Muaj: Maj 2024
VIJON PROCESI I CERTIFIKIMIT TË “BASHKISË ME MJEDIS MIQËSOR NDAJ BIZNESIT” NË BASHKINË ELBASAN
Vijon zbatimi i procesit të certifikimit të “Bashkisë me Mjedis Miqësor ndaj Biznesit” në bashkinë e Elbasanit në prani edhe të përfaqësuesve të Shoqatës për Autonomi Vendore.
Edhe në këtë takim të rradhës, kryetari i bashksië z. Gledian Llatja ka dhënë mbështetjen e tij për të vijuar me zbatimin e procesit të certifikimit të “Bashkisë me Mjedis Miqësor ndaj Biznesit” . Z. Llatja e vlerësoi #BFC #SEE si një mundësi mjaft e mirë për të tërhequr vemëndjen e investitorëve të huaj drejt qytetit të Elbasanit i cili ka një klimë mbështetëse ndaj biznesit vendor .
Takimi vijoi me stafin drejtues të bashkisë dhe ekipin e vlerësimit, me të cilët u ndalën në kriteret e certifikimit #BFC dhe në sektorë të rëndësishëm të zhvillimit vendor si:
Zhvillimin e strategjisë ekonomike lokale;
Incentivat e bashkisë në mbështetje të biznesit dhe zhvillimin e territorit;
Planet urbane;
Inovacionet dixhitale;
Incentivat e ndërmarra në përmirësim të komunitetit vendor.
Rrjeti #BFC #SEE u themelua në vitin 2012 nga bashki dhe organizata nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me mbështetjen e Bashkëpunimit të Zhvillimit Gjerman të zbatuar nga Fondi Rajonal i Hapur për Modernizimin e Shërbimeve Komunale (GIZ ORF MMS) me qëllim krijimin e standardit të parë të përbashkët BFC SEE dhe një marke cilësie për mjedisin e biznesit në qytete dhe Bashkive të Rajonit.
ELBASANI NË FESTË, AF NË SUPERIORE
Spektakël i madh në qytetin e Elbasanit. Ngjitja në Kategorinë Superiore të ekipit të Elbasanit, është cilësuar si një fitore e madhe për ekipin, mbarë tifozët por edhe qytetarët elbasanas.
Gjatë të gjithë pasdites së sotme, ekipi dhe Elbasani ka festuar titullin kampion në kategorinë e parë në futbollin kombëtar.
Nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë Gledian Llatja, që në orët e para të mbasdites qendra e qytetit ka qenë vetëm për ekpin, tifozët dhe shumë qytetarë të cilët kanë përgëzuar ekipin për rikthimin e tyre në kategorinë superior.
Stadiumi Elbasan “Arena” u mbush me tifozë si dhe me plot urime dhe krenari, duke befasuar ekipin nga përkrahja e padiskutueshme e tifozëve.
Pas ndeshjes me Bylis, skuadra AF Elbasani parakaloi në bulevardin e qytetit së bashku me sportdashësit.
Ka qenë një atmosferë e madhe festive për qytetin e Elbasanit rikthimi i ekpit në superior, ku bashkia Elbasan ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj skene si edhe të festojnë në një koncert të madh në sheshin “Gensher”. Festimet kanë vijuar, me lavdërime për lojtarët e talentuar dhe trajnerin e tyre.
Ky është një rikthim i madh në elitën e futbollit shqiptar që tifozëve elbasanas u kishte munguar aq shumë.
Krijuar tre vite më parë, ekipi ngjiti shkallët dhe tani do të përfaqësohet mes më të mirëve, aty ku duhet të jetë.
Bashkia e Elbasanit meriton një vlerësim për kontributin e saj në suksesin e ekipit të futbollit, pasi ka luajtur një rol kyç në promovimin e sportit në komunitet, duke organizuar evenimente dhe programe të sportit, si edhe duke nxitur zhvillimin e talenteve të futbollit.
Mbështetja e vetë kreut të bashkisë në cdo ndeshje të ekipit ka ndihmuar në rindërtimin e një ekipi të fortë dhe konkurrues në skenën e futbollit.
Pas përfundimit të ndeshjes, në nisje të festimeve në qytet, kreu i bashkisë Gledian Llatja falenderoi ekipin për këtë fitore, ndërsa shtoi se “është një sukses i të gjithë qytetit, është një investim që nis nga bashkia e Elbasanit, por me dashamirësinë e të gjithë qytetit dhe me mbështetjen e bizneseve.
Sot kemi arritur të jemi kampion. Është një festë në Elbasan, ndaj synimi ynë është që të vazhdojmë sukseset, të vazhdojmë punët e mira me ekipin bashkë me qytetin tonë”, tha ai.
Kjo fitore është një kapitull i ri në historinë e futbollit elbasanas si edhe frymëzon gjeneratat e ardhshme për të ndjekur ëndrrën e tyre në sport.
Pas përfundimit të takimit u organizua edhe ceremonia për kurorëzimin e ekipit kampion nga Federata Shqiptare e Futbollit ku i pranishëm ishte Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi medaljet dhe titullin kampion ekipit të AF Elbasanit.
ELBASANI NË FESTË
Të enjten Elbasani feston titullin kampion në kategorinë e parë në futbollin kombëtar dhe pas shumë vitesh ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Për t’u dhënë mundësi qytetarëve të festojnë këtë event të rëndësishëm për qytetin, të enjten në 9 Maj bulevardi “Aqif Pasha” do të bllokohet për qarkullimin e mjeteve prej orës 16:00-24:00.
Pas ndeshjes me Bylis, skuadra AF Elbasani do të parakalojë në bulevardin e qytetit së bashku me sportdashësit.
SHOQATA PËR AUTONOMI VENDORE NË ELBASAN NË FOKUS NISMA E DECENTRALIZIMIT ASIMETRIK DHE PILOTIMI NË DISA BASHKI
Bashkinë e Elbasanit e kanë vizituar përfaqësues të Shoqatës për Autonomi Vendore, të cilët janë pritur nga kryetari Gledian Llatja, në përbërje të të cilit janë shumë kryebashkikë të vendit.
Në fokus të bisedimeve të këtij takimi ka qenë decentralizimi asimetrik dhe pilotimi i tij në disa bashki.
Në fund të takimit, z. Llatja bëri edhe një përmbledhje të këtij takimi duke pohuar se
“ndamë sugjerimet dhe përvojat sesi ky pilotim është një mundësi e mirë për bashkitë dhe autonominë e tyre vendore. Ky proces do të zhvillohet përmes konsultimeve me aktorët vendor, kuadrit ligjor dhe marrëveshjeve ekzistuese, marrëdhënieve ndër-institucionale në funksion të kompetencave dhe buxhetimit sipas kostove reale të përcaktuara”.
Kjo nisëm mbështetet nga projekti Bashki të Forta projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sëiss Development & Cooperation) i zbatuar nga Helvetas.
E themeluar 14 vjet më parë misioni i Shoqatës për Autonomi Vendore është për më shumë autonomi përmes forcimit të zhvillimit të strukturave dhe mekanizmave demokratike në organzimin dhe funksionimin e Njësive vendore.
HAPJA E SEZONIT KURATIV NË LLIXHA, PROMOVOHET PËR HERË TË PARË EDHE PANAIRI I TRADITËS SË TREGANIT
Në hapjen e sezonit kurativ në Tregan, për herë të parë Bashkia Elbasan ka promovuar edhe panairin e turizmit kurativ në këtë zonë.
Llixhat e Treganit, janë të famshme në të gjithë Shqipërinë e më tej, për vlerat kurative që mbartin. Bashkia Elbasan për të promovuar më shumë këtë zonë, këtë vit ka promovuar edhe panairin ku banorët e zonës kanë shpalosur punimet e tyre artizanale.
Me qëllim kthimin në traditë të kësaj dite, kryetari i Bashkia Elbasan Gledian Llatja ka marrë pjesë në celjen e sezonit si edhe të panairit të parë në këtë zonë.
Tashmë në Llixhat e Elbasanit është kulmi i sezonit kurativ dhe nga viti në vit numuri i turistëve dhe pushesve që vijnë në këtë zonë ka ardhur në rritje. Për këtë qëllim, z. Llatja shprehu bindjen se edhe këtë sezon pritet të ketë një rritje të shtuar të turistëve dhe pushuesve.
“Jemi në kulmin e sezonit, dhe presim të kemi një sezon të shtuar këtë vit, gjatë muajit maj dhe fillimit të qershorit, për t’u kthyer më pas fuqishëm në shtator- dhjetor, si sezonet tradicionale të turizmit kurativ në zonën e Treganit.
Ky është panairi i parë që ne promovojmë traditën kulturën por edhe bizneset e zonës së Treganit, kemi pasur një rritje të turistëve vitet e fundit, si edhe rritjen e kapaciteteve të hoteleve në Tregan”, tha Llatja, ndërsa ka uruar që të gjithë turistët e ardhur nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi si dhe vende të tjera të kalojnë sa më mirë në Llixha por edhe në Elbasan.
Duke e vënë theksin edhe një herë tek asetet kulturore, ato të trashëgimisë, arkeologjisë etj, kreu i bashkisë ftoi të gjithë turistët që të njihen më nga afër me atraksionet turistike në Elbasan, duke filluar me Treganin, Gjinarin, Funarin por edhe qytetin e Elbasanit, jo vetëm me sitet e saj kulturore e arkeologjike por edhe kulinarinë si edhe turizmin që ofron qyteti.
Në Llixha trajtohen sëmundje të shumta të reumatizmës, rrugëve të frymëmarrjes, tensionit, të lëkurës etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike gjithashtu.
Pranvera dhe Vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave. Ato frekuentohen nga mijëra pacientë por edhe turistë në vit.
PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT LOKAL DHE POLITIKËS NDEROJNË SAKRIFICËN E DËSHMORËVE DHE UROJNË PASHKËT ORTODOKSE
Përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal, Kryetari i bashkisë Gledian Llatja,drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, deputetja Evis Kushi, prefektja Maklinda Perriu, si edhe deputetë të qarkut të Elbasanit, kryen sot homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në përkujtim të të rënëve për lirinë e atdheut. Kjo ditë përkujton edhe me festën e Pashkëve ortodokse.
Homazhe para lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, kanë bërë edhe veteranë të qytetit, dhe familjarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit.
Pas ceremonisë së homazheve, shoqëruar ng abanda frymore “Afërdita”, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri ka uruar mbarë shqiptarët ditën e dëshmorëve dhe pashkët otodokse.
“Në këtë ditë të shënuar që përkon edhe me festën e pashkëve ortodokse, ne duhet t’i urojmë të gjithë qytetarëve të Elbasanit por edhe shqiptarëve, pasi janë ditë të pa harruara. Njëra ka të bëjë me aspketin religjoz, tjera me një ngjarje të rëndësishme kombëtare, me përkujtimin që kanë bërë shqiptarët ndër vite, Dita e Dëshmorëve.
Është një ditë e vecantë, përulemi me respekt përpara sakrificës njerëzore, por njëkohësisht edhe ajo që lidhet me festën e besimtarëve ortodoksë, është një ditë që të gjithë shikojnë me shpresë nga e ardhmja, një ditë për të reflektuar njeriu, dhe mbi të gjitha për të parë më të mirën njerëzore. Gëzuar Pashkët, gëzuar 5 Majin, dhe pacim vetëm të mira në këtë shqipëri, e cila përtej përpjkejeve që bën, arrin rezultate, ndryshon përditë, dhe populli shqiptar ka ditët më të mira në historinë e tij.
Edhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja në urimin e tij, uroi 5 Majin, “ditën e sakrificës së shumë të rinjve, të cilët kanë dhënë jetën që ne sot të jemi më mirë. Gjithashtu edhe një urim për besimtarët ortodoksë, Gëzuar Pashkët, ardhshin të bardha dhe të mbara”.
Dita e Dëshmorëve të Kombit njihet si dita e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
BESIMTARËT ORTODOKSË FESTOJNË PASHKËN, KRYHET PROCESIONI I EPITAFIT NË ELBASAN
Kisha Ortodokse e lavdëron të Shtunën e Madhe si ditën e shtatë më të bekuar, në të cilën Fjala e Zotit shtrihet në varr si një njeri i vdekur, por në të njëjtën kohë e shpëton botën.
Ndaj edhe në qytetin e Elbasanit është zhvilluar procesioni i epitafit ku kanë qenë të pranishëm edhe qindra besimtarë ortodoksë shoqëruar nga banda frymore “Afërdita”.
Besimtarët ortodoksë festojnë mesnatën e sotme Pashkën, një ditë e shënuar e kalendarit fetar.
Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
“Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.
Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin në vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
INAGUROHET PROGRAMI IPA 3
Është inaguruar në Elbasan programi IPA 3 për bashkëpunimin ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në këtë inagurim ka marrë pjesë kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja, përfaqësues të vetëqeverisjes vendore, akademikëve dhe ekspertë lokalë.
“Ky takim është një hap tjetër drejt nxitjes së lidhjeve ndërkufitare, duke promovuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përpjekjet tona për integrimin në BE përmes projekteve të përbashkëta”, pohon z. Llatja.
Qëllimi i programit është të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen socio-ekonomike, me fokus përmirësimin e rajonit ndërkufitar nëpërmjet turizmit të qëndrueshëm, trashëgimisë kulturore dhe iniciativave të adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.
PASARDHËSIT E AUTORIT TË ABETARES SË PARË SHQIPE NË KOSOVË MEHMET GJEVORI, FIRMOSIN NËNSHTETËSINË SHQIPTARE
Pasardhësit e autorit të Abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori, janë betuar përpara Kushtetutës së Shqipërisë, duke firmosur kështu nënshtetësinë shqiptare.
Kjo ceremoni modeste është kryer në zyrën e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja i cili ishte i pranishëm në betimin e Shkëlzen Gjevori dhe vajzës së tij Ermira Hatipi (Gjevori).
Për kreun e bashkisë “ky moment ishte një emocion i veçantë, që djali dhe mbesa e Mehmet Gjevori, një prej personaliteteve të qytetit të Elbasanit, pishtar i devotshëm i arsimit shqiptar, që ia kushtoi jetën zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Shqipëri dhe në Kosovë, të jenë qytetarët më të rinj të qytetit të Elbasanit”.
Mehmet Gjevori në vitin 1941 iu përgjigj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi, për të shkuar me shërbim në Kosovë. Ai njihet si autori i Abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë të botuar në vitin 1946 dhe i shumë teksteve shkollore. Mehmet Gjevori i lindur në Elbasan shërbeu në Kosovë për plot 67 vjet duke ia kushtuar të gjithë jetën e tij zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë.
“Falënderojmë Shkëlzenin dhe Ermirën që sot iu bashkuan qytetit të tyre të origjinës, duke mbetur shpresëplotë për kontributin e tyre për këtë qytet ashtu sikundër edhe familjarët e tyre”, shtoi Llatja.
Në Kosovë Mehmet Gjevori nderohet edhe sot si babai i abetares shqipe, por edhe si mësuesi i mësuesve shqiptarë në Kosovë. Ai ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare dhe prehet në varrezat e Prishtinës.