotografike e festimeve ndër vite në Muzeun Etnografik dhe në lulishten e rehabilituar pranë Xhamisë së Ballies, ishin dy nga pikat më interesante për vizitorët e shumtë të qytetit. Sofra e Elbasanit, një traditë shekullore që çdo 14 Mars hap dyert për të gjithë miqtë e qytetit për t’i uruar mirëseardhjen pranverës, do të mbyllte edhe aktivitetet për këtë ditë të shënuar festive për Elbasanin. Kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja, bashkë me deputetët e Elbasanit, patën nderin të prisnin miq nga i gjithë vendi dhe jashtë vendit  në këto ditë feste, duke i falenderuar që u bënë pjesë e festimeve në qytetin e Elbasanit, aty ku edhe ka lindur kjo festë që nga lashtësia. Ndërsa, dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga vende të ndryshme të Shqipërisë, dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë. Dita e Verës  është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës. 

Programi Ditës së Verës në Elbasan

“Dita e Verës”  është festuar në qytetin e Elbasanit me ritualin shekullor, me dalje në natyrë, pa e  prishur traditën e bukur dhe të veçantë, të trashëguar  ndër breza. Sipas të moshuarve, pragfesta, dita e festës dhe një muaj më pas, njerëzit sheshonin gjithë kontradiktat, zënkat dhe mëritë. ”Dita e Verës”, fitonte kështu një “status” krejt të veçantë, duke imponuar mirësinë, paqen dhe qetësinë. Në këtë kuadër, Bashkia e Elbasanit ka hartuar një program të gjerë festimesh për këtë ditë të shënuar më së shumti për elbasanllinjtë të cilët prej shekujsh e kanë festuar këtë ditë.  

Programi për ditën e Verës  

Data 09 -10- 11 Mars  

Fëmijët e kopshteve të Bashkisë Elbasan festojnë ardhjen e pranverës: Parku “ Rinia”/ 10:00  

Kampionati i basketbollit dhe volejbollit:   Pallati i Sportit/ 11:00  

Nata finale e Festivalit për Fëmijë  “ Zërat Pranverore”  

Qendra Rinore Elbasan/ 16.00  

 Data 12 Mars  

 Panairi i Zejeve :    Parku “Aqif Pasha” / 10:00  

 Panairi Industrial :  Lulishtja Valmi/ 10:00  

Koncert i Harqeve : Kisha Shën Maria Kala / 10:00  

 Karaoke : Parku “Rinia”  / 18: 00  

 Koncert: “ Një lulisht me trëndafila”    : Teatri “ Skampa” 18:00      

 “ De file” parakalimin e grupeve popullore me veshje tradicionale : Sheshi Gensher/ 18:00  

Data 13 Mars  

Panairi i Zejeve :    Parku “Aqif Pasha”/ 10:00  

 Panairi Industrial :  Lulishtja Valmi/ 10:00  

Ekspozita fotografike e Elbasanit ndër vite : Muzeu Etnografik / 10:00  

Dance Street, Dita e Balonave : Stadiumi Elbasan Arena / 11:00  

Minikampionati i futbollit / Kompleksi “ Ajek” / 13.00  

Koncerti i Mbrëmjes Nata e Verës 2022 : Sheshi “Gensher” / 20:00  

                                            Data 14 Mars  

Ekspozita fotografike e Elbasanit ndër vite : Muzeu Etnografik / 10:00  

Parada e Karnavaleve : Sheshi “ Gensher” / 10:00             

Panairi i Sportit: Stadiumi Elbasan Arena / 08:00  

Këndi i Lojrave popullore: Kodra e Krastës/ 10:00  

Panairi industrial / Lulishtja Valmi/ 10:00  

Koncert Live : Elita 5 / Sheshi “ Gensher” / 11.00   Ftojmë të gjithë qytetarët elbasanas, por edhe miqtë nga vendi dhe diaspora të bëhen pjesë e festimeve në qytetin e Luleve!

 

Nëna dhe mësues!

Gëzuar festat e 7 – 8 Marsit!

Me mirënjohje Ju urojmë shëndet dhe mbarësi në jetën tuaj, pasi Ju jeni ruajtësit e traditës dhe kulturës Shqiptare!

Nderim dhe respekt për të gjithë ish Normalistët, mësuesit, për figurat e ndritura të kombit, të cilët kanë depërtuar errësirën  me dritën e dijes dhe arsimimit, gjeneratave ndër vite!.

Mirënjohje për jetë për kontributin fisnik dhe të shenjtë të mësuesit.

Urime festa e 7 Marsit të nderuar qofshit deri në pafundësi mësues të respektuar.

Të gjitha Zonjat Shqiptare kudo që janë Gëzuar festën e 8 Marsit, ditën ndërkombëtare të të drejtave të tyre!

Suksesi dhe mbarësia qoftë gjithmonë udhërrëfyes në jetën tuaj të vyer!!

Nënave, grave, motrave, vajzave, ju urojmë nga zemra, vetëm gëzim dhe lumturi paçin gjithmonë në jetë.

Gëzuar 8 Marsin NËNA të dashura! Ju që me aq mund e sakrificë na rritët dhe na edukuat, Ju që na falni pa fund dashuri.

Mirënjohje dhe dashuri pa fund NËNA të dashura!”.

Shumë risi dhe të rinj me profesion në Qendrën Rajonale të Formimit Profesional!

Qendra Rajonale e Formimit Profesional, e ka kthyer tashmë në traditë që pas përfundimit të kurseve e të rinjve në fusha të ndryshme të punësimit, të organizojë edhe ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave të trajnimit në këtë qendër. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, nën shoqërinë edhe të deputetëve të qarkut, ka marrë pjesë  në ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave për 100 të rinj që tashmë kanë një zanat dhe janë të aftë profesionalisht për tu punësuar në sektorin privat dhe shtetëror. Kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja e vuri theksin tek bashkëpunimi që institucioni i Bashkisë ka me Zyrën e Punës si edhe me Këshillin e Biznesit, ç’ka sipas tij ka bërë të mundutr edhe punësimin e të rinjve të cilët trajnohen prej disa muajsh në këtë qendër në profile të ndryshme. “ Bashkia ka një këshillë të bizneseve me shumë vlerë, ku edhe marrim mendimet kur ato kanë nevojë të zhvillohen. Energjia e rinovueshme është një nga trendet e ekonomisë, dhe ne tashmë së shpejti do ta bëjmë pjesë të kurseve në QRFP”, tha Llatja. Z.Damian Gjiknuri ka inkurajuar të rinjtë që të bëhen pjesë e kurseve profesionale për një të ardhme të garantuar. “ Të ndjeheni krenar, pasi fitoni një profesion, është një çertifikatë sigurie për të ardhmen. Fakti që po merrni një zanat është gjëja e duhur. Më vjen mirë që po rikthehet profesioni, pasi sot ka shumë nevojë për punë, për një profesion, pasi e ardhmja është e garantuar. Elbasani ofron shumë mundësi sepse është një zonë me karakter industrial, dhe investimet do të shtohen, ndaj dhe do të ketë akoma më shumë nevojë për punësim, për shkak edhe të pozicionit gjografik, afër kryeqytetit, dhe portit”. Qendra Rajonale e Formimit Profesional është shembulli më i mirë se si një i ri apo punëkërkues orientohet, formohet dhe adresohet në dobi të tregut të punës. Më shumë se 1 mijë praktikantë të certifikuar në Elbasan gjatë vitit 2021 që kanë ndjekur programet e formimit profesional dhe disa prej tyre kanë arritur të hapin sipërmarrjet e tyre duke u vetëpunësuar. Gjatë kësaj periudhe në Qendrën Rajonale të Formimit Profesional është përmirësuar cilësia e kabineteve nëpërmjet bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm, kabineti i ndërtimit, automekanikës, parukeri, estetikë, kursi i berberit, apo manikyr pedikur. Kjo qendër është e përhapur në të gjithë bashkitë e qarkut.

 Llatja/ Po merr zhvillim investimi për Automoto Parkun dhe Lungo Fiume!

Bashkia Elbasan ka rinisur punimet për zgjatimin e rrugës “Borodin Mitarja” i cili do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve drejt varrezave publike të qytetit, por që cilësohet edhe si rruga kryesore hyrëse e automoto parkut si edhe Lungo Fiumen. Punimet të cilat kanë nisur me intensitet të lartë i ka inspektuar Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja duke i bërë edhe një prezantim të këtij projekti edhe Z. Damian Gjiknuri. “ Pas rishikimit të projektit për ndërtimin e rrugës së re “Borodin Mitarja” drejt varrezave të qytetit, na u desh të ndërhynim në një vepër komplekse infrastrukturore dhe nënkalimin e saj për t’a kthyer në funksion të Automoto Parkut dhe shëtitores së Krastës buzë lumit Shkumbin. Pak ditë më parë kemi rinisur punimet në këtë vepër të rëndësishme që i çel rrugën transformimeve të mëdha për Elbasanin dhe Shqipërinë, pasi Automoto Parku do ta ngjisë Elbasanin në një tjetër nivel rajonal dhe ndërkombëtarë”, tha në fjalën e tij Z. Llatja. Aktualisht kanë përfunduar kanalizimet e ujrave nëntoksore, si edhe ndarja që do të vijë për rrugën e Automoto Parkut, por edhe shëtitores në Lumit Shkumbin. Zgjerimi i kësaj rruge do të lehtësojë dukshëm trafikun që krijohet tek “Kryqëzimi i Cerrikut”. “ Kjo zgjidhje ne na jep një akses të ri, është një kalim që do të realizohet poshtë shinave të trenit  me standarte të larta, dhe paralelisht do të nisin punimet e kanalizimeve të ujrave të zeza tek “ Gorga”, si edhe në projekt është parashikuar edhe një vend i posaçëm për parking, rreth 120 poste makinash për t’i ardhur në ndihmë jo vetëm varrezave të qytetit, por edhe banorëve të lagjes “Emin Matraxhiu”, shton Z.Llatja. Është një projekt i përgjithshëm, ku pëfshihet ndriçimi, asfaltimi, trotuaret, sipas të gjitha parametrave normale. Për Z. Damian Gjiknuri, ky investim do të sjellë shumë zhvillim për qytetin e Elbasanit. “Ky investim do ti shërbejë jo vetëm varrezave të qytetit, por edhe investimit që do ti realizohet  Automoto Parkut, ku do të zhvillohen sporte të karaktereve të ndryshme, i cili nuk do t’i vlejë vetëm Elbasanit  por edhe qyteteve të tjera. Është një investim i ri, i cili do të ketë një shkallë më të gjerë të përfitimit ekonomik të Elbasanit. Kjo pjesë e parë e këtij investimi, do të jetë një zhvillim shumë i mirë për Elbasanin, shtoi Z. Gjiknuri.

Llatja/ Investimet në terrenet sportive vazhdojnë!!

Bashkia e Elbasanit një prioritet të veçantë vazhdon t’i kushtojë edhe investimeve në terrenet sportive të qytetit por jo vetëm. Pas rimodelimit të minikalçetos së futbollit në Kompleksin Sportiv” Shefqet Lamçja”, si edhe rrethimit të saj, një tjetër investim, i cili thuajse ka transformuar totalisht Pallatin e Sportit ” Tomorr Sinani”, është parketi, i cili kishte shumë dekada pa u ndërruar.  Gjatë një takimi me sportistët vajza dhe djem basketbollistë të ekipit të Elbasanit, kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja inkurajoi të rinjtë të jenë pjesëmarrës në sporte të ndryshme.Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja në mbështetje të ekipeve sportive në Elbasan, premtoi se brenda këtij viti do të nisë edhe sistemi i ndriçimit të Pallatit të Sportit, si edhe ndryshimi i karrigeve.” Nëse të rinjtë afrohen tek sporti, tek të gjithë terrenet sportive që ne kemi, aq më pak të rinj me vese do të ketë në qytet. Angazhimi në sport, është prioriteti ynë.  Kemi disa projekte jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale, sa i përket pjesës së transportit, me qëllim që të rinj dhe fëmijë afrohen dhe të bëhen pjesë e skuadrave tona.  Do të jetë një arritje nëse e bëjmë bashkinë gjithëpërfshirëse jo në qytet por edhe në zonat rurale”, tha Llatja. Shumë shpejt Bashkia Elbasan do të nisë investimet në dy palestrat e shkollës Luigj Gurakuqi ( Pedagogjike). Këtë vit, Bashkia Elbasan ka rritur edhe buxhetin për terrenet sportive prej 7 %, dhe sipas kreut të Bashkisë ” çdo vit do të vijojmë të kemi përmirësime dhe rritje të buxhetit. Ndaj ju ftoj të na nderoni! Elbasani është një qytet që e do sportin, i do rezultatet dhe arritjet që i këmi bërë ne të gjithë bashkë dhe detyrimisht kur e do i gjithë qyteti absolutisht ne e kemi për detyrë të bëjmë punë të mira”, tha Z. Gledian Llatja. Drejtori i Sportit Artin Kovaçi, vlerësoi ekipet shumësportesh në Elbasan, duke e vënë theksin se ka kohë që sportet në qytet kanë nisur të ringrihen.

Panairi i Makinave, vjen për herë të parë në Elbasan.

Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, për herë të parë në Shqipëri në llojin e tij , është organizuar Panairi i Makinave.  

Sheshi “ Gensher” është kthyer në një pistë me makina luksi, ku ka mahnitur mbarë qytetarët elbasanas, kurioz për të parë nga afër këtë manifestim mjetesh.  

Për kryetarin e  Bashkisë së Elbasanit “ Panairi i Makinave” është organizimi i parë në llojin e tij në Shqipëri, i cili me nisjen edhe të punimeve të Automoto Parkut”,  Elbasani do të kthehet në epiqendrën e rajonit për komunitet e automotorizmit, pistën e garave F1 dhe hapësirën dedikuar RETRO.  

Panairi i Makinave më luksose ka mbledhur në Elbasan të apasionuarit pas automjeteve të fundit apo me fuqi motorike të madhe  si një pikë takimi për të shkëmbyer eksperiencat dhe historitë aventureske.

Ndertimi i argjinatures mbrojtese pergjate lumit Shkumbin

Prioriteti i Bashkisë për këtë vit, investime në zonat rurale dhe periferike  

Një tjetër investim ka përfunduar falë mbështetjes së Bashkisë Elbasan.  

 Bëhet fjalë për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin në dy fshatrat Ullishtaj dhe Vidhas të njësisë administrative Papër.  

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër përfundimin e punimeve të kësaj prite lumore, duke pohuar se “ 6 ha toke në fshatrat Ullishtaj dhe Vidhas, janë shpëtuar si pasojë e ndërtimit të argjinaturës, që herë pas here në raste shirash shkaktonte përmbytje dhe dëme në bujqësi”.  

Në kohë reshjesh gjatë stinës së dimrit situata në këto dy fshatra bëhej e rrezikshme për 20 familjet që jetonin në këtë zonë për shkak se Lumi rrezikonte që ti përmbyste.  

  Sipas Kryebashkiakut Gledian Llatja ky ishte një investim jetik që i shpëton nga përmbytja dhe gërryerja banorët e asaj zone, ndërsa shtoi se “ po përgatitemi të bëjmë edhe një pritë lumore edhe në pjesën fundore në qytetin e Elbasanit me një gjatësi prej gati 2.4 km.  

Investimi në argjinaturën e Lumit Shkumbin ishte mëse i domosdoshëm për shkak së ndërhyrja aty kishte munguar prej shumë vitesh.  

Në sinkron, me argjinaturën, një tjetër investim në infrastrukturë për banorët e fshatit Kuqan, i ardhur si pasojë e kërkesave të kahershme nga ana e tyre.  

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër përfundimin e rrugës së asfaltuar të këtij aksi rural që i vjen në ndihmë më shumë se 300 familjeve dhe fëmijëve për dy objektet arsimore më të afërta.  

Kryetari i Bashkisë pohon se “ ishte kërkesë e kahershme e banorëve të fshatit Kuqan. Ne kemi një vëmëndje të shtuar në të gjithë zonat rurale dhe periferike, dhe ky vit do të jetë i përqëndruar në problematikat që kanë banorët në fshat por edhe në qytet”.  

Rruga e re e lagjes së Kishës në Kuqan, është një arterie e rëndësishme për 1500 banorë të asaj zone që tashmë gëzojnë një infrastrukturë me standarde.  

Banjot termale të Llixhave, me infrastrukturë dhe komoditet për turistët

Flota e makinerive të Bashkisë Elbasan  tashmë është ndalur në pikën turistike të Llixhave, burimet e së cilës janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës romake. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër vijimin e punimeve në infrastrukturë në këtë zonë, i cili pohon se “  kemi nisur përgatitjet për të mirëpritur shumë turistë në nisje të sezonit kurativ në Banjot Termale të Llixhave të Elbasanit. Bashkia po vijon punën për asfaltimin e rrugëve të brendshme lidhëse të kësaj njësie administrative”. Qëllimi është nisja e një sezoni të mirë turistik kurativ në Llixhat e Elbasanit, ku tashmë po punohet në asfaltimet e rrugëve kryesore që lidhen me hotelet, pasi  janë gati 7000 turistë që freëkuentojnë qendrën e Llixhës. Sipas Kreut të Bashkisë, investimet nuk kanë ndalur asnjëherë në këtë zonë turistikë, ku vlen të përmenden ndërhyrjet e mëparshme në këtë qendër, si në gjelbërim, ndriçim, ndësra tashmë po ndërhyhet në infrastrukturë.  Qëllimi  i Bashkisë së Elbasanit është që t’i ofrojmë turistëve komoditet në infrastrukturë, por edhe vetë banorëve të zonës. Llixhat ndodhen në fshatin Tregan të kësaj Njësia Administrative dhe njihen si një pasuri shekullore jo vetëm për qytetin por për mbarë vendin.