Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Maj 2024

Gledian Llatja pret një grup biznesesh turq nga themelimi “Musiad Albania” në Shqipëri

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja priti në zyrën e tij një përfaqësi biznesmenësh turq të “MUSIAD ALBANIA”, degë e re e Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve (MUSIAD) në Shqipëri. Kjo shoqatë, e themeluar në Stamboll në vitin 1990, është një organizatë ndërkombëtare me mbi 14,000 anëtarë, 60,000 biznese dhe mbi 2 milion të punësuar në mbarë botën.

Kryetari Gledian Llatja shprehu kënaqësinë e tij për këtë nismë të re dhe mundësitë e bashkëpunimit që do të ofrojë për komunitetin e biznesit shqiptar dhe atë turk. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve të ndërsjellta, duke theksuar se ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Është kënaqësi që të prisja në zyrë përfaqësuesit e ‘MUSIAD ALBANIA’ dhe të njihesha me këtë nismë të re. Jemi të gatshëm të mbështesim çdo iniciativë që ndihmon në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe vendit tonë,” u shpreh Llatja.                                        MUSIAD numëron 85 degë brenda Turqisë dhe 180 degë jashtë saj, në 81 shtete të ndryshme. Shqipëria është shteti i 91 që pret MUSIAD-in, duke iu shtuar kështu rrjetit të madh të bizneseve që përfaqësohen nga kjo shoqatë.

Gjimnazistët i prezentojnë projektin “Kopshtiet e Pemëve të Humbura” Kryetarit të Bashkisë Elbasan

Një grup gjimnazistësh nga shkollat “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri” në Elbasan kanë prezantuar një projekt të veçantë para kryetarit të bashkisë z. Gledian Llatja.

 Projekti i titulluar “Kopshtiet e Pemëve të Humbura” synon të rivendosë lidhjen mes brezit të ri dhe natyrës duke promovuar rëndësinë e ruajtjes së bimësisë lokale.

Në prezantimin e tyre, Drejtoresha Rajonale e Arsimit Vesa Llanaj Lico, theksoi se “ky projekt është krijuar për të rritur ndërgjegjësimin mbi lidhjen njeri-natyrë. Ata kanë mbledhur informacion të detajuar për disa lloje bimësh të harruara dhe e kanë përfshirë atë në kode QR”.

Ndërsa sipas gjimnazistëve dhe mësuesve të tyre “ në total janë krijuar nëntë faqe interneti të dedikuara për nëntë lloje bimësh, të cilat mund të aksesohen duke skanuar kodet QR të vendosura në natyrë:.

Kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja përgëzoi të rinjtë për iniciativën dhe premtoi mbështetje të plotë për ta çuar përpara këtë projekt. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj tradite në shkolla, duke inkurajuar brezat e ardhshëm të kontribuojnë dhe ta pasurojnë më tej. Kryetari garantoi se bashkia do të ndihmojë në publikimin dhe mirëmbajtjen e faqeve të internetit për t’i bërë ato më të aksesueshme dhe më të përpunuara.

“Dy gjimnazet, të njohura për konkurencën e tyre të gjatë, kanë bashkuar forcat për këtë projekt të rëndësishëm, duke synuar jo vetëm rikthimin e traditës së luleve dhe pemëve në Elbasan, por edhe krijimin e një atraksioni turistik që identifikon dhe promovon bimësinë lokale. Ky projekt do të shërbejë si një shembull frymëzues për të gjithë qytetin”, shtoi ndër të tjera Llatja.

Në fakt qyteti i Elbasanit në të vërtetë është njohur për lulet e tij të bukura dhe trashëgiminë e pasur botanike që ka ruajtur përgjatë shekujve.

 Kjo është një karakteristikë e rëndësishme e qytetit, e cila ka bërë që Elbasani të dalë në pah për bukurinë natyrore dhe të krijojë një identitet të veçantë kulturor.

Bum turistësh në Llixha, emigrantët po rikthehen duke hapur bizneset e tyre

Llixhat kurative të Elbasanit po përjetojnë një bum të paprecedentë turistësh këtë sezon, duke sjellë një gjallërim të ndjeshëm të ekonomisë lokale. Kjo rritje e numrit të vizitorëve ka nxitur një lulëzim të bizneseve në zonë, dhe shumë vendas që kanë jetuar jashtë po rikthehen për të shfrytëzuar pasuritë natyrore të vendit të tyre.

Një nga këta është Landi, i cili sapo është kthyer nga Anglia për të marrë në menaxhim një biznes familjar në Llixhat e Elbasanit. Me praktikat e tij të reja dhe moderne të menaxhimit, Landi shpreson të sjellë një frymë të re në zhvillimin e turizmit në këtë zonë të veçantë.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledia  Llatja në një takim të fundit me Landin, e përshëndeti këtë nismë dhe theksoi rëndësinë e turizmit kurativ në rajon. “Këto janë modelet e mira që sjellim ne dhe që duhet të ndjekin ata që kanë jetuar jashtë vendit. Është një frymë e re për zhvillimin ekonomik të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë,” tha kryetari.

Biznesi i hapur rishtaz ofron një paketë të plotë shërbimesh me çmime konkurruese, duke filluar nga 40 euro për dhomë, ku përfshihen ushqimi, fjetja dhe trajtimet me baltë. Ato përfaqësojnë një destinacion unik për turistët që kërkojnë shërbime kurative dhe relaksim në një mjedis natyror, si edhe një pishinë të hapur termale.

Kryetari i Bashkisë z. Llatja garantoi mbështetje të plotë për të gjitha iniciativat e reja dhe sfidat që mund të hasen, duke uruar suksese në nismën e Landit dhe duke shprehur besimin se kjo do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit.

Administratori i kthyer nga emigrimi nga ana e tij, falënderoi për besimin dhe mbështetjen e treguar, dhe premtoi që do të angazhohet maksimalisht për të ofruar shërbime sa më cilësore dhe natyrale për klientët e tij. Llixha, kjo qendër kurative  shërben si një zonë dhe territor turistik. Burimet termale dhe vlerat kurative të baltës në këto llixha janë përdorur prej shumë kohësh.

115 VJET BANDË FRYMORE “AFËRDITA” NË ELBASAN

Me një festë madhështore të muzikës dhe trashëgimisë kulturore, Elbasani u përfshi me tingujt e ngjarjeve të mëdha për të nderuar 115 vjetorin e Bandës Frymore “Afërdita”.

Në qendër të qytetit një paradë e jashtëzakonshme u zhvillua për të festuar kontributin e kësaj bande legjendare në historinë dhe identitetin e Elbasanit.

Nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja, Qendra e Artit dhe Shoqata Kulturore Skampa, oganizuan një event i cili mblodhi qindra qytetarë elbasanas dhe mysafirë nga i gjithë vendi.

 Parada e Bandave Frymore të vendit bashkë me tingujt e bukur të orkestrave të ftuara nga Bashkitë Durrës, Tiranë, Berat, Mali i Zi, dhe Shkodër, sollën një atmosferë festive mbresëlënëse nëpër rrugët e Elbasanit.

 Në kulmin e këtij eventi një moment i vecantë iu kushtua nderimit të Emin Palluqi drejtuesit të shquar të Bandes Frymore “Afërdita”.

 Ai u vlerësua nga kreu i bashkisë së Elbasanit me titullin “Mirënjohja e Qytetit”  me motivacionin “ Për kontributin e tij 25 vjecar në drejtim e orkestrës frymore Banda “ Afërdita” me nivel të lartë artistik dhe profesional”.

Kjo paradë dhe ky koncert, jo vetëm festoi 115 vjetorin e Bandës Frymore

“Afërdita”, por gjithashtu shënjoi një moment të rëndësishëm për historinë dhe trashëgiminë e muzikës së Elbasanit, duke kujtuar me krenari sukseset dhe kontributin e madh të kësaj bande legjendare.

Themeluar në vitin 1917 “Afërdita” nuk është vetëm një ansambël muzikor, por një simbol i rezistencës, përkushtimit dhe artit të muzikës së trashëgimisë së qytetit.

Në rrugëtimin e saj ajo ka pasur drejtues e muzikantë nga të gjitha kohërat, si Thanas Floqi, Filip Papajani, Sokol Paparisto, Sulejman Gjevori, Mit’hat Stringa, Alfonc Balliçi, Sulejman Baltëza, Blerim Narazani, Emin Palluqi, Josif e Leonard Shuteriqi, Hamit Kusi, Ndriçim Behluli, të cilët me talentin dhe pasionin e tyre kanë bërë që tingujt e kësaj të bien në zemrat e brezave të Elbasanit.

FUNAR FEST: LLATJA, PROMOVIM I BUKURIVE NATYRORE

Edhe këtë vit, thirrjes për të festuar dhe promovuar vlerat e bukuriva natyrore të Funarit nga bashkia Elbasan, i janë përgjigjur qindra turistë nga vendi dhe të huaj.

  Funar Fest, realizohet për të disatin vit rradhazi, dhe nga viti në vit, ky oaz turistik i vogël ka ngritur profilin e tij në rradhët e destinacioneve të dëshirueshme për turistët vendas dhe të huaj.

 Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

 Pikërisht sot, Funari është mbushur plot me vizitorë, vendas dhe të huaj, duke ju bashkuar thirrjes së bashkisë së Elbasanit, e cila këtë ditë e ka shpallur festë zyrtare, me qëllim promovimin e vlerave natyrore, dhe trashëgimisë së kësaj zone.

 Piknik, muzikë live, koncert, sporte të aventurës, panairi i gatimeve tradicionale të zonës, si dhe argëtim, është qëllimi i kësaj dite, ku sipas kryebashkiakut Gledian Llatja festa të tilla vlejnë për të promovuar vlerat natyrore dhe zbuluar resurset e kësaj zone të mrekullueshme.

 Në këtë event kanë marrë pjesë shefi i bashkëpunimit nga Delegacioni Europian në Shqipëri Hubert Perr, Kryetari i Bashkisë Krueshevë Tome Hristoski, zv. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit znj. Vilma Bello Drejtoresha Ekzekutive të SASPAC, znj. Jona Suli, deputetja Evis Kushi, kryetarja e Qarkut Ermira Urupi, ku kreu i bashkisë, e cilësoi Funar Fest, si një nga shumë vendet turistike që ka Elbasani, dhe që me investimet që janë kryer, Funari është kthyer në një vend lehtësisht i vizitueshëm.

 Kreu i bashkisë z. Gledian Llatja, edhe një herë ka ftuar turistë vendas dhe të huaj që ta vizitojnë Funarin, atraksionet kryesore që kjo zonë ka.

” Ne po promovojmë një serë destinacionesh turistike në Funar, por edhe Elbasani është një perlë që ne po e mbështesim shumë në fushën e turizmit dhe kemi pasur një rritje të turistëve vit pas viti”, tha Llatja duke falenderuar miqtë për bashkëpunimin dhe mbështetjen.

 Znj. Vilma Bello pohoi se ” jemi në rrugën e një shqipërie turistike, e krijimit të një  destinacioni turistik sic është shqipëria”.

 Sakaq shefi i bashkëpunimit nga Delegacioni Europian në Shqipëri Hubert Perr foli për qëllimin e ardhjes së tij në këtë event pasi ky është një investim i Bashkimit Europian nëpërmjet projektit cross-border Shqipëri-Maqedoni e Veriut. ” Nuk kishte ngjarje më të mirë sesa festa e Funarit për ta bërë një gjë të tillë.

 Bashkimi Europian ka investuar në infrastrukturën turistike dhe në menaxhimin e këtij vendi që Funari ofron. Turizmi është duke u fuqizuar dita-ditës në Shqipëri.

Turizmi i qëndrueshëm, që mundësohet nga natyra e shkëlqyer që ofron Shqipëria.

Kjo është shumë e rëndësishme dhe për këtë arsye ne mendojmë se investimet e Bashkimit Europian dhe partneritetet me bashkitë dhe qeverinë tregojnë kontributin dhe angazhimin e Bashkimit Europian për të ndihmuar Shqipërinë të zhvillojnë sektorin e turizmit dhe të mbështesin zhvillimin duke siguruar se të gjithë shqiptarët kanë të ardhme në këtë vend”.

 Z. Perr shprehu besimin se shumë shpejt Funari do të jetë një vend i lulëzuar për turizmin.

 Kryetari i bashkisë Krueshevë Rome Hristoski pohoi se ” vetëm nëpërmjet partneritetit ne mund të ndërtojmë histori suksesi midis dy bashkive, Funar-Krushevo destinacioni ynë i rradhës”.

  Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, ka merr jetë projekti “Funari Adventure Park”. Bëhet fjalë për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe së fundi është ndërtuar edhe pika e informimit të vizitorëve.

 Një nga ambiciet e kruet të bashkisë është edhe kthimi i kësaj zone në një nga pikat e rëndësishme për sportet e aventurës në shqipëri dhe në rajon.

Nga maja e Korrës, janë rreth 70 kilometra shtigje që po hapen për këmbësorët, për të apasionuarit e sportit, për mjetet, si edhe biçikletat.

  Në veçanti, iniciativat e bashkisë Elbasan për zhvillimin e infrastrukturës turistike, si pistat e parashutizmit, shtigjet malore, kajake në liqen, ciklizëm malor, offroad 4×4, tregojnë një përkushtim të vërtetë për të rritur atraktivitetin e këtij vendi.

GLEDIAN LLATJA/ TRASHËGIMIA KULTURORE E ELBASANIT NË QENDËR TË VËMËNDJES

Kryetari i bashkisë  së Elbasanit z. Gledian Llatja ka pritur një delegacionin Europian në shqipëri i kryesuar nga z. Hubert Perr, zv. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Vilma Bello, Kryetari i Bashkisë Krueshevë Tome Hristoski dhe Drejtoreshën Ekzekutive të SASPAC, znj. Jona Suli.

Z. Llatja i ka prezantuar miqve një sërë pikash turistike për turistët, duke e vënë theksin tek pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit të Elbasanit.

Në këtë prezantim z. Llatja paraqiti disa nga pikat më tërheqëse turistike të qytetit, duke nisur nga lagja e vjetër “Kala”, e cila mbart një histori të thellë dhe vlera arkitektonike të jashtëzakonshme. Ai gjithashtu vizitoi edhe bazilikën e Bezistanit një zbulim i fundit i shekullit të V, i cili ka tërhequr vëmëndjen e mijëra turistëve vendas dhe të huaj.

Përvec këtyre pikave kryetari Gledian Llatja theksoi edhe rëndësinë historike të kalasë fushore të Elbasanit, një monument i rëndësishëm i ndërtuar mbi kalldrëmin e rrugës perandorake Egnatia, duke u fokusuar në origjinën Romake të saj, si edhe kullën e sahatit, e cila ngrihet e lartë si simbol i Elbasanit.

“Elbasani është një qytet i pasur me histori dhe kulturë, ne jemi të lumtur që mund të ndajmë këtë pasuri me vizitorët tanë”, tha kryetari Llatja gjatë prezantimit.

“Pikat turistike që kemi prezantuar sot janë vetëm një përshkrim i vogël i pasurisë sonë kulturore dhe historike, ndaj ju ftojmë të vini dhe të eksploroni thellësitë e Elbasanit”.

Ky prezantim i kryebashkiakut të Elbasanit shënon një hap të rëndësishëm drejt promovimit të qytetit si një destinacion turistik i rëndësishëm në Shqipëri, duke theksuar trashëgiminë e tij të pasur dhe vlerat kulturore unike.

TË FESTOJMË SË BASHKU NË FUNAR!

Mos e humbisni këtë të premte në Funar!

Muzikë e mirë, ushqime të freskëta bio të zonës, piknik në perlën turistike të Elbasanit dhe lojra zbavitëse dhe një sërë aktivitetesh të tjera ju presin.

 Funari është rikthyer në një zonë të njohur jo vetëm për elbasanllintë, por për mbarë vendin si edhe më gjerë.

 Tashmë në këtë zonë të pikturuar nga natyra po merr jetë projekti “Funari Adventure Park” ku po vazhdojnë punimet për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve që do t’i japë padyshim zhvillimin e shumëpritur një prej perlave turistike të Elbasanit, që sigurisht pa vizionin, këmbënguljen dhe vullnetin e Bashkisë dhe partnerëve të saj të ngushtë nuk do të ishte i mundur financimi i drejtpërdrejtë i Bashkimit Evropian.  

 E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme si edhe me gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën, si edhe për të kaluar një ditë të bukur.

SHKOLLA E GJELBËR, NDËRGJEGJËSIMI I TË RINJVE PËR MENAXHIMIN E MJEDISIT

Konkursi “Shkolla e Gjelbër” ka angazhuar qindra të rinj të Elbasanit, synimi i të cilit është të përcjellë kulturën e riciklimit, ndarjes së mbetjeve në burim, nismave për pastrimet e qytetit dhe shtimit të hapësirave të gjelbra për një mjedis më të pastër e të shëndetshëm.

Bashkia e Elbasanit ka ndërrmarë këtë nismë, e cila konsiston në ndërgjegjësimin e brezit të ri, për menaxhimin sa më të mirë të mjedisit në territorin e qytetit të Elbasanit.

Qëllimi i këtij projekti shërben për të ndryshuar sjelljet dhe zakonet e nxënësve në mënyrë që ata të jenë më të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm në raport me mjedisin dhe  menaxhimin e mbetjeve. Për të ndërtuar një kulturë të përbashkët në shkollë dhe në komunitet që përkrah veprimet mjedisore dhe menaxhimin e mbetjeve.

Nxënësit e shkollave të mesme të qytetit u shpërndanë në 9 – zona për secilën shkollë për të bërë pastrimin e zonës së caktuar, ndërsa u përcaktuan  dhe 6 shkollat  të cilat vazhduan fazën e tretë të konkursit.

Shkollat të cilat e kaluan këtë fazë iu nënshtruan një testimi  me pyetje të përgatitura nga grupi i punës, ku fituese doli shkolla e mesme profesionale.