Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Aktualitet

AGJENCIA  E SHËRBIMEVE PUBLIKE NË TERREN, PËR MË SHUMË GJELBËRIM

Agjencia e Shërbimeve Publike është çdo ditë në terren për mirëmbajtjen e hapësirave publike në gjithë territorin e bashkisë Elbasan, dhe një infrastrukturë të rehabilituar.

“Gjenerata e gjelbër” konkursi që ju mundëson t’i thoni JO plastikës njëpërdorimëshe

📌Je nën moshën 1️⃣8️⃣ vjeç?

📌Je kreativ dhe i/e apasionuar për të bërë video në rrjetet sociale?

📌Je i/e interesuar për të mbrojtur mjedisin nga plastika njëpërdorimshe?

Nëse po, bëhu pjesë e iniciativës☘️ #GjenerataEGjelbër nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit 🇦🇱 dhe GIZ Albania 🇩🇪 për t’u shpallur FITUES i njërit prej 3 çmimeve.

Afati i dorëzimit të videove: 14 prill 2024

Detajet e sfidës, udhëzimet për videon, mënyrën e ngarkimit të videos për të marrë pjesë në konkurs, i gjen në këtë link👉🏻 https://bit.ly/4a0otwG  

#GjenerataEGjelbër #EcoLiving #ThuajiJOPlastikës #FantastikPaPlastikë

Vijojmë ndërhyrjet nëntokësore për të siguruar ujë 24 orë në ditë        

 Punimet nëntokësore për shtrimin e kanalizimeve të ujrave të zeza, projekt i KFV -së në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit vijojnë me ritme të kënaqshme.

  Ky projekt ndikon në të gjithë rrjetin në Njësinë nr 3 tek Dogana e qytetit ku prioriteti kryesor është 24 orë ujë në ditë.

I shoqëruar nga deputeti Florenc Spaho dhe drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Luan Tabaku, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja gjatë një inspektimi në këtë investim shprehu bindjen se ishte e domosdoshme ndërhyrja nëntokësore në këtë zonë.

 ” Ka qenë një kërkesë e banorëve të bllokut të pallatit 120, i cili përfshin një bllok të madh prej katër sheshesh. Edhe pse ndodhet përballë doganës, kjo lagje është konsideruar si periferike e vjetër,ndërkohë që në qytet kemi bërë investime të vazhdueshme” tha ai.

 Llatja renditi një sërë investimesh të dukshme tashmë sic janë zona e ” NSHU, në lagjen ” Skënderbej”, në Krastë, në zonën e Teqes në Rajonin Nr 6 po punohet në kanalizimin e ujrave të zeza, ndërkohë edhe tek shkolla ” Hamit Mullisi”.

 Po vijon investimi i kanalizimeve të ujrave të zeza, një sërë investimesh në ujësjellës, me qëllimin final që në 2025 të gjitha lagjet të kenë ujë 24 orë, ndaj ishte e domosdoshme ndërhyrja në këtë bllok pallatesh të Rajonit Nr 3.

” Në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizmet jemi në fazën e parë të ndërhyrjes, atë të ujit të pijshëm, dhe shumë shpejt, brenda muajit Prill do të fillojmë me asfaltimin e të gjitha shesheve të pallateve, për të kaluar më tej tek faza e shumëkërkuar e banorëve, sistemi kapot i veshjeve të fasadave të pallateve”.

 Bashkia Elbasan e ka nisur tashmë dhe vijon projektin e veshjes me sistem kapot në bashkëpunim edhe me FSHZH një vit më pare, ku ka filluar sistemimi i gjysmës së bllokut dhe tashmë ka mbetur edhe gjysma tjetër, një prioritet e bashkisë por edhe qeverisë shqiptare.

 Sipas deputetit Florenc Spaho e vuri theksin se nga ky investim do të përfitojnë ujë të pijshëm 300 banorë të këtij blloku pallatesh.

 ” Me mbështetjen e qeverisë shqiptare ne do të mbajmë edhe premtimin e dhënë në fushatë për të bërë të mundur edhe riasfaltimin e këtij sheshi,si edhe vendosjen e disa stolave për të pushuar mosha e tretë, për ta kthyer në një minipark”.

Rruga “Koco Brisku”, e rikthyer në një bllok tërësisht urban

Rruga “Koco Brisku”, në lagjen “5 Maji”, nga një bllok banesash informale është duke u kthyer në një rrugë urbane me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Gjatë një inspektimi të punimeve në këtë zonë, kreu i bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga deputetja e kësaj zone Evis Kushi kanë vlerësuar gadishmërinë e banorëve, të cilët e kanë mbështetur këtë investim në zonën e tyre që aktualisht është kthyer në një kantier ndërtimi.

“Lagjja “Koco Brisku” është një zonë informale e krijuar pas vitit ’90-të, dhe kishte një sërë problematikash në urbanizimin e kësaj zone, ndërsa sot është kthyer në një nga rrugicat kryesore të kësaj lageje”, tha z. LLatja.

Duke e vënë theksin tek një sërë investimesh që po realizohen në qytet, ai vuri në dukje edhe investimet në bashkëpunim me KFV -në Gjermane ku paralelisht po kryhen punime në riasfaltime dhe shtrim rrugësh dhe rrugicash si në qytet ashtu edhe në zonat informale.

“Këtë vit janë rihapur një sërë kantieresh ndërtimi në të gjithë qytetin e Elbasanit për t’i dhënë një tjetër formë kryesisht zonave informale.

 Kanalizmet e ujrave të zeza kanë qenë problem në këtë lagje, ndaj bashkia ka vijuar të kryejë paralelisht jo vetëm investimet në kanalizime por edhe në infrastrukturë totale duke përfshirë edhe ndricimin”, shtoi ai.

Nga ana e saj, deputetje Kushi theksoi faktin se – me investimet e kryera në këtë zonë, është rritur edhe vlera e pronës, si edhe bizneseve të shumta që ushtrojnë aktivitet.

Lagjja “5 Maji” është një ndër më të mëdhatë në qytetin e Elbasanit, një zonë informale dhe me një numër të madh banorësh, cka ka pasur edhe shumë probleme infrastrukturore.

Para pak vitesh kjo lagje ka qenë thuajse informale, ndërsa deri më tani janë kryer më shumë se 6 km kanalizime të ujrave të zeza, investime të cilat janë pritur shumë mirë nga banorët.

Të rinjtë e Qendrës Rinore përfundojnë me sukses trajnimin “TECHnovators” dhe “Sipërmarrësit e së Nesërmes”

Së bashku me një grup të jashtëzakonshëm të gjimnazistëve në Qendrën Rinore të Elbasanit, përmbyllëm me sukses fazën e trajnimeve për konkurset kombëtare “TECHnovators” dhe “Sipërmarrësit e së Nesërmes” në të gjithë Shqipërinë, në një bashkëpunim me TBU.  

 Këto trajnime të kthyera tashmë në traditë mbështet rrugëtimin sipërmarrës dhe profesional të rinjve.

Në një diskutim tepër interesant rreth këshillimit në karrierë, profesioneve të së ardhmes, krijimit të startup-eve dhe fushës së teknologjisë , të rinjtë morën informacione rreth mundësive për të zhvilluar një karrierë të suksseshme.

Qendra e fshatit Labinot Fushë, e kthyer si një lagje qyteti                             

Një rrugë e premtuar dhe e kërkuar në qendrën e fshatit Labinot Fushë, të kësaj njësie vetëm rreth 5 km larg Elbasanit.

 Një nvestim tjetër i kryer nga bashkia e Elbasanit e cila është mirëpritur nga banorët e kësaj lagjeje.

   Sakaq ka përfunduar rruga e ” Kollajve”, dhe vazhdojnë punimet në unazën e fshatit, ndërsa ka përfunduar puna në qendër të fshatit.

 Ka disa kohë që në fshatin Labinot Fushë janë kryer një sërë investimesh në infrastrukturë, ndaj dhe vetë kreu i bashkisë z. Gledian Llatja ka bërë një inspektim të këtyre punimeve dhe investimeve të kryera tashmë, duke e kthyer këtë fshat si një lagje të qytetit.

  Ai e vuri theksin tek shumë projekte që bashkia ka asistuar në këtë njësi, duke e vënë theksin tek një ndër projektet më të mëdha aktuale, ai i kanalizimeve të ujrave të zeza në Mengël, një nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj njësie i cili është drejt konkretizimit.

 ” Në lagjen ” Qendër”, të kësaj njësie ne kemi përfunduar 2 rrugë me një cilësi të lartë e cila i shërben banorëve, duke i ofruar komoditetin infrastrukturor pasi ndodhet pranë shkollës dhe xhamisë. Ky investim ishte i domosdoshëm në qendër të fshatit, por edhe një investim me standarte”.

  Kryebashkiaku Llatja shton ndër të tjera se në vijim do të nisin një sërë investimesh të tjera ” bëhet fjalë për unazën e vogël të fshatit, si edhe një lagje të brendshme, ku problem ka qenë vetëm terreni. Ne vijojmë të konsultohemi me banorët, jo të gjitha nuk mund të bëhen përnjëherë, por prioritetet që kemi vendosur në cdo fshat po vijojnë”, tha z. Llatja.

 Në Labinot Fushë qeveria shqiptare po përgatitet të kryejë një investim të madh ai i by -pass të Elbasanit, si edhe është hyrja kryesore e Korridorit të 8- të ku bashkia është në kontakt të vazhdueshëm sa i përket problematikave si edhe zgjidhjes përfundimtare të vaditjes.  Rruga në fjalë i shërben 50 familjeve, dhe përfshin asfaltim, ndricim dhe trotuare.

Presidenti Bajram Begaj vizitë në Elbasan: Qytet me trashëgimi historike, kulturore e industriale të rëndësishme

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë Armanda Begaj, zhvilluan një vizitë në Elbasan ku u takua me autoritetet drejtuese të qytetit, sipërmarrës, nxënës të shkollës profesionale, pedagogë, përfaqësues të artit, kulturës dhe të komuniteteve fetare, si dhe me qytetarë të Elbasanit.

Presidenti, u prit gjatë këtij turi të tij nga kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja i cili e njohu me projektet zhvillimore, punën që bën bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me komunitetin.

Presidenti vlerësoi vëmendjen që ky institucion i ka kushtuar fuqizimit të shoqërisë civile për një ekspertizë dhe konsultim komunitar në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

“Kënaqësi të jemi në Elbasan në një qytet me një trashëgimi historike, kulturore e industriale të rëndësishme për Shqipërinë me njerëz punëtorë e bujarë, sakrifikues për mirëqenien e jetës së familjeve të tyre”, u shpreh Presidenti.

Më pas, Presidenti Begaj bisedoi me shkrimtarë, artistë dhe përfaqësues të jetës kulturore, në një takim të zhvilluar në bibliotekën e qytetit, ku përgëzoi stafin për ruajtjen e pasurisë së fondit arkivor, ruajtjen e trashëgimisë së librit dhe qasjen ndaj dijes. “Ruajtja e ekzemplarëve të rrallë është vërtet për t’u vlerësuar”, u shpreh Presidenti, ndërsa vizitoi bibliotekën “Qemal Baholli” dhe fondin e Albanologjisë “Lef Nosi” të kësaj biblioteke.

“Elbasani, – u shpreh Presidenti, – si qyteti i babait të gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhi, qyteti i arsimit që ka përgatitur ndër dekada mësues për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë meriton të shndërrohet në qytetin më të vizitueshëm në Shqipëri në këtë këndvështrim.”

“E çmoj me shumë rëndësi të takohem me ju si kontribuesit më të rëndësishëm të gjuhës e kulturës. E kam parësore vëmendjen ndaj të gjithë atyre që kontribuojnë për ruajtjen e pastër të gjuhës shqipe. Kush merret me librin pasurohet dhe pasuron Shqipërinë”, theksoi më tej Presidenti Begaj.

“Jam i lumtur që trashëgimia kulturore në Elbasan duket e realizuar”, u shpreh ai, duke vlerësuar praninë e shkrimtarëve të rinj e të vjetër në këtë takim, të parin që një President i Republikës zhvillon me këtë përfaqësi.

Gjatë vizitës në Elbasan, një rëndësi të veçantë Presidenti i kushtoi kulturës së dialogut dhe respektit ndërfetar.

Ai u takua me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare në Elbasan të cilët kanë një Qendër të Bashkëpunimit Ndërfetar, që njihet për aktivizim të përbashkët në çështjet e komunitetit dhe shkëmbimit të vlerave fetare.

Një ndër këto është dhe Marshimi i Paqes, një aktivitet – simbol i ndërveprimit qytetar të të gjithë besimeve fetare.

Presidenti e cilësoi këtë si një model të harmonisë ndërfetare mes shqiptarëve.

“I gëzuar që keni këtë harmoni ndërfetare dhe ndani së bashku vlerat fetare: besimin dhe vëllazërinë, respektin ndaj njëri-tjetrit. Faleminderit për këtë që bëni, për vlerat që përcillni! Të promovosh vlerën kundrejt antivlerës është mision i vështirë, por i shenjtë. Ne jemi njerëz të ndryshëm që i përkasim bindjeve fetare të ndryshme, por kjo nuk mund e nuk duhet të na ndalojë të ulemi së bashku, të dialogojmë. Unë e shoh këtë organizim tuajin si model të përcjelljes së vlerave, të ndihmës së njerëzve. Përshëndes shumë marshimin e fillimi vitit që ju organizoni, ai është i jashtëzakonshëm, është modeli i paqes, i respektit ndërfetar”, theksoi Begaj.

Studioja e piktorit Gazmend Xhaferri ishte ndalesa tjetër e Presidentit Begaj, ku u njoh me historinë e kësaj familjeje prej katër artistësh, e sjell në piktura, si ruajtje të traditës së piktorit Sefedin Xhaferri.

Ndërsa gjatë vizitës në shkollën profesionale, mjeshtrat e ardhshëm të kuzhinës ekspozuan gatimet e tyre.

“Unë jam i sigurt, – u shpreh Presidenti para nxënësve, – që këtë shkollë profesionale e keni zgjedhur me dashuri, e kur gjërat bëhen me dashuri, bëhen më mirë. Ju keni një treg të madh që ju ofron mundësi të panumërta, por unë do të dëshiroja e do të uroja që ju të jeni kuzhinierët më të mirë të produkteve Made in Albania.”

Ai vizitoi në këtë shkollë edhe  repartet e praktikës së mekanikëve.

Më pas, Presidenti u takua edhe me sipërmarrës të prodhimit dhe eksportit të kolltuqeve,  në “Today Sofa”, një kompani italiane e drejtuar nga shqiptarët, ku punojnë rreth 75 persona.

Gjatë qëndrimit në Elbasan, Kreu i Shtetit vizitoi Muzeun Etnografik të Elbasanit, që njihet si “Shtëpia e Sejdinëve”, një ndërtesë e shekullit të 18-të, si edhe Kishën dhe manastirin e Shën Joan Vladimirit, ku kanë jetuar e punuar Kristoforidhi e shumë gjuhëtarë e veprimtarë të tjerë të Elbasanit.

NXËNËSIT E SHKOLLËS “KOSTANDIN KRISTOFORIDHI” NË GARË NË KAMPIONATIN EUROPIAN TË DEBATIT ZHVILLUAR NË PRAGË

Në Pragë, është zhvilluar Edicioni i Parë i Kampionatit Europian të Debatit “European Schools Debating Championship, financim i Bashkimit Europian dhe IDEA (International Debate Education Association)

Në garë nga 34 skuadra nga e gjithë Europa, janë edhe nxënësit e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”, Alba Lloshi, Suela Palluqi dhe Klaud Feçi të cilët përfaqësuan Shqipërinë.

“MIRËNJOHJA E QYTETIT” TALENTES MEGI GJURA

Kryetari i Bashkisë z. GledianLlatja ka vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, telenten Megi Gjura”, me motivacionin “Interpretim në nivel të lartë artistik duke përfaqësuar denjësisht qytetin e saj, brenda dhe jashtë vendit”.

Drejt përfundimit gjimnazi “Konstandin Kristoforidhi”

 Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka parë nga afër  ecurinë e punimeve tw shkollws “ Kostandon Kristoforidhi”, bashkë me kreun e bashkisë Gledia Llatja  dhe drejtuesin politik të qarkut  Damian Gjiknuri,  e cila do të garantojë kushtet më të mira për 650 nxënës dhe mësues.

Punimet sipas kryebashkiakut Gledian Llatja po ecin me ritme të kënaqshme, ndërsa ka pohuar se ” muaji shtator do të ketë dy shkolla të ristrukturuara totalisht, shkolla ” Onufri” dhe ” Kostandin Kristoforidhi”, ku në këtë shkollë është bërë edhe shtesa, pasi mësimi bëhej me dy turne.

  Shkolla ka përfshirë terrenet sportive, laboratoret si edhe palestrën në këtë investim”.

  Sipas tij rikonstruksioni i shkollës ishte shumë e domosdoshme, edhe pse ishte e vjetëruar, por edhe për shkak të shtimit të numurit të nxënësve.

  “Po vazhdojmë punë të mira në Elbasan kryesisht në infrastruktura shkollore si dhe me projekte të Ministrisë, por edhe ne vetë si bashki po vazhdojmë me projektet tona për rikonstruksionet total dhe të pjesshme të shkollave, por ” Kostandin Kriatoforidhi është qershia mbi tortë e të gjitha shkollave tona”, tha z. Llatja.

Ministria Manastirliu pohoi se ” jemi në një  tjetër kantier të arsimit, në shkollën e mesme “Kostandin Kristoforidhi” një prej shkollave më në zë të qytetit dhe sigurisht një prej prioriteteve tona që në vitin e ri shkollor, jo vetëm “Kostandin Kristoforidhi” por  dhe shkolla artistike “Onufri” të përfundojnë edhe të hapin dyert për nxënësit, dhe të ofrojnë kushte pune shumë dinjitoze për mësuesit në këto shkolla”.

Nga ana e tij drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri ka falenderuar qeverinë shqiptare për 6 investimet e kryera në qarkun e Elbasanit.

  Projekti i rikonstruksionit synon të përmirësojë klasat dhe laboratorët, si dhe të ndërtojë 14 klasa të reja dhe një palestër të re me standarde bashkëkohore.

 Shkolla e rikonstruktuar do të ketë kapacitet për 610 nxënës dhe do të shërbejë 43 mësuesve. Shkolla “Kostandin Kristoforidhi” do të funksionojë si një qendër arsimore e integruar, duke përfshirë një palestër të re dhe fusha sportive, të cilat do të jenë të hapura për komunitetin si një qendër për aktivitete komunitare.

 Në këtë shkollë, gjithashtu, do të zbatohet projekti i Inteligjencës Artificiale, duke e bërë atë një nga institucionet inovative në fushën e arsimit.

 Në Bashkinë Elbasan janë financuar 3 objekte shkollore: Shkolla “Kostandin Kristoforidhi”, Shkolla Artistike “Onufri” dhe ambientet sportive të shkollës “Luigj Gurakuqi”. Në nivel qarku, janë financuar 6 objekte arsimore në 4 bashkitë e qarkut: Elbasan, Cërrik, Gramsh dhe Librazhd.