Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Prill 2026

Teatri “Skampa” nuk shteron me aktivitete, koncert simfonik më 27 prill me Orkestrën Filarmonike të Elbasanit

Teatri “Skampa” nuk shteron me aktivitete dhe mbrëmje artistike për publikun elbasanas. Së fundmi, në skenën e teatritpritet të vijë një tjetër event i veçantë, që premton emocione dhe përjetime të rralla për dashamirësit e muzikës klasike.

Bëhet fjalë për një koncert simfonik nga Orkestra Filarmonike e Elbasanit, i cili do të zhvillohet më 27 prill, në orën 18:00. Nën dirigjimin e Antonio Pine, kjo mbrëmje do të sjellë në skenë interpretimet e solistëve Ardit Serica (piano), Fini Gjeli dhe Stelina Trokoliçi.

Programi artistik përfshin vepra nga kompozitorë të njohur botërorë si Wolfgang Amadeus Mozart, Antonín Dvořák, Johannes Brahms dhe Arturo Márquez, si edhe krijime nga kompozitori shqiptar Klement Marku, duke e bërë këtë koncert një udhëtim të pasur muzikor mes traditës dhe bashkëkohësisë.

Aktiviteti organizohet nën drejtimin ekzekutiv të Kliton Kapaj dhe do të jetë i hapur për publikun, me hyrje të lirë.

Një mbrëmje e veçantë që konfirmon edhe një herë se Teatri “Skampa” vijon të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të jetës kulturore në qytet, duke sjellë vazhdimisht aktivitete të larmishme dhe cilësore për artdashësit.

Përfundon një tjetër investim për eficiencën e energjisë në Elbasan

Një tjetër investim i rëndësishëm në shërbim të komunitetit është përfunduar në qytetin e Elbasanit, ku tre banesa kolektive në lagjet “Çlirimi” dhe “Shën Koll” janë rikonstruktuar, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për banorët.

Projekti, i realizuar nga Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me vetë banorët, përfshiu veshjen e godinave me sistem kapot, rikonstruksionin e fasadave si dhe zëvendësimin e dritareve, duke synuar rritjen e eficiencës së energjisë dhe uljen e konsumit për familjet. Për familjet në nevojë, ndërhyrja është mbuluar 100% nga Bashkia.

Ky investim ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e rreth 200 banorëve, duke sjellë më shumë komoditet, kursim energjie dhe një cilësi më të mirë jetese.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili inspektoi nga afër punimet së bashku me deputeten Aulona Bylykbashi, theksoi se ky është modeli që synohet të shtrihet në të gjitha godinat e vjetra të qytetit.

“Ky është modeli që duam të zbatojmë në të gjitha godinat e vjetra në Elbasan. Përveç veshjes me kapot, kemi ndërhyrë edhe në zëvendësimin e dritareve dhe përmirësimin e infrastrukturës së jashtme. Në raste të veçanta, si në këtë pallat ku ka shumë të moshuar dhe familje në nevojë, Bashkia ka mbuluar edhe kostot për dritaret, për të garantuar termoizolim të plotë”, u shpreh Llatja.

Ndërsa deputetja Aulona Bylykbashi e cilësoi këtë ndërhyrje si tejet të rëndësishme, duke theksuar se eficienca e energjisë jo vetëm garanton ruajtjen e temperaturës së brendshme, por sjell edhe kursime të ndjeshme për familjet.

Bashkia e Elbasanit bën të ditur se do të vijojë me investime të ngjashme në banesat kolektive, me qëllim përmirësimin e standardeve të jetesës dhe rritjen e eficiencës energjetike në të gjithë qytetin.

Promovohet në Bibliotekën “Qemal Baholli” libri “Mendoj si Europian” i Agim Leka në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Në ambientet e Bibliotekës “Qemal Baholli” u zhvillua promovimi i librit më të ri të autorit Agim Leka, me titull “Mendoj si Europian”, në prani të miqve, intelektualëve dhe dashamirësve të librit.

Vepra “Mendoj si Europian” fokusohet në ndërtimin e mendimit përmes edukimit, duke integruar filozofinë, shkencën dhe fenë në institucione kyçe si familja, komuniteti qytetar, shkolla, shteti dhe institucionet fetare.

Libri është fryt i një kërkimi të gjatë filozofik dhe i përvojës së autorit në procesin mësimor-edukativ, si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në atë universitar. Në thelb, ai trajton edukimin si një proces të gjerë që përfshin përvetësimin e njohurive, zhvillimin e aftësive dhe ndërtimin e vlerave, besimeve dhe zakoneve.

Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetarja e bashkisë, deputetja Aulona Bylykbashi,Klaudja Krasnika, kryetarja e qarkut Ermira Urupi, si edhe përfaqësues të tjerë nga bashkia, ndër të cilat Dorina Rroseni. Të pranishëm ishin gjithashtu shumë qytetarë dhe dashamirës të kulturës, duke e kthyer këtë takim në një moment të bukur bashkëndarjeje dhe reflektimi.

Aktivitetin e çeli përgjegjësja e bibliotekës, Elisa Janku, e cila theksoi rëndësinë e nismave të tilla për promovimin e leximit dhe kulturës. Më pas, autori prezantoi librin e tij, duke ndarë me të pranishmit frymëzimin dhe qëllimin që qëndron pas kësaj vepre, e cila sjell reflektime të thelluara mbi mendësinë, zhvillimin dhe sfidat në kontekstin evropian.

Agim Leka është gjithashtu autor i librave “Histori e filozofisë” dhe “Histori e filozofisë moderne perëndimore”, duke kontribuar ndër vite në pasurimin e mendimit filozofik dhe edukativ në vend.

Ky aktivitet përkoi simbolikisht edhe me Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, duke i dhënë promovimit një domethënie të veçantë dhe duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te rëndësia e librit dhe fuqia e tij për të ndriçuar mendjen dhe për të pasuruar shpirtin.

Vijon lirimi i hapësirave publike në Elbasan

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon intensivisht në të gjitha lagjet, duke synuar heqjen e objekteve pa leje që zënë hapësirat e përbashkëta dhe pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve.

 Këto ndërhyrje janë të domosdoshme për të garantuar akses të plotë për banorët, si dhe për shërbimet emergjente si zjarrfikësja dhe ambulanca.

 Strukturat përkatëse janë angazhuar çdo ditë në terren për të rikthyer funksionalitetin e hapësirave publike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës në komunitet.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se, “ky është një proces i rëndësishëm për qytetin, pasi synon t’u rikthejë qytetarëve hapësirat që u përkasin dhe të garantojë siguri e akses për të gjithë”.

Puna do të vijojë pa ndërprerje në çdo lagje.

Vijojnë investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese në Shushicë

Bashkia e Elbasanit vijon edhe këtë vit t’i kushtojë një vëmendje të veçantë përmirësimit të infrastrukturës ujitëse dhe kulluese, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe minimizimin e humbjeve të ujit për fermerët.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me deputeten e zonës, Evis Kushi, kanë inspektuar nga afër punimet për betonizimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese në fshatin Shushicë.

Fokusi i inspektimit ishte kanali i Qoses, ku parashikohet të shtrohen rreth 4 kilometra kanal. Aktualisht ka nisur puna për 1.3 kilometrat e parë, pjesë e lotit të parë të investimit, ndërsa më pas do të vijojë edhe loti i dytë për përfundimin e plotë të projektit.

“Investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese kanë nisur prej kohësh dhe po vijojnë çdo vit me ritme të qëndrueshme, për të garantuar më shumë ujë dhe më pak humbje për fermerët tanë”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Paralelisht, ka nisur betonizimi edhe i kanalit të Gurakuqit, me një gjatësi totale prej 8 kilometrash. Ky investim do të shtrihet më tej edhe në njësitë administrative të tjera, si Shirgjan, Gjergjan dhe Bradashesh.

Ky është një proces i nisur prej vitesh nga Bashkia e Elbasanit, ku çdo vit janë shtuar sipërfaqet e kanaleve të betonizuara, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë për bujqësinë dhe menaxhimin e burimeve ujore.

Deputetja Kushi theksoi se investimi vjen si përgjigje direkte ndaj kërkesave të banorëve, të shprehura edhe gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje. “Më vjen mirë që ky premtim është mbajtur, pasi çdo investim në këtë zonë përkthehet në mbështetje për fermerët dhe zhvillimin e ekonomisë lokale,” u shpreh ajo.

Sipas saj, rreth 330 hektarë tokë bujqësore do të përfitojnë nga këto dy kanale, duke garantuar vaditje më të qëndrueshme dhe efikase.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, u shpreh se ky investim do të ndikojë jo vetëm në përmirësimin e kushteve për fermerët e Shushicës, por edhe në kursimin e ujit nga kanalet ekzistuese, duke përfituar kështu edhe zona të tjera si Polsi Tudan, Llixha dhe Tregani.

Banorët e Shushicës kanë shprehur mirënjohjen e tyre ndaj kryebashkuakut për këtë ndërhyrje, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe përmirësimin e jetesës në zonë.

Elbasani mirëpret Ballkaniadën e Ping Pongut në muajin qershor

Shumë shpejt, Elbasani do të jetë mikpritës i një tjetër eventi të rëndësishëm ndërkombëtar, Ballkaniadës së Ping Pongut, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij në rritje në hartën sportive të rajonit.

Me angazhimin e institucioneve vendore dhe bashkëpunimin e ngushtë me federatat përkatëse, qyteti po dëshmon se ka kapacitetin dhe infrastrukturën e nevojshme për të organizuar aktivitete sportive të niveleve të larta, duke e promovuar denjësisht në arenën ndërkombëtare.

Në kuadër të përgatitjeve, kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilloi një takim me drejtorin e Klubit Shumësportësh Elbasan, Artin Kovaçi, trajnerët e klubit, si edhe përfaqësues të Federatës së Ping Pongut të Ballkanit dhe Federatës Shqiptare të Ping Pongut.

Gjatë këtij takimi u diskutua në detaje mbi planin e masave dhe koordinimin institucional për organizimin sa më të suksesshëm të këtij eventi, i cili do të zhvillohet në Elbasan gjatë muajit qershor.

Ballkaniada pritet të sjellë në qytet sportistë dhe delegacione nga vendet e rajonit, duke e kthyer Elbasanin në një pikë takimi të rëndësishme për sportin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Monitorim i çmimeve në tregjet e Elbasanit për mbrojtjen e konsumatorit.

Në kuadër të një nisme për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorëve, Bashkia Elbasan ka ndërmarrë një proces monitorimi të çmimeve të produkteve të shportës në tregun e shumicës dhe në disa tregje të pakicës në qytet.

Një grup pune po ndjek nga afër situatën e çmimeve, duke verifikuar nivelin e tyre si në tregun e shumicës, ashtu edhe në pikat e shitjes me pakicë.

Edhe pse Bashkia e Elbasanit nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në nivelin e çmimeve, ajo ka detyrimin të orientojë qytetarët drejt pikave kur pasqyrohet giendja reale e çmimeve.

Qëllimi i këtij monitorimi është të orientojë qytetarët në kohë reale për çmimet në tregje për të mos rënë pre e abuzimeve me çmimet.

Tabelat e publikuara më poshtë pasqyrojnë çmimet e verifikuara gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në disa prej tregjeve kryesore të qytetit të Elbasanit.

Të nderuar qytetarë, për të mos rënë pre e abuzimeve të pajustifikuara me çmimet drejtohuni tregjeve ku çdo mëngjes Bashkia e Elbasanit do të sjellë gjendjen e çmimeve.