Në kuadër të “Dita e Verës”, nën kujdesin e vacantë të Bashkisë Elbasan në bulevardin “Aqif Pasha” u ekspozua Panairi i Zejeve.
Edhe këtë vit, qytetit nuk i ka munguar ky panair artizanal, një traditë e ruajtur prej shekujsh në trevat e Elbasanit.
Punimet me dorë, në tezgjah dhe ato të drurit, ruajnë traditën e lashtë duke i transmetuar ato brez pas brezi.
Ky panair organizohet jo vetëm për të promovuar vlera kulturore të krahinës në Elbasan, por edhe më lart deri në zonën e Dumresë, me qëllim që të ruhen traditat dhe punimet artizanale.
Aktivitetet sportive kanë zënë një vend të veçantë në përgatitjet dhe festimet në kuadër të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit.
E tillë është edhe gara çiklistike që u mbajt ditën e sotme, e cila në mënyrë simbolike u quajt Trofeu “Dita e Verës”, e cila hap njëkohësisht edhe siparin e aktiviteveve të federatës së Çiklizmit.
Nisja u bë nga qendra e qytetit, në portën hyrëse të kalasë.
Bashkia e Elbasanit, si mikpritëse e këtij aktiviteti, nga ana e saj mori të gjitha masat për zhvillimin e saj pa probleme, ndërsa pjesëmarrëse ishin të gjitha ekipet shqiptare me sportistët e tyre më të mire.
Duke nisur kështu me kategoritë e Grupmopshave Kadet, Junior dhe U-23 Elitë.
Kategoria kadete mori pjesë në garën e 50 km, Elbasan-Shalës-Elbasan, ndërsa Junior dhe U-23 Elitë zhvilloi garën çiklistike prej 97.1 km.
Për të tretin vit rradhazi, “Sofra e Elbasanit”, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, ka hapur dyert dhe mirëpritur miq për të festuar së bashku Ditën e Verës.
Edhe këtë vit lajtmotivi i festës ishte promovimi i gatimeve tradicionale të Shqipërisë së Mesme, ku qyteti i Elbasanit njihet për kulinarinë.
“Sofra Elbasanit” e titulluar “Një lulishte me trandafil asht parajsa e vërtetë” e konceptuar me dekor që sjell ndjesinë e qytetit të Elbasanit, inskenimin e dasmave të vjetra elbasanase, gatimi si në një shtëpi të vjetër Elbasani.
Tradita, kulinaria, dhe folklori bëhen bashkë në një ditë, për të mirëpritur pranverën, stinën e begatisë dhe mirësisë.
Në këtë event kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre Shkëlqesia e tij Presidenti Bajram Begaj, Blendi Klosi, deputetët e Elbasanit si edhe drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, artistë të këngës popullore, tenori Kastriot Tusha, vëllezërit Zena, etj.
Miqtë e Sofrës i ka mirëpritur kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja duke i uruar mirëseardhjen dhe duke pohuar se “e veçanta qe e bën Elbasanin ndyshe nga vendet e tjera për festën e Ditës së Verës është se festojmë të gjithë së bashku me fëmijë e të rritur me këngë e valle tradicionale të trevës së këtij qyteti plot tradita, pa veçuar folklorin.
Traditën e Ditës së Verës do t’a vazhdojmë t’a trashëgojmë ndër breza”, tha Llatja.
Tradita shekullore në Elbasanin e luleve, ëmbëlsirës së ballokumes, në qytetin e artit, kulturës, arsimit, trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë vazhdon, ku sofrat e qytetit janë të shtruara për të gjithë miqtë për t’i uruar mirëseardhjen pranverës.
Festimet e ditës së verës kanë nisur që në fillim të muajit , me shumë aktivitete si edhe “Sofra e Elbasanit”, ku gërshetohet tradita, e lashta me modernen, e bukura dhe kënaqësia, miqësia dhe dashuria.
Si festë pagane, “Dita e Verës’, shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë.
Ndaj, Elbasani është shndërruar në kryeqendër të festimeve edhe këtë 14 mars, ku nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, do të realizohen një sërë aktivitetesh artistike, për fëmijë, të rinj e të rritur, ku nuk do të mungojë edhe koncerti i madh festiv në mbrëmje, me pjesëmarrjen e artistes së njohur Fifi dhe shumë të tjerë.