Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

E-path 6 nis nga Elbasani: Turizmi i qëndrueshëm në fokusin e bashkëpunimit rajonal

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka pritur në zyrën e tij përfaqësues të lartë të Federatës Europiane të Hiking, si dhe përfaqësues të federatave nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe vuri në fokus rëndësinë e nismës për zhvillimin e turizmit natyror dhe të qëndrueshëm në rajon.

“Kisha kënaqësi të prisja në Elbasan përfaqësuesit e Federatës Europiane të Hiking dhe federatave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut,” u shpreh kryetari Llatja. “Ky ishte një takim i rëndësishëm që çel rrugën për bashkëpunim konkret në realizimin e projektit E-path 6.”

E-path 6 është pjesë e rrjetit të shtigjeve europiane, një nismë që synon të lidhë destinacione të ndryshme përmes shtigjeve të ecjes në natyrë, duke promovuar njëkohësisht bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe historike të vendeve pjesëmarrëse.

Ky projekt ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të fuqizuar turizmin alternativ dhe për të sjellë më shumë vizitorë në qytetin e Elbasanit dhe më gjerë, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e pasurive natyrore dhe kulturore të zonës.

Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për të qenë pjesë aktive e kësaj nisme dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.

Elbasani drejt qytetit të gjelbër: Llatja takim me GIZ për transportin urban

Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja priti në një takim përfaqësuesit e GIZ Albania për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e transportit dhe mobilitetit urban.

Ky takim vjen si pjesë e vizionit të Bashkisë Elbasan për një “Green City” , një qytet më të gjelbër, më të pastër dhe me më pak ndotje, ku prioritet mbeten politikat që promovojnë transportin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

Bashkia Elbasan ka qenë prej kohësh e angazhuar në nisma që synojnë reduktimin e ndotjes dhe promovimin e zgjidhjeve të gjelbra. Bashkëpunimi me GIZ, një nga organizatat më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm në nivel global, pritet të sjellë ekspertizë dhe projekte konkrete në këtë drejtim.

 Një tjetër hap përpara drejt Elbasanit që duam – të gjelbër, të pastër dhe të jetueshëm për të gjithë!

Elbasani, urë miqësie përtej kufijve/Gledian Llatja pret delegacionin e Preshevës

Delegacioni i Komunës së Preshevës, i kryesuar nga kryetarja Ardita Sinani, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Elbasan, ku u prit nga kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë takimit, Llatja u shpreh se në kuadër të kësaj vizite janë organizuar një sërë aktivitetesh kulturore që thellojnë miqësinë mes dy qyteteve tashmë të binjakëzuara. “Nuk kemi lënë pas dore as bashkëpunimin ndërmjet bizneseve, që po e çojmë në një fazë të re,” theksoi ai.

Nga ana e saj, kryetarja Sinani vlerësoi bashkëpunimin në fusha si kultura, arsimi, media, arti dhe informimi, duke theksuar se këto janë elementë kyç për të tërhequr fonde të Bashkimit Europian. Ajo falënderoi shtetin shqiptar për mbështetjen dhe nënvizoi rolin e diasporës. “Ne kemi një diasporë jashtëzakonisht të rëndësishme që jep një kontribut të madh, ndaj ky bashkëpunim është thelbësor për forcimin e faktorit shqiptar në tërësi dhe veçanërisht për Luginën e Preshevës.”

Delegacioni vizitoi edhe pikat kulturore të qytetit, si Muzeun Etnografik, Kalanë e Elbasanit dhe Bazilikën paleokristiane pranë Rrapit të Bezistanit. Vizitorët u njohën me trashëgiminë historike dhe identitetin kulturor të Elbasanit, që mbetet një urë miqësie dhe bashkëpunimi përtej kufijve.

Elbasani drejt një menaxhimi më të mirë të mbetjeve:Diskutim publik mbi planin 2025–2030

Në ambjentet e Bashkisë Elbasan u zhvillua sot një takim konsultativ i rëndësishëm për një nga dokumentet strategjike që do të udhëheqë zhvillimin lokal në vitet e ardhshme: “Plani Vendor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të Ngurta 2025–2030 dhe rregullorja përkatëse e tij”.

Takimi u organizua në kuadër të përfshirjes qytetare përmes Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP), duke e kthyer këtë proces në një hapësirë të vërtetë bashkëkrijimi dhe vendimmarrjeje të hapur.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të Forumit OGP, këshilltarë të Këshillit Bashkiak, akademikë nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, aktivistë të shoqërisë civile, si edhe përfaqësues nga media dhe bizneset vendase.

Pas prezantimit të Planit dhe Rregullores nga ekspertët e Drejtorisë së Monitorimit, me mbështetjen e projektit “Bashki të Forta”, u hap një diskutim i gjerë mbi sfidat dhe problematikat e menaxhimit të mbetjeve në territorin e bashkisë. Pjesëmarrësit sollën ide dhe propozime konkrete për përmirësimin e situatës, duke vënë theksin te përfshirja qytetare, rritja e ndërgjegjësimit dhe zbatimi efektiv i masave të parashikuara në plan.

Ky proces dëshmon angazhimin e Bashkisë Elbasan për të ndërtuar politika gjithëpërfshirëse dhe afatgjata në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve, si pjesë e vizionit për një qytet më të pastër dhe më të jetueshëm.

Fëmijët e Kopshteve festojnë Ditën e Tokës: Ambasadorët më të vegjël të mjedisit

Oborret e kopshteve publike të qytetit u mbushën sot me ngjyra, krijimtari dhe mesazhe optimiste, teksa dhjetëra vogëlushë, nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Elbasan, shënuan Ditën Ndërkombëtare të Tokës me një sërë aktivitetesh edukative.

Me penela në duar, fëmijët vizatuan pemë, lule, gjelbërim, simbolikë e një planeti të shëndetshëm. Punimet u ekspozuan në mini‑galeri brenda ambienteve të kopshteve, duke i kthyer klasat në hapësira arti dhe reflektimi. Paralelisht, edukatorët organizuan lojëra interaktive që i mësuan të vegjlit si të ndajnë mbeturinat, të ruajnë ujin dhe të mbjellin fara.

Nëse duam një të nesërme më të pastër, duhet të fillojmë me fëmijët ishte edhe lajtmotivi i këtyre aktiviteteve në koshtet e qytetit.

Me këtë aktivitet në kuadër të ditës së tokës fëmijët treguan se misioni për të mbrojtur Tokën fillon me gjeste të thjeshta.

Aktivitetet përfunduan me premtim simbolik nga fëmijët për ta mbrojtur natyrën çdo ditë. Bashkia u bën thirrje prindërve dhe qytetarëve të Elbasanit të bashkohen në nismat e pastrimit të lagjeve dhe të reduktojnë përdorimin e plastikë.

Tokën e kemi vetëm një, le ta mbrojmë së bashku, për fëmijët e sotëm dhe brezat që vijnë!

Gledian Llatja uron Pashkët: “Le të ringjallim dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë mes nesh”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka uruar besimtarët për festën e Pashkës, duke vizituar objektet e kultit dhe klerikët e të dy besimeve, në një shenjë të bukur bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare që e karakterizon qytetin e Elbasanit. I shoqëruar nga ekipi i Partisë Socialiste, në ditën e Ringjalljes së Krishtit, ai përcolli urimet më të mira për këtë festë të madhe shpirtërore:

“Këto Pashkë le të ringjallin në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe zemërgjerësinë për njëri-tjetrin. Le të na frymëzojnë për më shumë solidaritet, mirësi dhe bashkim në çdo sfidë që kalojmë si komunitet. Gëzuar Pashkën të gjithëve që e festojnë, me paqe, shëndet dhe begati në familje!”

Ekipet në terren, qyteti më i pastër dhe më i bukur çdo ditë!

Me ardhjen e pranverës së dytë, siç na pëlqen ta quajmë këtë periudhë të bukur të vitit ,Elbasani, qyteti i luleve, vazhdon të gjallërohet çdo ditë me më shumë ngjyra, jetë dhe pastërti. Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike janë në terren çdo mëngjes, duke punuar pa u lodhur për ta mbajtur qytetin tonë të pastër dhe të mirëmbajtur.

Nga pastrimi i rrugëve dhe hapësirave publike, tek kujdesi për gjelbërimin dhe mbjellja e luleve të reja , çdo detaj ka rëndësi kur bëhet fjalë për cilësinë e jetës urbane. Ky përkushtim i përditshëm i punonjësve tanë është një reflektim i përgjegjësisë për ta bërë Elbasanin gjithnjë e më të bukur.

 Më shumë gjelbërim, më shumë lule, më shumë kujdes për qytetin që duam, kjo është motoja që na udhëheq!

Genc Trëndafili shpallet “Qytetar Nderi”: Një jetë në shërbim të dijes dhe kulturës

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i dorëzoi familjes së Genc Trëndafilit titullin “Qytetar Nderi”, si një vlerësim i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim dhe trashëgimi kulturore.

Genc Trëndafili ka qenë një ndër figurat më të spikatura në arsimin elbasanas dhe më gjerë, ish-drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi” dhe një ndër metodistët më të shquar të gjeografisë. Ai është autor i librit “Didactic of Geography”, një tekst i rëndësishëm akademik që mbetet një udhërrëfyes për mësimdhënien moderne në këtë fushë.

Përveç kontributit të palodhur në edukimin e brezave, Trëndafili ka luajtur një rol thelbësor edhe në pasurimin e jetës kulturore të qytetit. Ai ka kontribuar në ngritjen dhe sistemimin e Muzeut të Shkollës Normale të Elbasanit – një institucion simbol për historinë e arsimit shqiptar.

“Puna dhe vlera e tij do të jetojnë përjetë ndër breza. Respekt dhe nderim për një figurë të rrallë të dijes dhe kulturës shqiptare,” u shpreh Kryetari Llatja gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit.

Sukses në “Skampa” premiera “Çfarë pa Kryeshërbëtorja” entuziazmon publikun elbasanas

Teatri “Skampa” në Elbasan ka sjellë me sukses premierën e komedisë “Çfarë pa Kryeshërbëtorja”, një vepër e autorit britanik Joe Orton, nën regjinë mjeshtërore të Kiço Londos. Qindra artëdashës kanë ndjekur me entuziazëm një shfaqje që kombinon mjeshtërisht humorin absurd me realitetin tronditës të marrëdhënieve njerëzore.

Në skenë janë ngjitur emra të njohur të teatrit shqiptar si Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjell Hoxha dhe Livjon Aliaj, të cilët me interpretimin e tyre brilant i kanë dhënë jetë personazheve kompleksë të Orton. Ata sjellin një galeri karakteresh që luhaten mes çmendurisë, dëshirës dhe absurditetit, duke bërë publikun të qeshë, të mendojë dhe të reflektojë.

Një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat e një psikiatri me prirje të çuditshme, një sekretare e zhveshur dhe e fshehur pas perdes, një zonjë elegante dhe e zhytur në alkool, përqafime të paligjshme dhe një profesor me fantazi surreale, ndërthuren me hyrjen e një polici që prish gjithçka… Në sfond, mjegulla e trashë e purove të Çurçillit shton dhe më shumë absurditetin e situatave.

Kjo premierë është një tjetër dëshmi e gjallërisë së jetës artistike në Elbasan, që po zhvillohet me përkushtim të drejtorit artistik i teatrit “Skampa”, z. Kliton Kapaj. Falë punës së tij dhe ekipit të aktorëve e regjisorëve, Teatri “Skampa” mbetet një pikë referimi për kulturën në qytet dhe më gjerë. “Çfarë pa Kryeshërbëtorja”, do të shfaqet në “Skampa” deri në datën 16 maj.

Rikonstruksioni total i çerdhes Nr. 2, ambient modern për 150 fëmijë

Bashkia e Elbasanit është drejt rikonstruksionit total të çerdhes nr. 2, një projekt që ka si qëllim përmirësimin e kushteve për zhvillimin e fëmijëve. Me një investim prej 124 milionë lekësh ( te vjetra) nga buxheti i Bashkisë, çerdhja do të ofrojë ambiente të sigurta, moderne dhe komode për 150 fëmijë.

Ky rikonstruksion është një ndërhyrje e domosdoshme për të siguruar kushte më të mira dhe më të sigurta për vogëlushët. Pas përfundimit të punimeve, fëmijët do të gëzojnë ambiente tërësisht të rinovuara, që do të mundësojnë një zhvillim më të mirë për ata.

Ky është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve dhe kujdesi ndaj më të vegjlit është prioritet i Bashkisë së Elbasanit.